Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Përvoja shqiptare nuk lë hapësirë për të shpresuar tek ndërhyrja e shtetit në ekonomi

Illustration: Big Eye

Përvoja shqiptare nuk lë hapësirë për të shpresuar tek ndërhyrja e shtetit në ekonomi

Një ndër gjërat që më çudit më shumë në Shqipëri është dominimi i mentalitetit etatist në kushtet kur ne shqiptarët jemi qytetarë që kemi vuajtur më së shumti nga shteti totalitar e kemi përfituar nga iniciativa private. Në Shqipëri ende sundon një bindje kolektive etatiste që e shikon shtetin si lopë të madhe për ta mjelë dhe presin prej shtetit të sjellë zgjidhjen e të gjitha problemeve personale. Për shumicën e qytetarëve shqiptarë shteti është burimi kryesor i problemeve kryesore, por njëherazi shikohet edhe si burimi kryesor potencial i zgjidhjeve.

Padyshim që shteti ka një përgjegjësi të madhe për kushtet e qytetarëve të Shqipërisë dhe mungesa e shumë reformave dhe shërbimet e dështuara thelbësore të shtetit në sistemin e drejtësisë, rendin publik apo në administratën publike janë ndër shkaktarët kryesorë të prapambetjes së vendint tonë. Mirëpo duhet thënë që më shumë sesa nëpërmjet dështimit e mangësive, shteti e dëmton ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve nëpërmjet ndërhyrjes së motivuar shpesh prej interesave personale abuzive të politikanëve apo taktikave elektorale. Dëmi që shkakton ndërhyrja e shtetit në ekonomi nuk merret aspak në konsideratë nga qytetarët shqiptarë edhe pse e kemi provuar në kurrizin tonë shkatërrimin e mjerimin, që sjell zhveshja nga prona private dhe krijimi i një ekonomie të centralizuar të planit.

Kur flitet për etatizëm, është e kuptueshme deri diku për një banor të Gjermanisë apo Japonisë për të pasur një bindje e dashuri të madhe për ndërhyrjen e shtetit. Në këto shtete ekzistojnë disa elemente kulturore si etika e lartë e punës apo përkushtimi ndaj kolektives të cilat bëjnë të mundur një nivel të lartë efikasiteti në sektorin publik. Pra për ta ilustruar më konkretisht, banorët e Gjermanisë shikojnë një menaxhim aq eficient të ndërmarrjeve shtetërore sa trenat apo tramvajet shtetërorë mbërijnë me përpikmëri mahnitëse në destinacion. Pajisjet elektronike nëpër stacionet gjermane tregojnë numërimin mbrapsht dhe trenat mbërrijnë me përpikmëri sekondash. Këto përvoja në këto vende e bëjnë të lehtë që të kultivohet iluzioni se në kushtet edukimit me etikë të lartë profesionale e sens përgjegjësie publike, sektori publik mund të konkurrojë në cilësi dhe efikasitet me sektorin privat.

Mirëpo përvoja apo përjetimet e shqiptarëve janë krejt të kundërta. Pothuaj asgjë shtetërore në Shqipëri nuk funksionon siç duhet e lëre më që të pretendohet që të funksionojë me efiçiencë e nivel të lartë profesionalizmi. Madje shqiptarët kanë përjetuar në të kaluarën e tyre një rast klasik të dështimit total të ekonomisë së komanduar e centralizuar shtetërore. Aq dështake ishte kjo ekonomi shtetërore në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë sa vetë regjimi i Ramiz Alisë u detyrua të pranonte dështimin e ekonomisë së planifikuar duke mbyllur ndërmarrje shtetërore të falimentuara dhe duke rikthyer në mënyrë të pjesshme pronën private.

Kështu në fund të viteve 80, qeveria e fundit komuniste shqiptare, u ballafaqua me mungesën totale të rentabilitetit të fabrikave u uzinave të shumta të ndërtuara e vëna në punë në mënyrë centralizuar. Prandaj u detyrua nga zori që ta pranonte se një pjesë të mirë të industrisë dhe të paguante punëtorët me 80% të rrogës. Pra një lloj flamuri i bardhë dorëzimi i heshtur. Një gjë e ngjashme u bë asokohe edhe në fushën e bujqësisë. Regjimi komunist u detyrua të shkonte kundër ideologjisë së vet dhe për të përballur zinë e bukës në zonat rurale, u ktheu familjeve fshatare dy dynym tokë private dhe nëse kishin shumë anëtarë u ktheu një lopë private. Pra aq joefikase ishte ekonomia e komanduar nga shteti sa vetë shteti komunist u detyrua të hiqte dorë nga dogma themelore e të pranonte domosdoshmërinë e pronës dhe nismës private.

