Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për nxënësit që nuk jetojnë rreth Grandit

“Po i bëjnë politikat e po marrin vendime tu mendu që krejt Kosova janë ata njerëzit që jetojnë rreth Grandit” – një komentues i panjohur në Facebook. Ky koment më ka mbetë në kokë prej ditës që e kam lexuar dhe ishte si një goditje e rëndë për realitetin që i kam krijuar vetes. Po, fatkeqësisht, është realitet që më së shumti sillet aty, rreth e përqark Grandit.

Me këtë realitet, admiroj dhe përgëzoj punën e akterëve të arsimit në Kosovë. Fillimi i mësimit në distancë (online) në kohë rekord, transmetimi në televizion dhe në faqe të internetit, tani edhe përpilimi i strategjisë për vlerësimin online me të vërtetë janë për t’u duartrokitur. I përgëzoj mësimdhënësit që po ofrojnë mundësi komunikimi me nxënësit e tyre dhe prindërit që po janë kreativë dita ditës për t’i edukuar dhe arsimuar fëmijët e tyre në këtë kohë pandemie. Të gjitha këto po i shoh në rrjetet sociale nga realiteti virtual i krijuar përmes miqve të mi në rrjete sociale.

Por, dua të kthej vëmendjen tek fëmijët dhe familjet që nuk i kam në rrjete sociale. Tek fëmijët që në këtë kohë të vështirë përballen me më shumë probleme sesa a të shikojnë sot mësimet nga televizioni në dhomën e ndenjes a në dhomën e tyre a në iPad më vonë. Tek prindërit që nuk kanë kohë dhe energji t’u kushtojnë kohë fëmijëve të tyre ngaqë janë duke u përballur me probleme financiare, dhunë psikologjike dhe fizike, orare të punës. Dua ta kthej vëmendjen tek fëmijët dhe familjet që nuk jetojnë rreth Grandit.

Po ju drejtoj rreth disa mendimeve që i kam pasë gjatë kësaj kohe.

Për të qenë mësimet në distancë (online) të suksesshme, secili nxënës duhet të ketë qasje në televizor ose në internet. Pjesa e madhe e familjeve kosovare kanë qasje në televizor dhe në internet; gjë e mirë. Mirëpo, duke konsideruar që gjatë kësaj kohe, familjet janë mbyllur të gjithë së bashku në shtëpi, interpretimi i këtyre statistikave del jashtë numrave e grafeve dhe përfshihet faktori njeri.

Të supozojmë që një fëmijë ka qasje në televizor ose në internet dhe mund të shikojë mësimet pa e ndërprerë anëtarët tjerët të familjes. Poashtu, të supozojmë që ky fëmijë ka hapësirë të mjaftueshme për të përfunduar detyrat. Por me këto supozime duhet që patjetër të kemi parasysh që jo krejt fëmijët kanë qasje në televizor ose u jepet mundësia të ndjekin me rregull mësimet, sidomos në familjet me më shumë anëtarë të mbyllur në të njëjtën shtëpi.

Nëse kanë qasje, për disa nxënës është më vështirë mësimi në distancë ngaqë u duhet të kenë ndihmën e mësimdhënësit për qartësime dhe u duhet më shumë ndihmë për përfundimin e detyrave të shtëpisë. Po e shoh që shumë mësimdhënës e ofrojnë ndihmën e tyre online, por çka nëse këta fëmijë nuk kanë qasje online? Atëherë po pritet që prindërit të marrin rolin e mësimdhënësit. Zgjidhje e mirë e problemit por çka për fëmijët e të cilëve prindërit po u punojnë edhe gjatë kësaj kohe? Vetëm shikoni se kush lejohet të dalë nga shtëpia për të punuar dhe kuptohet që nuk janë prindërit që jetojnë rreth Grandit. Në anën tjetër, çka për fëmijët që nuk i kanë prindërit e arsimuar për shkak të gjendjes socio-ekonomike; kush do t’i shpjegojë pyetjet shtesë për ta?

