Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pasojat e dështimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës

Një nga sukseset më të mëdha për Kosovën pritej të ndodhte më 16-17 maj 2024, përkatësisht votimi për anëtarësim në Këshillin e Europës (KiE).

Pas marrjes së vendimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, pasuan rekomandimi pozitiv nga grupi i ekspertëve të udhëhequr nga raportuesja Dora Bakoyannis dhe votimi për në Asamblenë Parlamentare. Rrugëtimi që filloi mbarë drejt anëtarësimit u ndalua, sepse Kosova nuk u fut as në rendin e ditës në takimet punuese të 16 dhe 17 majit.

Kjo për faktin se Kosova u përball edhe me një detyrim të kamotshëm ndërkombëtar, e që është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Gjermania, Franca dhe Italia i kërkuan Kosovës ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit. Me “hap konkret” ata nënkuptuan dërgimin e një draft-statuti për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese (GJK) të Kosovës, si hapin e parë drejt themelimit të AKS-së.

Por, Qeveria Kurti e refuzoi këtë kërkesë një javë para se të mbahej mbledhja e Këshillit të Ministrave të KiE-së.

Megjithatë, çudia më e madhe erdhi nga zëvendësja e Kurtit dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Shwartz. Duke tentuar ta zërë “trenin e fundit” për anëtarësim, ajo i dërgoi një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, me zotimin se Qeveria e Kosovës do të përgatisë një draft për “krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim”, që, sipas saj, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për interpretim deri në fund të muajit maj.

Mungesa e konsistencës dhe luhatja e qëndrimeve brenda pak ditësh, si dhe hezitimi për të përmbushur detyrimet ligjore dhe zotimet politike, sollën dështimin për anëtarësim në KiE.

Përgjigja refuzuese e ndërkombëtarëve për letrën e Gërvallës ishte e shpejtë dhe e prerë, duke i treguar Qeverisë se ky zotim nuk përbën hap konkret për themelimin e ASK-së, sepse ky parakusht do të plotësohej me dërgimin e draft-statutit në GJK, të propozuar nga i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.

Efektet juridike nëse AKS-ja do të dërgohej në GJK

Gjykata Kushtetuese, në vitin 2015, ka nxjerrë një aktgjykim rreth AKS-së, në të cilin ka vendosur standarde lidhur me kushtetutshmërinë e saj. Përveçqë themelimi i tij është detyrim ndërkombëtar, me këtë aktgjykim, AKS-ja është bërë edhe obligim kushtetues.

Refuzimi i Kurtit për ta dërguar draft-statutin në GJK është një gabim i tij, sepse, nëse do ta bënte, Kosova do të fitonte shumë, ndërsa dërgimi i tij për shqyrtim nuk do të nënkuptonte apriori themelimin e tij.

Duke pasur parasysh se dokumenti në fjalë është draft i pamiratuar në organe kompetente, do të thotë që GJK-ja, me gjasë të madhe, do të nxirrte aktvendim për papranueshmëri, pra nuk do ta shqyrtonte përmbajtjen e tij, sepse është jashtë kompetencave të saj të shqyrtojë draft-dokumente. GJK-ja si draft-dokumente mund të shqyrtojë vetëm draftet e amendamenteve kushtetuese, që, sipas Nenit 144 të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit, para aprovimit të tyre në Kuvend, duhet t’i dërgojë në GJK për aprovim paraprak, nëse draft-amendamentet pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara me Kapitullin II të Kushtetutës.

Neni 113 i Kushtetutës së Kosovës përcakton qartë se cilat janë palët e autorizuara të dërgojnë çështje për vlerësim në GJK dhe për cilat akte bëhet fjalë, që rrjedhimisht nënkupton se GJK-ja nuk ka kompetencë të shqyrtojë draft-dokumentet juridike, sepse ndryshe do të shndërrohej në një organ këshillëdhënës për autoritetet ekzekutive.

Pra, ky draft-statut do të duhej që fillimisht të aprovohej nga Qeveria, për t’u krijuar kushtet që GJK-ja të shqyrtojë në përmbajtje dhe të vendosë për kushtetutshmërinë e tij. Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të kishte frikë nga dërgimi i asociacionit në GJK, sepse është po kjo gjykatë e cila ka mbrojtur kushtetutshmërinë lidhur me Asociacionin në vitin 2015 dhe ka vendosur standarde të qarta që nuk mund të preken.

Por, edhe sikur GJK-ja të shqyrtonte në përmbajtje draft-statutin, kjo vetëm se do t’ia lehtësonte punën pushtetit ekzekutiv lidhur me këtë detyrim ndërkombëtar, duke treguar me saktësi nëse i njëjti është në përputhje me Kushtetutën apo jo, dhe pastaj edhe veprimet politike do të lidheshin me vendimin e GJK-së lidhur me themelimin e Asociacionit sipas draftit të propozuar.

Pasojat për Kosovën nga refuzimi i Qeverisë Kurti

Implementimi i vendimit të GJK-së për Manastirin e Deçanit bëri që Kosova të kalojë dy faza të rëndësishme për anëtarësim në KiE dhe kjo reflektoi pozitivisht në aspektin ndërkombëtar. Kurti hoqi dorë nga populizmi rreth kësaj teme dhe tejkaloi qëndrimet që mbante sa ishte në opozitë, me kushtin që Kosova të anëtarësohet në KiE.

Problemi më i madh qëndron në faktin se Qeveria Kurti e zbatoi vendimin për Manastirin e Deçanit, duke e përdorur atë si levë për anëtarësim në KiE dhe jo duke u thirrur në zbatim të ligjit.

Megjithatë, zbatimi i vendimeve të GJK-së nuk vazhdoi deri në plotësimin e kushteve nga aleatët për anëtarësim, sepse qasja refuzuese për draft-statutin nuk e lejoi këtë.

Duket se themelimi është një kafshatë më e fortë për t’u kapërdirë për kryeministrin Kurti. Përgjatë dekadës së fundit, ai gjithmonë e vlerësonte AKS-në si një Republikë Serbe në Kosovë, e cila do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës. Gjithashtu, ai vazhdimisht i referohej AKS-së si “Zajednica”, duke përdorur termin serb për të ngjallur më shumë reagim te popullata. Refuzimi absolut i Kurtit ndaj AKS-së ishte një ndër pikat më të forta elektorale që e ndihmuan të vijë në pushtet.

Megjithatë, Albin Kurti sot është kryeministër dhe ka obligime politike, juridike dhe morale për t’u angazhuar në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe zbatimin e vendimeve të gjyqësorit.

Mosanëtarësimi në KiE është shembulli më i fundit se si populizmi dhe mungesa e qëndrimeve të duhura karshi obligimeve ndërkombëtare ia humbën Kosovës një mundësi të artë për anëtarësim në organizatën lidere në botë për të drejtat e njeriut.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.