Në vazhdim të përdorimit të rastit ilustrativ të trenave shtetëror funksional gjerman, trenat shqiptarë shtetërorë janë pothuaj inekzistent. Pra po të shikojmë një shërbim publik të rëndësishëm sikurse është transporti publik ne shohim se hekurudha shqiptare që është pronë shtetërore, ofron një shërbim primitiv dhe shfrytëzohet nga shumë pak qytetarë me shumë humbje të mbuluara nga taksapaguesit. Ndërkohë shohim që pothuaj të gjithë qytetarët e interesuar që nuk disponojnë automjete private, përdorin me kënaqësi transportin privat i cili jo vetëm që nuk i kushton aspak buxhetit shtetëror por sa vjen modernizohet e përmirësohet dhe mbulon nevojat e pjesës më të madhe të konsumatorëve anembanë vendit. Kjo do të thotë që po të jetonim në Gjermani e të gjykonim bazuar tek eficienca e trenave shtetërore, do kishim arsye të forta për të besuar ende tek ekonomia shtetërore. Por përvoja shqiptare nuk ka sesi të japë ndonjë shpresë se sektori shtetëror mund të jetë efikas, madje përkundrazi.

Po të shikojmë për shembull shërbimet shëndetësore shtetërore, gjendja vazhdon të jetë dramatike. Edhe pse po mbyllim dekadën e tretë të tranzicionit, spitalet shtetërore karakterizohen akoma nga mungesa në barna, pajisje, përkushtim dhe abuzime të panumërta. Nga ana tjetër sistemi i stomatologjisë është privatizuar që në fillim të viteve 90 dhe sot dentistët privatë ofrojnë shërbime nga më cilësoret me çmime nga më të ndryshmet të përshtatshme e të përballueshme për të gjitha shtresat. Madje Shqipëria është duke kultivuar një lloj turizmi dentar për vendet fqinje duke ofruar çmime të leverdisshme dhe shërbime bashkëkohore.

Kuptohet që ka shumë shërbime publike të dhëna nga operatorë privatë, të cilat lënë për të dëshiruar, por kjo ndodh pothuaj gjithmonë në ato sektorë të ekonomisë që janë të rregulluara apo të kontrolluara nga shteti ose që kanë tipare të monopolit natyror apo teknik. Pra janë disfunksionalë bizneset private në sektorë të ekonomisë sikurse janë energjia apo më saktë karburanti të cilat janë super të rregulluara prej shtetit duke favorizuar një grusht njerëzish me lidhje të mira politike. Po ashtu disa sfera të tjera të ekonomisë privatë sikurse janë minierat apo telefonia, janë monopole natyrore e teknike e në to është vështirë që të kesh konkurrencë të mirëfilltë.

Nga ana tjetër ne dallojmë se në segmente të tjera të ekonomisë, ku kemi konkurrencë intensive të natyrshme, kosto të ulët të hyrjes në treg, larmi të madhe aktorësh dhe nivel të kufizuar të rregullimit prej shtetit, sipërmarrjet private po shkëlqejnë. Kështu për shembull, turizmi me gjithë rrëmujën, pengesat e shumta apo problemet që ka, është duke pasur një sukses të mirëfilltë falë konkurrencës së madhe dhe numrit të madh të aktorëve. Nuk duhet ndonjë ekspertizë e madhe për të vënë re se si shkëlqen sektori i restoranteve private në Tiranë duke bërë që raporte të mediave të njohura në fushën e turizmit e udhëtimeve si National Geographic dhe Lonely Planet e kanë renditur Shqipërinë si vendin më të mirë në Evropë për të konsumuar ushqim cilësor me minimumin e çmimit. Të njëjtin shembull lulëzimi e suksesi mund ta gjejmë të replikuar në shumë raste apo sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare ku shteti nuk fut duart e ku i jepet shansi konkurrencës që të luajë rolin e vet.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.