Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Polarizimi politik gjatë pandemisë dhe ndikimi në punën e OShC-ve

Ironikisht, Kosova përjetoi jostabilitetin më të madh politik gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Në periudhën mes 2020-2021, Kosova përjetoi ndryshimin e tri qeverive, nga Albin Kurti (mars 2020) te Avdullah Hoti (qershor 2020), e pastaj prapë te Kurti (mars 2021).

Kriza politike në njërën anë u shkaktua nga pandemia, ndërsa në anën tjetër pandemia u shfrytëzua për përfitime politike.

Polarizimi politik në vend betonoi kriza të vazhdueshme. Masat e ndërmarra për ta menaxhuar numrin e të infektuarve me COVID-19 ndikuan direkt në jetën e qytetarëve. Kosova është vendi i vetëm në Evropë i cili gjatë pandemisë përdori mocion mosbesimi, rrëzoi dy qeveri, kaloi në krizë institucionale e kushtetuese dhe mbajti dy palë zgjedhje.

Sikur kjo të mos mjaftonte, dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitija, për të garuar në zgjedhje lokale ia vuri kapakun këtij muhabeti. Kjo tregon qartazi nivelin e (mos)përgjegjshmërisë së politikanëve kosovarë ndaj qytetarëve.

Ballafaqimi institucional ndaj krizës shëndetësore në terma të kufizimit të lirive themelore krijoi një dramë globale. Megjithatë, shtetet me demokraci të mirëfillta arritën që ta bëjnë limitimin e lirive individuale në harmoni me kushtetutën e tyre respektive dhe parimet ndërkombëtare.

Në rastin e Kosovës, kriza politike dhe polarizimi i skajshëm politik bëri që dy pjesët e ekzekutivit të binin ndesh me njëri-tjetrin sa u përket përmasave të kufizimit të të drejtave të njeriut, e si pasojë u cenua demokracia.

Vendimet e Qeverisë Kurti I për menaxhimin e pandemisë dhe masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, përfshinin kufizim të lirisë së lëvizjes, kufizim të tubimeve dhe orë policore, ndër të tjerash.

Këto masa nuk ishin në proporcion me të drejtat e njeriut, të cilat i garanton akti më i lartë juridik në vend, me ç’rast shtynë presidentin e atëhershëm, Hashim Thaçi, të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që të ndërhyjë.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se këto vendime ishin jokushtetuese, duke argumentuar se masat nuk ishin të parashkruara me ligj dhe kështu shkelnin liritë individuale. Ndërkaq ish-presidenti Thaçi propozonte të shpallej gjendje e jashtëzakonshme, gjendje e cila do të përfshinte mobilizim të Forcës së Sigurisë të Kosovës në të gjithë vendin.

According to Nenit 131, paragrafi 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, definohet se me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, kompetencat ekzekutive i kalojnë Këshillit të Sigurisë, i cili sipas Kushtetutës, gjatë gjendjeve emergjente drejtohet nga presidenti.

Në parim, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme mund të arrihet vetëm nëse plotësohen kushtet të cila i parasheh Kushtetuta, ndër to koordinimi i presidentit dhe kryeministrit për një vendim të tillë. Thënë ndryshe, propozimi i Thaçit nuk mund të kishte sukses pa miratimin e Kurtit.

Kërkesa e presidentit pati ndikim thelbësor në relacionin LDK-LVV, ku ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, mbështeste plotësisht propozimin e Thaçit. Veliu, ndër të tjerash, ishte një figurë mjaftë e rëndësishme brenda LDK-së dhe gëzonte influencë brenda partisë. Pozicionimi i Veliut mbi këtë çështje u pasua me shkarkim nga pozita e ministrit, gjë e cila intensifikoi mosmarrëveshjet brenda koalicionit të brishtë LVV-LDK. Si kundërpërgjigje, LDK-ja inicioi mocion mosbesimi ndaj Kurtit, gjë që rezultoi me rrëzimin e Qeverisë.

Tutje, duke konsideruar se legjislacioni i atëhershëm nuk lejonte kufizim të lirive në përmasa drastike dhe hendeku ligjor ishte më se ekzistues, pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese në raport me vendimet e Qeverisë Kurti I, Kuvendi miratoi Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Kriza politike dhe institucionale gjithashtu pati ndikim në punën e organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave.

Në një hulumtim të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS), evidentohet se puna e organizatave të shoqërisë civile (OShC) u ndikua në përmasa të mëdha. Kufizimet financiare dhe kufizimet në lëvizjen e lirë prekën dukshëm punën e OShC-ve.

Sa i përket fushës së avokimit, OShC-të u detyruan t’i bartin aktivitetet në formën online, aktivitete të cilat patën vështirësi në arritjen e efikasitetit të tyre.

Një tjetër ndikim negativ ishte reduktimi i fondeve për zbatimin e projekteve. Reduktimi i fondeve si pasojë e paqartësisë së vazhdimësisë së zbatimit të projekteve çoi në reduktim të stafit. Dihet se qëndrueshmëria e OShC-ve varet nga fondet dhe kjo situatë krijoi rrezikshmëri të lartë sidomos për organizatat e vogla.

Duke marrë parasysh se realizimi i aktiviteteve në terren ishte i pamundur, OShC-ve u është dashur t’i ristrukturojnë aktivitetet e tyre dhe t’i rialokojnë mjetet. Për më tepër, mungesa e granteve fleksibile për t’u përshtatur me situatën krijoi sfida të mëdha për funksionimin e OShC-ve.

Tutje, mosbashkëpunimi i institucioneve publike me OShC-të rezultoi në kufizim të qasjes në dokumente publike dhe informata të cilat mbahen nga institucionet. Niveli i ulët i përfshirjes së OSHC-ve në proceset vendimmarrëse ndikoi negativisht në transparencë dhe llogaridhënie.

OShC-të nuk u përfshinë as në pakon e rimëkëmbje ekonomike. Përderisa bizneset u ndihmuan nga Qeveria, OShC-të nuk patën asnjë ndihmë financiare për t’u përballuar me pasojat e pandemisë.

Si përfundim, kriza politike dhe polarizimi i skajshëm politik veç krijuan barrë shtesë për qytetarët dhe efekte negative në menaxhimin e pandemisë. Krizat e shumëfishta të pandemisë, politike e kushtetuese, ndikuan negativisht edhe në punën e OSHC-ve.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Rritja e reagimit të institucioneve të Kosovës në adresimin e pasojave socio-ekonomike dhe politike të COVID-19, përmes prodhimit të rekomandimeve të politikave të bazuara në prova”, mbështetur nga Balkan Trust for Democracy.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.