Tek porta e Skëterrës, për kundruall
Të dy kanatave, që mbetën hapur
Qysh kur Mëkata ja kishte çelur Djallit,
Qëndronte Vdekja bashkë me Mëkatën.
John Milton, “Parajsa e humbur”
Moderniteti është konsideruar si një gjenerues mjaft i madh i minisistemeve brenda sistemit të tij të madh, siç njihet edhe si ‘projekti moderna’. Individi do të gjendet përballë shumë të panjohurave. Horizontet që ishin hapur për individin ishin shumë shpresëdhënëse, por edhe të paqarta. Në këtë periudhë, shoqëri të ndryshme u bënë cak i ideologjive të ndryshme. Disa premtonin parajsën në qiell, e disa parajsën në tokë. Paradoksalisht në emër të lirisë që u premtonin, burgoseshin shoqëri të tëra. Pra, në emër të këtyre parajsave, ferri u bë ‘miku’ i tyre më i afërt. Premtonin se do ta rinonin botën, do ta bënin më të mirë, madje të përsosur. Mirëpo, e vetmja gjë që arriti pothuajse të përsoset ishin mjetet për shfarosje. Pra, nuk përfillej fakti se bota është shumë plakë për t’u rinuar, apo siç shprehet Amin Maalouf se: “Bota është një makinë e ndërlikuar që nuk mund të zbërthehet me një kaçavidë” (Identitete vrastare). Në këtë ndërlikueshmëri njerëzit kishin problem ta merrnin fatin e vet në duart e tyre, dhe shpeshherë gjatë historisë ata u gjendën të vetmuar. Dorëzimi i fatit tek një autoritet apo udhëheqës i ndryshëm, të cilët kinse u garantonin siguri dhe mirëqenie, jo rrallëherë njerëzit i ka dërguar drejt vdekjes.
Aldous Huxley pohonte se: “Ne jetojmë bashkë, veprojmë dhe reagojmë ndaj njëri-tjetrit; por kurdoherë dhe në çdo rrethanë jemi të vetmuar. Martirët dalin dorë për dorë në arenë, por kryqëzohen të vetëm. Përqafuar dashnorët, më kot orvaten t’i shkrijnë ekstazat e tyre ishullore në një vetëtranscendence. Për nga vetë natyra e tij, çdo shpirt i trupëzuar është i dënuar të lëngojë e të shijojë në vetmi” (Brave New World). Sipas Huxley-t pavarësisht afërsive të çfarëdoshme ne jemi të ndryshëm n’raport me njëri-tjetrin. Veçantia që kemi me njëri-tjetrin, është e përbashkëta jonë.
Prandaj, pothuajse rreziku më i madh për individin në shoqëritë moderne ka dalë të jenë format e ndryshme ideologjike, të cilat mundohen që individin sa më shumë ta shkrijnë në masë, derisa të bëhet i pavërejtshëm. Mirëpo, me zhbërjen e metarrëfimeve, bien edhe struktura të ndryshme ideologjike, por jo edhe mendësia si e tillë. Ajo ishte dhe do të mbetet aty për aq kohë sa ne nuk do të kemi ‘nevojë’ për të. Në shoqëritë e pazhvilluara, një mendësi e tillë qëndron e ndezur sikur zjarri që fshihet nën hirin e tij.
Edhe sot ka nga ata që këtë ‘bishë’ të fjetur tentojnë ta zgjojnë, ta rikthejnë në mesin tonë, jo për gjë, por vetëm e vetëm për pasionin e tyre të shfrenuar për pushtet. Mbase në shoqëritë sikur kjo e jona shpeshherë bëjnë të fryjnë erëra që ky zjarr të përhapet. Si një shoqëri me një traditë të shkurtë etatiste dhe konstitucionaliste, me një demokraci të servuar, por të brishtë jemi pre e lehtë për ideologji të ndryshme, qoftë religjioze, qoftë politike. Andaj, brishtësia jonë në këtë aspekt, është një lehtësim për ideologjitë të tilla, sepse duke marrë parasysh traumat nëpër të cilat kemi kaluar, emocionalisht jemi të papërmbajtshëm karshi ofertave të tilla. Një shoqëri (siç jemi ne) që ka një brishtësi të tillë, që osilon në mes të korruptuarve, hajdutëve, kriminelëve dhe diktaturës qoftë religjioze, qoftë politike, pa dyshim se në këtë ofertë gjithsesi do të dështojë në secilin variant të dhënë. Prandaj, ne duhet të zgjedhim përtej këtyre ‘ofertave’, duhet që të ngulmojmë mbase me çdo çmim që ta kapim shansin dhe mos të rrëshqasim në hendek.
T’i ikësh demokracisë liberale, është t’i ikësh dëshirës dhe vullnetit për të qenë shoqëri e denjë. T’i ikësh kësaj rruge, do të thotë të mbesësh pa rrugë. Ç’është e vërteta të gjitha palët janë për t’u kritikuar madje dhe zëshëm për mënyrën e funksionimit të demokracisë në vendin tonë, por jo për ta përmbysur atë. Mirëpo, si do që të jetë, po ta vështrojmë sistemin (neo)liberal, edhe në kontekstin global, ai ka bërë që individi përveç që të ndryshojë pozicionin e tij në botë, të afirmohet edhe kulturalisht. Zhvillimi i demokracisë së individit i ka hapë shanset që të bëjë një jetë sa më të mirë. Demokracia si garantuese e të drejtave individuale ka bërë që njeriu të ketë një status mjaft të fuqishëm në shoqërinë bashkëkohore. Zhvillimet e hovshme që kanë ndodhur i kanë hapë horizonte të reja dhe i kanë krijuar mundësitë operimit sa më të thellë edhe në zbulimin e formave të qeverisjes sa më efikase. Demokracia si një sistem i pandashëm nga liberalizmi ka prodhuar dhe po prodhon efekte mjaft afirmuese për individin dhe si e tillë është etabluar si sistemi qeverisës aktual dominues në botën bashkëkohore. Tendenca e një drejtësie sa më të barabartë, si dhe insistimi në liri veprimi sa më të madhe ka krijuar një frymë mjaft tolerante që nuk ka ekzistuar më herët, po ashtu ka bërë që shoqëria bashkëkohore të jetë më komunikative dhe më humane.
Prandaj, mos ta lëshojmë këtë rrugë, mos ta lëshojmë këtë shans. Mos të lejojmë që shansi ynë të bëhet shansi i atyre ideologjive që interes të vetëm kanë pushtetin për të shtypur. Të bëhemi të vëmendshëm, që të jemi të lirë.
__________________
Foto: Docteur Dylan