Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Problemi kombëtar i mosvijimit të shkollimit të detyruar

Illustration: Big Eye

Sistemi i arsimit në Kosovë ka pësuar shumë ndryshime pas vitit 1999. Ndryshime të tilla, e bëjnë të vështirë analizën e situatës si tërësi për të vërejtur nëse politikat e reja kanë pasur ndikimin e pritur, pasi zakonisht duhen vite të tëra për të vërejtur ndikimin e politikave të tilla. Njëra prej zhvillimeve pozitive në kornizën ligjore të arsimit, është përcaktimi i shkollimit të detyruar përmes ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm, të publikuar në 2011. Në këtë ligj shkollimi i detyruar përcaktohet të jetë nga mosha 6-14 vjeçe, dhe përfshin nivelet 1-9 të shkollimit. Gjithashtu sipas këtij ligji mos vijimi i shkollimit të detyruar paraqet shkelje të ligjit dhe në raste të tilla, duhet të nisin procedurat e kundërvajtjes ndaj prindërve, të cilët bëjnë këtë veprim si rezultat i neglizhencës apo me paramendim. Por, deri më tani nuk kam dëgjuar për ndonjë rast kur procedurat e kundërvajtjes kanë filluar për raste të tilla, edhe pse të dhënat tregojnë se raste të mos vijimit të shkollimit të detyruar ka anembanë Kosovës, posaçërisht tek komunitetet pakicë.

Mungesa e një sistemi për të ndjekur dhe identifikuar raste të tilla mundëson vazhdimin e tyre. Si pasojë, lindë nevoja për ta krijuar një sistem që identifikon rastet e mos vijimit të shkollimit të detyruar, përmes bashkëpunimit të departamenteve përkatëse komunale dhe shkollave brenda këtyre komunave. Pra, rastet raportohen nga shkollat tek komunat përkatëse, dhe nga komuna tek Ministria e Arsimit. Pastaj, komuna duhet të kontaktojë kujdestarët e fëmijëve në mënyrë që të identifikohen arsyet e mosvijimit mësimor.

Nëse arsyet e mosvijimit te shkollimit të detyruar janë financiare, atëherë duhet të ofrohet përkrahje kujdestarëve, apo direkt të financohet nxënësi. Besohet se ka shumë raste kur arsyeja e mosvijimit të shkollimit të detyruar është si rezultat i angazhimit të nxënësve ne punë fizike apo punë të ngjashme. Ne këto raste, duhet të sigurohet një pagesë minimale për prindërit apo kujdestarët në mënyrë qe këta të fundit të mos e arsyetojnë ndaljen nga shkolla shkaku i angazhimit te nxënësve në punë.

Në raste kur nxënësi ndalohet nga shkolla për arsye tjera dhe jo shkaku i angazhimit në punë, por se thjeshtë familja nuk ka kushte financiare për të shkolluar fëmijën e tyre, duhet t’i ofrohet asistencë direkt nxënësit në formë të udhëtimit falas (kur kjo paraqet një barrierë), ofrimin e materialeve shkollore falas (tashmë një pjesë e konsiderueshme e këtyre ofrohet falas), si dhe të mbulohen shpenzime tjera siç janë veshmbathja dhe ushqimi. Nëse këto i ofrohen familjeve dhe kujdestarëve në fjalë, por këta të fundit prapë refuzojnë të dërgojnë fëmijën e tyre në shkollë, duhet të ketë pasoja ligjore konkrete për ta.

Krijimi i një sistemi të tillë duhet të jetë i mundshëm pasiqë tashmë secila komunë ka databazën e banorëve, dhe mund të bëhet një bashkëpunim shkëmbimi informatash në mes shkollave dhe komunave përkatëse. Shkollave mund t’ju sigurohet qasje e kufizuar në databazën e banorëve. Kjo bazë e të dhënave do të përdoret për të përditësuar informatat sa herë të regjistrohen nxënës të ri nëpër shkolla. Në këtë mënyrë, komuna mund të ketë qasje në këto informata shumë lehtë.

Në raste kur ndonjë nxënës i moshës 6-14 vjeç nuk figuron i regjistruar në asnjë shkollë, komuna duhet ta identifikojë personin, adresën dhe ku është pritur të regjistrohet ky person në shkollë. Pastaj, komuna duhet të kontaktojë me shkollën në fjalë për te verifikuar saktësinë e informatave. Nëse vërtetohet se janë të sakta, zyrtarët komunalë duhet të vizitojnë familjen e personit në fjalë dhe duhet të identifikojnë arsyet e mos vijimit të shkollës, dhe të ndërmarrin hapat e përmendur më lartë. Vetëm në ketë mënyre mund të sigurohet vijimi i shkollimit të detyruar për të gjithë banorët.

Një sistem i tillë do të ishte shumë i dobishëm edhe për analiza të ndryshme që i duhen komunës apo ministrisë për politikbërje. Komunat do të kishin një pasqyrë të saktë të shkollimit nëpër vite dhe problemet e mosvijimit, duke ju lehtësuar krijimin e politikave dhe ndërhyrjeve për përmirësimin e situatës në të ardhmen.

Ky lloj sistemi do të ishte shumë përfitues posaçërisht për komunitetet roma, ashkali dhe egjiptiase. Statistikat vazhdimisht tregojnë se këto komunitete kanë vijueshmërinë më të ulët të shkollimit prej të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë. Statistikat e pergjithshme të popullsisë në 2012, tregojnë se vetëm 2,152 pjesetarë të këtyre komuniteteve janë duke vijuar arsimin e detyryar. I njëjti raport tregon se popullsia rome, ashkali dhe egjiptase e moshës 5-14 vjeçe është 8,984. Pra kjo paraqet një vijueshmëri vetëm prej përafërësisht 20-25% (nëse heqim moshën 5 vjeçare dhe shtojmë atë 15, përqindja luhatet në mes 20% dhe 25%). Kjo është mjaft e ulët kur krahasohet me vijueshmërinë rreth 88-90% të moshës 5-14 nga popullata shqiptare.

Nëse njëri prej qëllimeve të Ministrisë së Arsimit është që të përmirësohet vijimi i arsimit të komuniteteve pakicë, duhet të ndërmerren edhe hapa tjerë. Diskriminimi nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve konsiderohet të jetë njëra prej arsyeve kryesore pse nxënësit nga komunitetet pakicë nuk e vijojnë shkollimin.

Për të përmirësuar këtë situatë, duhet një program i gjerë dhe disa vjeçar, që përfshin trajnime kundër diskriminimit për stafin e shkollave të të gjitha niveleve. Përmes mësimëdhënësve, qasja jo diskrimuese mund të kalohet tek nxënësit. Është me rëndësi që një iniciativë e tillë të jetë disa vjeçare, dhe jo disa muajshe, siç është praktikuar shumë herë në Kosovë. Një projekt afatgjatë do të rriste gjasat që qasja jo-diskriminuese të arrijë një nivel të qëndrueshëm dhe që nuk do të pësonte kthim prapa.

Kombinimi i hapave të lartpërmendur, mund të ketë një ndikim pozitiv në parandalimin e mos vijimit të shkollimit të detyruar, duke kontribuar pozitivisht në përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë. Kjo do të jetë përfituese për të gjithë popullsinë në vend, por ndikimi më i madh pozitiv mund të jetë për komunitetet pakicë, të cilat fatkeqësisht kanë ende vijueshmëri shumë të ulët të shkollimit në vend.

___________

Ky artikull është kontribut ndaj projektit USAID Transformational Leadership Program-Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorit dhe nuk i reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të USAID TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.