Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Probleme identitare

Smuja ma e randë prej të cilës lëngon shoqnia jonë asht korrupsioni. Korrupsion ka kahmos: në qeveri, në gjykata, në spitale, në burgje, në polici, nëpër shkolla e në çdo skutë tjetër publike. Ama, korrupsioni duhet me u lypë tjetërkund. Bash aty ku s’asht. Në familje.

Shoqnia jonë nuk asht qaq fisnore, sa familjare. Pra, asht e përbame prej mijëra familjeve që funksionojnë pak a shumë si monadat e Leibniz-it, pa dyer por me dritare, në nji harmoni të mbasvendosun. Dritarja asht mjeti kryesor i saj. Ajo i mundëson me kqyrë tuj mos qenë e kqyrun. Dritare fort e sofistikueme asht televizori (për internetin s’po flasim). Ky aparat, e zgjaton shikimin e familjes përtej kojshive, në pjesët kryesore të shoqnisë. Dhe natyrisht, e lejon me u shkri në komoditetin e privates. Intimiteti mbarohet kur nuk je i kqyrun prej tjetrit. Para pasqyrës. Aty adhurohet tinxa vetja. Aty pozon. Kanjiherë tu’ i ngre edhe statuja vetes, tu’ e fotografu, tu’ e heroizu, tu’ ia himnizu edhe veprimet ma banale, edhe gjestet ma të shëmtueme. Pasqyrë mun’ me qenë nana, baba, motra e vllai. Ose krejt bashkë. Vetja asht familja. Tjetri asht shoqnia. Kjo asht logjika.

Dreqi flen në pjesët e pavështrueme të qenies. Natyrisht që ai s’ekziston. Ama tmerron edhe tuj mos ekzistue. Dreqi flen, në momentet tona para pasqyrës, para telefonit para se me shkrepë “selfie-n”, kur luejmë me ftyrën tonë. Dreqi flen në momentet kur andrrojmë për veten, kur masturbojmë, kur shkrihemi në fantazitë tona sekrete.

Dreqi flen edhe te kto familje kur ato nuk përballen me shikimin e tjetrit. Në momentet ma intime. Kur s’ka mysafirë. Ose kur ata shkojnë. Ose, kur nuk pritet me ardhë. Pritja e mysafirit, ose e mikut (si në kanun) asht në fakt, pritje e shikimit të tjetrit (aq shumë të munguem). Zgjidhet pra, poza që dojmë me kallxu: zgjedhet veshja, rregullohen orenditë, disiplinohet goja etj. Miku ishte zot në kanun, veç tuj qenë tjetri, veç tuj qenë shikues. Kanuni e shtron kërkesën familjare për pozë. Kanuni e ngre mikpritjen si nji pritje të shikuesit, të atij që ka me pa begatinë e sofrës, bukurinë e pozës. Paramendojeni sa i randsishëm ishte mysafiri në tanë atë ngujim. Kanuni e fetishizon mikun veç si shikues, si tjetrin, si nji qenie esencialisht të ndryshme prej nesh. asht bartë edhe në familjet tona. Nuk asht veç gjakmarrja mbeturinë kanunore. Ani pse situata ka ndrru, mbetje të shumta duken gjithandej.

Ardhja e vlerave të reja, teshave të reja, sjelljeve të reja, mendimeve të reja, me nji fjalë, perëndimorizimi i shoqnisë tonë, ka çu drejt nji përpunimi të themeltë të intimitetit familjar, dhe të pozës familjare. Sjellja ndaj mikut, tash e këndej asht shumë ma delikate. Nuk mjafton ma thjesht kallximi i pasunive, sendeve të ndryshme me vlerë, stolive, armëve, teshave, ushqimeve e moralitetit. Poza e sotme asht shumë ma e stërhollueme. Kjo pozë nuk e mshefë ma në tanësi, krejt intimitetin familjar. Kallxohet madje si me kreni, lazdrimi i nji fmiu, fjalori i ndytë, sjelljet e këqija, gjana tjera. Si e ktillë, kjo pozë lypë ma shumë mundim dhe kështu stërvitë e stërvitë, që me vazhdu poza e familjarëve edhe në rrugë, edhe kudo që ndodhen, kudo që punojnë.

Edhe të korruptuemit i duhet me pozu si i moralshëm. Dhe poza, të korruptuemit tonë, i del perfekte.

Nejse, t’i kthehemi intimitetit familjar. Ky intimitet familjar, shumë ma i thellë tashma falë vlerave të reja, e formon nji lidhje të pashkoqshme midis antarëve të familjeve. Çdokush tjetër, çdo jofamiljar kundrohet si tjetri. Dhe natyrisht, marrëdhania me shoqninë krijohet me njifarë nervozimi e hezitimi, me njifarë dëshire ngulmuese që e shtyn kohë mbas kohe familjarin me u kthy mbrapsht te familja.

