Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Përpjekja e dështuar për sistemin e sigurimeve shëndetësore

Përpjekja e dështuar për sistemin e sigurimeve shëndetësore

Është normale që të ketë mospajtime. Është mirë që të ketë diskutim për t’ i ballafaquar këto mospajtime. Por, rreziku që i kanoset shoqërisë ku vendimet merren pa u diskutuar, është po aq i madh sa ai kur vendimet nuk merren edhe pasi janë diskutuar. Kjo e sjell shtetin në stagnim, dhe e mban aty për një kohë të gjatë.  Qytetarët/et janë lodhur nga temat e mëdha që duket që nuk i prekin direkt jetët e tyre;  nga termat si mungesa e vullnetit politik; janë lodhur edhe nga diskutimet e parreshtura. Ironia e gjithë kësaj është që edhe vet ky shkrim ka për qëllim hapjen apo vazhdimin e diskutimit për temën e sigurimit shëndetësor, që i  prek direkt jetët e qytetarëve . Dallimi është që ky shkrim synon që ta përshpetojë mbylljen e diskutimit  dhe të bëjë thirrje që të shtyhen përpara proceset, ashtu që të pajisemi, më në fund,  me sigurime shëndetësore.

Ja një historik i politikave të sigurimeve shëndetësore në Kosovë. Në vitin 2014 hyn në fuqi ligji për sigurime shëndetësore. Tre herë tentohet të niset procesi, dhe tre herë dështohet. Tani, në vitin 2017, ne ende nuk kemi pothuajse asnjë hap të ndërmarrë në implementimin e këtij ligji. Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar të fillojë  me mbledhjen e premiumeve, dhe pastaj të plotësohen kushtet tjera. Në fakt, nëse do të fillohej me mbledhje të premiumeve, pa u plotësuar kushtet tjera, atëherë ky sistem do të haste në dështim.

Plotësimi i të gjitha kushteve duhet të jetë  hap i parë për fillimin e implementimit të sigurimeve shëndetësore. Deri më tani është plotësuar vetëm një nga gjashtë kushtet që duhet plotësuar. Ende nuk është definuar lista e shërbimeve pa pagesë, nuk janë pajisur punëtorët/et si në sektorin publik edhe privat me kartela të sigurimit, dhe nuk janë dakorduar çmimet të kujdesit shëndetësor. Është përmbushur kushti për dakordim për bashkëpagesa dhe vetëm me këtë Ministria e Shëndetësisë ka propozuar të fillohet me mbledhje të premiumeve. Sistemi shëndetësor është shumë i ndjeshëm. Një dështim i një fushe do të krijonte rrezikun për dështime madhore në gjithë sistemin. Si rezultat, qasja që është përdorur për sigurime shëndetësore paraqet rrezik. Hajde të mendojmë pak cilat janë disa nga skenarët e mundshëm, po të ishte filluar mbledhja e premiumeve që nga tani.

Skenari 1: Në mungesë të transparencës, qytetarët/et ndihen të pasigurtë të kontribuojnë në sistem. Mbledhja e premiumeve nuk i arrin shifrat e projektuara, dhe kështu pas 6 muajve mbledhje të premiumeve, nuk i kemi shifrat e projektuara dhe sistemi dështon. Kjo i bie që duhet prapë të fillohet nga e para, dhe qytetarët/et prapë nuk marrin shërbime edhe pse disa prej tyre kanë kontribuar për 6 muaj. Realisht, nëse paguan 6 muaj për sigurim shëndetësor, dhe në fund të thuhet që nuk mund të kesh sigurim, kush do të kontribuonte prapë nga e para? Prandaj, në rast se ky skenar ndodh, duhet pritur edhe një kohë të gjatë, ashtu që qytetarët/et t’a harrojnë këtë tentativë dhe të mund të fillohet prapë. Pas 10 vjetësh mund të kemi sigurime shëndetësore… ndoshta.

Skenari 2: Fillon mbledhja e premiumeve, dhe pas 6 muajve pajisen qytetarët/et me kartela. Qytetari/ja shkon në spital për të marrë shërbim, dhe pasi që nuk është treguar se cilat shërbime janë të mbuluara nga sigurimi, ai/ajo mund të përfundojë duke paguar prapë. Kjo e bën që qytetari/ja të humb besimin në të gjithë sistemin, dhe të mos kontribuojë më. Duke qenë se shtylla kryesore e sistemit janë kontribuesit/et, çdo humbje e besimit nga ata paraqet rrezik të madh. Për këtë arsye, lista e shërbimeve, është vendosur si kriter ligjor.

Skenarë tjerë të mundshëm do të na  na shpienin tek i njëjti konkluzion –  dështimi i sistemit shëndetësor. Tash të flasim se si mundemi t’i evitojmë këta skenarë, dhe cilat hapa të mirren për të siguruar që ta kemi një që e rregullon sistemin shëndetësor.

Prandaj, duhet të fillohet me këto hapa: (1) përmbushja e të gjitha kriterereve të parapara me ligj, (2) transparencë aktive për t’ u siguruar që qytetarët/et e kuptojnë saktësisht çfarë do të jenë benefitet dhe kostot e sigurimeve shëndetësore, (3) të organizohen kampanja vetëdijesuese, sidomos për bizneset, për të treguar benefitet që sigurimet i ofrojnë, (4) të promovohen sigurimet si mënyrë për t’i inkurajuar punëtoret/et që nuk kanë kontrata të kërkojnë të formalizohen, dhe (5) të rriten resurset e nevojshme për të luftuar informalitetin në biznese. Kjo e fundit nuk është domosdo e lidhur direkt me sigurimet shëndetësore. Nëse përcillen këta hapa, shancat që të dështojë ky sistem do të jenë shumë më të vogla, se sa me ato që është menduar deri tani.

Është e turpshme që nuk kemi ende sigurime shëndetësore. Është për keqardhje që 3 vite që nga hyrja në fuqi e një ligji ende nuk kemi ndonjë hap rreth implementimit të tij. Por, kjo nuk është e papritshme, sepse jemi mësuar të bisedojmë njëherë gjatë, t’ i shtyjmë sa mundemi vendimmarrjen deri në pikën e fundit, dhe më pas të marrim vendime që nuk i zbatojmë. Kjo besoj që duhet të përfundojë, dhe sigurimet shëndetësore do të ishin hap i mirë për të filluar këtë ndryshim, për këdo që e bën qeverinë.

______________

Ky shkrim është përgatitur në kuadër të kornizës të platformës “FOL Hapur” që mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA. Përmbajtja e këtij shkrimi është krejtësisht përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si diçka që reflekton pozicionin e Zyres Zvicerane për Bashkëpunim ose të Departamentit Zviceran për marëdhënie të jashtme.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.