Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Probleme zgjedhore

Këtu do t’i trajtoj problemet kryesore në këto zgjedhje. Për shkak të ndarjes së skenës politike në dy kampe kryesore, retorika politike ishte nxehur mjaft shumë gjatë fushatës. Fatkeqësisht kemi parë edhe veprime nga KQZ për shtypjen e votës, dhe fushatën e Listës Srpska për të zaptuar ulëset e rezervuara për komunitetet joserbe, që e njollosën mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Si pikënisje e kam atë që e quaj “Modeli Trumpist” i shtypjes së votës, e që na shërben për ta kuptuar atë që ndodhi me votën me postë që luajti rol të madh në këto zgjedhje.

Shtypja e votës

Modeli Trumpist i shtypjes së votës dhe parregullsive zgjedhore tashmë mund të vërehet në Kosovë. Tiparet kryesore kryesore të tij janë: Diskreditimi i votimit me postë dhe votuesve me postë (shih debatin për diasporën që ringjallet shpesh); Instalimi i rregullave të reja burokratike për ta bërë më të vështirë votimin (p.sh. konfirmimi përmes telefonit); Bërja më e vështirë për votat të mbërrijnë në kohë (p.sh. duke vonuar kryerjen e obligimeve si botimi i fletëvotimeve e listave dhe duke ngadalësuar zyrat postare); Përpjekjet për skualifikim të votave me postë; Përpjekjet për të parandaluar dhe vonuar proceset e çertifikimit; Mohimi i humbjes së zgjedhjeve.

Në këtë rast votuesit që votojnë me postë janë kryesisht diasporë të cilët pritet të mbështesin opozitën (LVV). Tre tiparet e fundit të këtij procesi ndodhin gjatë dhe pasë numërimit të votave, edhe pse ka pasë raste të mohimit të së drejtës për të votuar për arsye ‘byrokratike’ si psh mospërgjigjja në telefon. Një problem tjetër ishte lënia jashtë listave të votuesve e disa mërgimtarëve, të cilët nuk ishin as në listën e votimin me postë as në atë të votimit në vendvotim. Sa i përket çertifikimit, vonesa kemi parë të kenë ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2019, mes tjerash për shkak të ankesës së NISMA-s për rreth 3700 vota të ardhura nga Serbia e të cilat bënin diferencën mes kalimit e moskalimit të pragut nga NISMA. Me numrin rekord të mbi 102 mijë votuesve të regjistruar nga diaspora, doli që numri i votave që shpallen të pavlefshme të jetë i lartë (rreth 29%). Një problem që duhet theksuar këtu është se përdoren standarde të dyfishta, ku shumë vota me postë janë diskualifikuar për shkak të dokumentacionit të skaduar, kur KQZ kishte vendosur që votuesit në vendvotime të lejohen të votojnë me dokumentacion të skaduar. Caku i modelit Trumpist në fakt ishte që i tërë votimi me postë të shpallet i pavlefshëm, ku Trump i kishte nxitur votuesit e tij të mos votojnë me postë. Alarmin për malverzime të mundshme e ka ngritur edhe vetë ish-drejtori paralel i postës së Kosovës, Nojkiq. Dhe, në kundërshtim me praktikat e shteteve demokratike, afati i pranimit të votave me postë u caktua dy ditë para ditës së zgjedhjeve. Kurse mohimi i humbjes nuk ndodhi sepse rezultati ishte mjaft i qartë, me gjithë faktin se pati deklarime të partive në pushtet se ato do të jenë në qeveri pamvarësisht se cila parti del e para në zgjedhje, që sugjeron që ato shpresonin ta formojnë prapë qeverinë së bashku duke i mohuar koalicionin qeverisës partisë fituese që pritej të ishte LVV.

Një problem tjetër që ndodhi gjatë ditës së zgjedhjes ishte edhe mungesa e fletëvotimeve në disa vendvotime në komunën e Prishtinës. Shumë qytetuar u kthyen në shtëpi pa votuar për shkak të kësaj. Dhe ky është një problem që KQZ nuk duhet të lejojë të përsëritet.

Zgjerimi i ndikimit të Listës Srpska

Njolla më e madhe e këtij procesi zgjedhor doli të jetë keqpërdorimi i vendeve të rezervuara për pakicat nga Lista Serbe. Duke përkrahur partitë lojale ndaj tyre, Lista Srpska ka siguruar edhe katër deputëtë të pakicave joserbe përveç 10 deputetëve të pakicës serbe. Kishte ankesa për votim të shumëfishtë nga komisionerë zgjedhor. Indikacion tjetër për përpjekje për parregullsi është se votat e serbëve të Kosovës në Serbi nuk erdhën përmes postës së Kosovës, dhe ata nuk u regjistruan për të votuar me postë si diaspora, por kishte organizim transporti që ata të votojnë në vendvotime. Lista Serbe qysh moti ka provuar ta zgjerojë ndikimin te pakicat joserbe. Dhe deri diku ka pasë sukses. Deputeti Adem Hodza nga partia gorane, kishte kaluar në Grupin parlamentar të Listës Serbe, duke rritur numrin e deputetëve në këtë grup në 11. Kjo kishte bërë që të shpërbëhet grupi parlamentar i pakicave 6+, sepse nuk i kishin më 6 deputetë të nevojshëm për të formuar grup. Plani për zgjerim, pati sukses dhe tash Lista Srpksa ka përfaqësim në parlament (14 nga 120 deputetë) sa tri herë më shume sa përfaqësimi i popullsisë serbe në Kosovë proporcionalisht (rreth 4.5%). Kjo gjë është me rrezik se tashmë vë në pikëpyetje pasjen e ulëseve të rezervuara kur ato mund të keqpërdoren në këtë mënyrë.

Për të parandaluar probleme të tilla do të duhen reforma ligjore por edhe kushtetuese. Duhet të lehtësohet votimi me postë dhe të qartësohen rregullat e të mos ketë standarde të dyfishta. Poashtu duhet të konsiderohet seriozisht organizimi i votimit elektronik, gjë që e ka bërë Estonia me sukses. Sa i përket vendeve të rezervuara për pakicat, atyre tashmë u ka skaduar afati kushtetues. Por forma që do të marrin ato do të varet edhe nga bisedimet me Serbinë. Sidoqoftë, forma aktuale e përfaqësimit të dyfishtë në krahasim me gjendjen demografike është diskredituar në këto zgjedhje.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.