Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Për hir të dashurisë së popullit tim, nuk do të hesht”

Illustration: Big Eye

“Për hirë të dashurisë së popullit tim, nuk do të hesht” – një dokument në vitin 1990, me një titull romantik, u shpërnda ditën e Krishtlindjes. Don Peppino Diana, prift në Casal di Principe të Italisë, përmes këtij dokumenti dhe përmes punës së tij si prift kishte vendosur t’i shpallte luftë mafias. I vetëm, arriti t’i kundërvihej një sistemi tashmë të padukshëm, të paprekshëm. Këtë u mundua ta arrinte përmes fjalës, përmes një cope letre, përmes besimit.

Lufta ndaj mafias italiane, Don Peppinos ia mori jetën në vitin 1994 ku u qëllua dy herë në kokë nga pjesëtarë të mafias.

Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino janë dy prokurorët e famshëm italianë, të cilit po ashtu jetën e tyre ia falën punës dhe luftës kundër mafias italiane. Që të dy u vranë në vitin 1992, pak muaj larg nga njëri-tjetri.

Don Peppino Diana, Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino janë shembuj konkretë të heronjëve, të cilët pavarësisht nga kostoja personale vendosën t’i bënin ballë sistemit, t’i bënin ballë të këqijave që e kanë kapluar shtetin dhe shoqërinë, dhe të luftojnë me mjete të tyre për një qëllim fisnik, për një kauzë të drejtë; t’i shpallin luftë së keqes. Shembuj të tillë, shfaqen rrallë në historinë e një populli mirëpo ato lënë gjurmë.

Në këto çaste, shtetit më të ri të Evropës – shtetit tim – po i vihet në dyshim ekzistenca. I rankuar si njëri nga shtetet më të varfëra të botës, me sistem arsimor e shëndetësor të rrënuar, me ekonomi inekzistente, me sistem të drejtësisë të varur nga politika, e me klasë politike të korruptuar, nuk na ka mbetur shumë shpresë.

Të ndodhur përballë kësaj situate, të pafuqishëm për të ndërmarrë veprime të caktuara, të pafuqishëm për t’i bërë ballë këtij sistemi, kemi mbetë vetëm shikues të fatit tonë, të ardhmes sonë. Si është e mundur që një popull i tillë nuk ka nxjerrë ende një person apolitik, të pakorruptuar, e më e rëndësishmja një person i cili edhe pasi që bëhet pjesë e këtij sistemi nuk do të bjerë pre e përfitimeve personale?

Por jo për të gjithë gjithçka ka përfunduar. Në shoqërinë tonë ende përdoret shprehja e famshme “do të bëhet mirë”. Besoj se arsye e vërtetë prapa kësaj qëndron fakti se secili nga ne takon njerëz që ia duan të mirën këtij vendi: studentë të cilët studiojnë, e nuk kërkojnë notë të falur ose në rastin më të keq nuk paguajnë për një notë; punëtorë të cilët punën e tyre e kryejnë me zell, pa keqpërdorime, pa korrupsion; mjekë të cilët bëjnë çdo gjë që është e mundur të shërojnë të sëmurin, pa kërkuar para; mësues të cilët e dinë se në klasët e tyre ulen mjekët, gjyqtarët, prokurorët, politikanët e liderët e ardhshëm; prindër të cilët edukojnë fëmijët e tyre në frymën se e mira gjithmonë duhet të triumfojë dhe se ata duhet ta duan atdheun, vendin e tyre; gjyqtarë e prokurorë të cilët ushtrojnë punën e tyre tërësisht të pavarur, pa ndikime politike apo nga grupe të caktuara të interesit, e që vendosin për çështje të caktuara në bazë të provave dhe fakteve; e mbi të gjitha politikanë të cilët parësore kanë interesat e shtetit, e jo interesat personale.

Secili nga këta njerëz paraqet shpresë se ky vend do të mund të dalë nga humnera, se ka ende shumë për të bërë, se secili veprim i mirë i çdonjërit prej nesh na dërgon drejt ndërtimit të një shteti.

Qytetarët e kësaj Republike kanë nevojë për një lider, për një luftë të re, ndryshe nga ajo që e kemi parë deri më sot – vepra dhe jo premtime boshe. E ky lider jemi ne, secili qytetar i kësaj Republike i cili dëshiron të ndërtojë një shtet të fortë, ku rendi dhe drejtësia mbisundon, ku ata dhe fëmijët e tyre janë pjesë të një sistemi funksional arsimor e shëndetësor. Ku ata mund të jetojnë të qetë.

Secili nga ne është një Don Peppino, një Giovanni Falcone ose një Paolo Borselino, secili nga ne ka fuqinë e ndryshimit të kësaj shoqërie, të këtij shteti, për mirë ose për keq.

Dhe sot, duke i shpallur luftë të keqes, për hir të dashurisë ndaj popullit tim, unë nuk do të hesht dhe do të them se ky nuk është shteti që unë dua.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.