Shoqnia jonë asht familjocentrike. Natyrisht, ktu ka pasë ndikim të madh kanuni ngujues fillimisht, e mandej edhe rrethanat e ndryshme politike, ekonomike, infrastrukturore e ku ta di unë. Hala, çdo send graviton përreth familjes. Ose ma mirë me thanë: çdo send gravitohet nga familjet. Aty ekspozohet çdo diplomë, çdo lavdatë, çdo arritje e secilit. Njeriu s’mundet me rrnu pa pasqyrë. Sidomos kur zbukurohet.

Shoqnia moderne ndërkohë, për nga natyra e saj msyn defamiljarizimin. Kshtu, ajo e shfaqë veten dhunshëm. Hezitimi dhe refuzimi i mahershëm ndaj saj, kthehet kshtu në nji refuzim të msheftë por të vazhdueshëm. S’lindë kështu pikë empatie për shoqninë. S’i jepet përgjegjësi asaj. Ka veç vjelje përfitmesh. Korrupsion. Dhe natyrisht, dashni të madhe për simbolet e festat kombtare dhe shtetnore si borxh për jo dashninë konkrete ndaj shoqnisë. Ndjenja jonë kombtare nuk shtrihet matanë simboleve. E simbolet, i shërbejnë pozës. Qashtu edhe festat. Në intimitet, nuk ka dashni për kombin a shoqninë por veç për veten.

Shoqnia jonë e ka nji karakter thellësisht familjar, në të cilin ndihet era e kanunit të dikurshëm. Madje, perëndimorizimi ynë, perëndimorizimi i ktij karakteri çon drejt nji përpunimi të matejmë të ktij karakteri. Mbase nuk asht paralelja e duhun ama mun’ i përmendim familjet mafioze italiane në Amerikë të cilat, në nji masë, e stimulonin logjikën e naltpërmendun: familja-vetja/shoqnia-tjetri. Dhe e dimë poashtu, se në ato familje stimulohej dhe legjitimohej kriminaliteti. Njifarë minikriminaliteti stimulohet edhe nga familjet e shoqnisë tonë ish-kanunore. Dëshirohet nji karakter i zhdërvjellët, i gjallë, pëlqehet nji fjalor sa ma i ndytë, kanjiherë përdoret si pa të keq etiketa “mafi”, e dëshirime tjera që thu se janë marrë nga përshkrimet e bash atyne mafiozëve të urrejtun.

Deri ktu, punuem me dy terma të ndryshëm: intimitet dhe pozë familjare. E para kallxon thelbin antishoqnor të familjes, që çon në formimin e nji karakteri thellësisht privat, ose antipublik. E dyta, poza, asht thjesht nji mnyrë e prezentimit e dervivueme që prej kanunit. Ajo, e prezenton nji moral të sipërfaqshëm, në të cilin kjo familje në realitet nuk beson. Pra, statistika e ASK-së ku dilte se rinia kosovare asht e virgjër, nuk asht e vërtetë. Moralet që i prezenton poza familjare janë të rreme. E pra, secila pozë familjare që vështrohet, duhet me u kuptu si nji mburrje, si dekorim i gjallë i realitetit, si mshefje. E vetmja e vërtetë e pozave asht dashnia për familjen. Kjo ndamje aq e thellë, midis pozës ose mnyrës qysh e shfaq familja veten para të tjerëve, dhe intimitetit të saj asht karakteristikë e shoqnisë tonë. Sepse po e përsërisim, ndamja midis tyne (pozës dhe intimitetit) asht tepër, tepër e thellë.

Padyshim, nji karakter i ktillë familjar, thellë familjar, çon në nji marrëdhanie të njianshme me shoqninë ku msyhet veç marrja dhe jo dhania. Besoj që ktu shihet krejt kjartë, mungesa e frikshme e ndjenjës për të përbashktën, për shoqnoren, për parqet, rrugët, shkollat, burgjet e të tjera.

Edhe Platoni, filozofi i lashtë grek, e hetonte qysh para dymijekatërqind vjetësh karakterin korruptues të familjes. Në shtetin e tij ideal, ai kërkonte me vendosmëni që familja të zhdukej. Natyrisht, asht e pamundun që familja me u zhdukë në tansi. Veçse asht e domosdoshme që me u kritiku në vazhdimësi familja, në shoqninë tonë. Veç kshtu, e nisim përnjime’ luftën kundër korrupsionit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.