Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pasqyra vjetore: temat që dominuan vitin 2024

Ilustrimi nga Big Eye

Viti që lamë pas, Kosovën e gjeti me lajme të ndryshme pozitive dhe negative, përfshirë këtu liberalizimin e vizave, aplikimin e pasuksesshëm për anëtarësim në Këshillin e Europës (KiE), krizën në veri të vendit dhe përfundimin e mandatit të plotë qeveritar për herë të parë në histori të vendit.

Këto janë temat kryesore qe dominuan në Kosovë gjatë vitit 2024:

Liberalizimi i vizave dhe fuqizimi i pasaportës

Qytetarët kosovarë ishin ndër qytetarët më të izoluar në botë, me pasaportën që renditej si një nga më të kufizuarat. Në rastin e Kosovës, ku afërsisht një e treta e popullsisë jeton jashtë, vizat ndanin edhe familjet. Prandaj, ndoshta lajmi më pozitiv i vitit për qytetarët kosovarë erdhi pikërisht në ditën e parë të vitit, më 1 janar 2024, kur hyri zyrtarisht në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën. 

Përkundër frikës së disa vendeve anëtare të BE-së, liberalizimi i vizave as nuk rriti ndjeshëm migrimin e parregullt, as numrin e azilkërkuesve.

Liberalizimi ndikoi edhe në njohjen e pasaportës nga Spanja, Qiproja e Armenia. E më pas u hap edhe mundësia për heqje të regjimit të vizave me Izraelin, Emiratet Arabe, Tajvanin dhe Tajlandën. Viti 2024 ishte viti i pasaportës kosovare, që tashmë u bë më e fuqishme sesa pasaportat e gjysmës së vendeve të Kombeve të Bashkuara. 

Kriza e vazhdueshme në komunat veriore

Në fillim të vitit 2024, Serbia njohu zyrtarisht targat e Kosovës dhe më pastaj filloi faturimi i energjisë në komunat veriore. Pastaj hyri në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që de fakto ndalonte dinarin serb si mjet pagese (dinari do të duhej të konvertohej në euro së pari).

Institucionet kosovare mbyllën edhe postën lokale serbe dhe komunat paralele në veri, duke shuar kështu edhe një pjesë të institucioneve paralele serbe që operonin në disa komuna të Kosovës, e sidomos në veri. Gjithashtu, peticioni për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme për katër komunat veriore dështoi.

Këto vendime u pritën me protesta nga serbët lokalë në veri dhe acaruan situatën. Këto aksione u kritikuan edhe nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë si të pakoordinuara. 

Por, ngjarja më e rrezikshme ndodhi më 29 nëntor, kur një bombë shpërtheu digën e Kanalit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok, një sulm ndaj infrastrukturës kritike të vendit. Përveç reduktimeve të furnizimit me ujë në zonën e Mitrovicës, Zveçanit dhe të Prishtinës, shpërthimi rrezikoi seriozisht pajisjen me rrymë për termocentralet elektrike të Kosovës. 

Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Europës (KiE)

Aplikimi i Kosovës në KiE më 12 maj 2022 u duk fillimisht se do të përfundonte suksesshëm. Në mars 2024, Komiteti i Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së e ftoi Kosovën në anëtarësim, duke vendosur votën më 17 prill 2024. 

Kjo votë ishte ndër më të suksesshmet e Kosovës sa i përket anëtarësimit në një institucion ndërkombëtar, duke marrë përkrahje me 77% të votave dhe përkrahje apo abstenim nga shumë deputetë nga shtete që nuk e njohin Kosovën, si: Greqia, Armenia, Ukraina, Rumania, Moldavia e Bosnjë-Hercegovina. 

Kjo eufori e shkaktuar nga ky momentum pozitiv stagnoi kur në mbledhjen e ministrave u kushtëzua nga Italia, Franca dhe Gjermania dërgimi i draft-statutit për Asociacionin/Komunitetin për Komunat me Shumicë Serbe në Kosovë në Gjykatën Kushtetuese. Shembull ky se si procesi i anëtarësimit në një institucion ndërkombëtar u kushtëzua me një proces të brendshëm. 

Pas refuzimit të Qeverisë për ta dërguar draft-statutin në Kushtetuese, ministrja Gërvalla dërgoi një letër, duke premtuar se Kosova do ta bëjë këtë në fund të majit. Por, letra nuk doli të jetë e mjaftueshme për t’i bindur Francën, Gjermaninë e Italinë, që kushtëzimi ishte përmbushur dhe aplikimi i Kosovës tash për tash mbetet në sirtar. 

Regjistrimi i popullsisë  

Më 2024 përfundoi me sukses regjistrimi i parë i popullsisë qysh prej vitit 2011. Sipas tij, Kosova ka 1.602 milion banorë. Krahasuar me regjistrimin e kaluar, që solli shifrat prej 1.739 milion banorësh, vihet re një rënie drastike e popullsisë. Regjistrimi i popullsisë tregoi gjithashtu një densitet më të madh në zonat urbane, pra një rritje të popullsisë në nëntë komunat e mëdha. 

Një gjetje tjetër interesante është rritja e numrit të të arsimuarve. Për shembull, nga 75 mijë në 2011, në 169 mijë për personat me Baçelor; me Master nga 8 mijë në 42 mijë, ndërsa me Doktoratë nga 1,136 në 4,144. 

Më rëndësi të ceket është që, për dallim prej regjistrimit të vitit 2011, tash në Kosovë, shumica me gradat Baçelor dhe Master janë gra. Një zhvillim tejet pozitiv për vendin. 

Përfundimi i mandatit të plotë qeveritar

Që nga viti 2017, qeveritë e Kosovës ishin tejet jetëshkurtra dhe të cenueshme nga krizat. Vetëm brenda vitit kalendarik 2020, Kosova pati tri qeveri të ndryshme. Por, Qeveria Kurti 2 është qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë më 2008 që përfundon mandatin e plotë qeverisës. 

Mandatet e plota mund të jenë praktikë pozitive për qeveritë, ngaqë japin më shumë kohë për zbatimin e politikave, krijojnë qëndrueshmëri institucionale, përgjegjësi më të madhe demokratike dhe nxisin reforma më afatgjata. 

Në përfundim, viti 2024 dëshmoi përparime të rëndësishme, si: liberalizimi i vizave, qëndrueshmëria politike, të dhënat e regjistrimit të popullsisë, si rritja e nivelit të arsimimit dhe fuqizimi i grave, gjë që ofron shpresë për një të ardhme më të barabartë. Moszgjidhja e krizës në veri të vendit dhe mosanëtarësimi i plotë në Këshillin e Europës tregojnë se Kosovën ende po e pengojnë sfidat e brendshme për integrim ndërkombëtar. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.