Por edhe nëse gjejnë ndihmë për mësime, këto raste me dhunë në familje gjatë kohës së pandemisë, a po mendoni që nuk kanë fëmijë në shtëpi? Paramendoni gjendjen tuaj tani dhe shtoni dhunën psikologjike dhe fizike, e pastaj kalkuloni se sa do të mund të arsimohet ai fëmijë në këtë situatë. Për shumë fëmijë që kanë dhunë në familje, shkolla ka qenë shpëtimi i tyre dhe koha e kaluar në shkollë ka qenë momenti i tyre i qetësisë. Tash, këta fëmijë janë në shtëpi me dhunuesin brenda dhe të pritet rezultat shkollor nga ta është absurde për ne si shoqëri.

Për të shkuar një hap më tej, në këtë situatë, i varfri po bëhet më i varfër në dituri dhe mundësi, ndërsa i pasuri më i pasur në dituri e mundësi. Kur të kthehet në normalitet, këta fëmijë me mundësi të cekëta në qasje në arsimim në distancë do të ngecin në sukses shkollor dhe kjo do t’i bëjë edhe më të shtypur në shoqëri. Andaj, është e rëndësishme që të gjithë të mundohemi të ofrojmë ndihmën tonë, me aq sa mundemi.

Për mësimdhënësit. Kujtoni se me cilin nxënës keni komunikuar më së paku dhe që mendoni se ka nevojë për ndihmën tuaj. Kushtoni vëmendjen tuaj të pashtershme këtyre nxënësve duke iu qasur përmes telefonit ose rrjeteve sociale.

Për prindërit. Pyesni fëmijët tuaj nëse mendojnë që ndonjë shok/shoqe e klasës ka nevojë për ndihmën e tyre në shpjegimin e detyrave. Inkurajoni fëmijët tuaj që ti kontaktojnë ata/ato dhe të ju ofrojnë ndihmë përmes internetit apo telefonit. Njëjtë siç iu kanë ndihmuar në klasë, vetëm se tash përmes teknologjisë.

Për politikëbërësit. Të krijohen programe plotësuese për këta fëmijë që të mund t’i arrijnë me nivel të njohurisë bashkëmoshatarët e tyre. Të ofrojnë shërbime psikologjike në secilën shkollë, sidomos për shkollat me përqindje më të lartë të këtyre fëmijëve.

Gjithashtu, për politikëbërësit që po mundohen të gjejnë metoda të vlerësimit online, do të duhej që të koncentroheshin se si të krijojnë mundësi për këta fëmijë. Ka shtete që për qejf nuk bëjnë vlerësim, e s’po besoj që për Kosovën do të bënte ndonjë ndryshim të madh nëse nuk vlerësohen nxënësit për një semestër. Për më tepër, vlerësimi me nota do të ndikonte edhe më tepër tek fëmijët me kushte më të rënda shoqërore dhe ekonomike. Ky sukses do të ndikojë në mundësitë e tyre për regjistrim në shkolla të mesme më të mira, ose në fakultetin e dëshiruar. Andaj, ndër të tjera, të rezervohen vende në shkolla të mesme dhe fakultete për regjistrimin e këtyre nxënësve ngaqë arritshmëria e tyre gjatë kësaj kohe nuk duhet t’u cenojë të ardhmen.

Si përfundim, si shoqëri duhet të bëhemi bashkë e t’u ndihmojmë fëmijëve që:

-Nuk i kanë të paktën dy televizorë në shtëpi;
-Nuk i kanë të paktën dy mjete teknologjike në shtëpi;
-Nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të studiuar;
-Nuk i kanë prindërit në shtëpi ngaqë janë duke punuar;
-Nuk i kanë prindërit e arsimuar;
-Nuk i kanë kushtet ekonomike;
-Janë duke jetuar në një ambient me dhunë fizike dhe psikologjike.

Duhet të bëhemi bashkë mos t’u shndërrohet kjo gjendje e tyre momentale në pandemi të përjetshme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.