Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pse është e domosdoshme reforma e racionalizimit të agjencive?

Pse është e domosdoshme reforma e racionalizimit të agjencive?

Agjencitë e pavarura, ekzekutive dhe rregullatorët paraqesin një aspekt jashtëzakonisht sfidues në funksionimin e administratës publike kosovare, e cila tash e disa vite lëngon nga funksionimi joefektiv, numri i lartë i të punësuarve dhe ndërhyrjet politike në konkurse të hapura. Raporte dhe analiza vendore, por edhe Raportet e Vendit (Progresit) të Komisionit Evropian [1], kanë theksuar këto të meta dhe kanë bërë thirrje për adresimin e tyre tash e disa vite.

Reforma e racionalizimit të agjencive ekzekutive dhe rregullatorëve në Kosovë u iniciua në vitin 2016. Ajo është në proces përmes Planit të Veprimit për Racionalizimin e Agjencive (PVRA) të miratuar nga Qeveria e Kosovës në 2018. PVRA parasheh që reforma e racionalizimit të zgjasë deri në vitin 2021 dhe të prekë agjencitë e pavarura me kompentenca ekzekutive, agjencitë ekzekutive brenda Qeverisë dhe rregullatorët (në total 60 syresh). Sipas PVRA, 7 Agjenci të Pavarura do të përfshihen në valën e parë, ndërkaq në valën e dytë, tretë dhe të katërt do të adresohen agjencitë ekzekutive brenda Qeverisë dhe rregullatorët. Gjithashtu vlen të ceket se reforma gjithashtu është prioritet i marrëveshjes Kosovë-BE Agjenda për Reforma Evropiane (ERA), andaj rëndësia e saj fiton peshë edhe nga planin e integrimit evropian.

Pse është e nevojshme kjo reformë dhe pse duhet përkrahur ajo? Ka disa probleme të identifikuara që e bëjnë këtë reformë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme.

E para është madhësia. Kosova ka 32 Agjenci të pavarura që funksionojnë në kuadër të Parlamentit. Me këtë shifër, Kosova ka më së shumti agjenci që i raportojnë Parlamentit në Ballkan. Brenda legjislacionit në Kosovë ekzistojnë mbi 20 kategori konceptuale për këta trupa (Agjenci, Agjencion, Këshill, Komision etj.). Përpos kostos buxhetore të imponuar nga funksionimi i tyre dhe numri i të punësuarve, një shifër kaq e lartë gjithashtu doemos krijon dyfishim të kompetencave me trupa tjerë të administratës publike, ta zëmë, Këshilli për Trashëgimi Kulturore ushtron kompetenca të ngjashme me Departamentin për Trashëgimi Kulturore në MKRS. Duplifikime të këtilla që janë të zakonshme, e kanë dëmtuar funksionimin efektiv të aparatit shtetëror. Duhet cekur se institucione të pavarura si Komisioni Qendror Zgjedhor, Banka Qendrore etj. që janë pjesë e Kushtetutës me nene të veçanta nuk janë përfshirë në procesin e reformës, por ajo përfshin vetëm agjencitë e themeluara me Nenin 142.

Sfidë serioze ka paraqitur procesi i raportimit në Kuvend. Prej 32 agjencive që i raportojnë Kuvendit, 21 do të përfshihen në reformë, duke ndryshuar linjën e llogaridhënies nga Kuvendi në Qeveri. Ky është një hap i logjikshëm pasi ato ushtrojnë përgjegjësi puro ekzekutive, andaj nuk do duhej t’i raportonin Kuvendit, por Qeverisë, meqë Kuvendit i mungojnë kapacitetet njerëzore dhe profesionale për të kryer mbikëqyrje cilësore. Konkretisht, është e zakonshme që deputetët të kenë mungesë të kapaciteteve për të mbikëqyrur funksionimin e sektorëve specifikë, sikundër energjia, rregullimi i pronave e të ngjashme.

Për më tepër, edhe procesi i raportimit që ka ndodhur, ka lënë jo pak për të dëshiruar. Si ilustrim, ka pasur raste kur agjenci të caktuara, si me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, që nuk e kanë kryer raportimin vjetor para Kuvendit. Pasojat e kësaj? Asnjë. Kjo për shkak se Parlamenti nuk ka mekanizma për t’i ndjekur në raste të këtilla. Prandaj, duke marrë për bazë trajektoren e deritanishme, futja e agjencive me kompetenca ekzekutive në qeveri do të përmirësonte procesin e raportimit dhe monitorimit.

Sfidë gjithashtu është pavarësia e pazakontë e këtyre trupave. Agjencitë e pavarura kanë gëzuar pavarësi të theksuar financiare dhe organizative, për shkak se janë themeluar me ligje të veçanta. Përmes ligjeve të veçanta këta trupa kanë rregulluar funksionimin e brendshëm ndaras nga administrate publike, për shembull pagat dhe statusin e punonjësve. Por me miratimin e Ligjit për Organizmin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura janë krijuar kushtet që kjo të ndryshojë dhe të bëhet harmonizimi i plotë i statusit të agjencive dhe punonjësve të tyre me pjesën tjetër të adminsitratës publike.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja është politizimi i skajshëm i procesit të zgjedhjes së bordeve dhe aty në pozita drejtuese. Me disa përjashtime të pakëta, të gjitha Bordet e Agjencive zgjedhen përmes Parlamentit, duke qenë plotësisht në dorë të partive. Në këtë plan, gjatë zgjedhjes së bordeve kriteri i profesionalizmit shpesh është zëvëndësuar me afërsinë apo anëtarësinë partiake, sikur ceket edhe në Raportin e fundit të Vendit të Komisionit Evropian. Duke qenë produkt i marrëveshjeve ndërmjet partive politike, më shpesh sesa rrallë, bordet e agjencive të pavarura u kanë dhënë atyre mundësi reale për të zhvilluar patronazhin, klientelizmin dhe nepotizmin, me një fjalë u kanë ofuar atyre një pistë të çmueshme për zgjerim ndikimi dhe pushteti.

Reforma e racionalizimit mëton të ofrojë zgjidhje për këto sfida. Ajo synon të zvogëlojë shpenzimet publike, të përmirësojë performancën e administratës publike përmes rregullimit të linjave të raportimit dhe monitorimit, duke ruajtur pavarësinë funksionale të këtyre trupave dhe uljes së mundësive për politizim. Reforma mori një shtysë serioze me miratimin e tre ligjeve kornizë në Dhjetor 2018, kësisoj racionalizimi i agjencive do duhej të shihej si vazhdim i natyrshëm i këtij hapi.

Aktualisht, zbatimi i racionalizimit është në një periudhë ngecjeje. Dy projektligjet për valën e parë që do të përfshijnë 7 agjenci ishin paraparë të dilnin në Qeveri në Pranverë, por nuk ndodhi për shkak të vonesave. Për më shumë, me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës në fund të korrikut situata është vështirësuar edhe më. Në aspektin politik nuk është hasur ndonjë vullnet nga Qeveria apo partitë e mëdha që reforma të shtyhet përpara deri tash. Si pasojë e ngushtimit të mundësive për ushtrim të pushtetit që reforma do të prodhojë për partitë dhe deputetët, zbatimi është pritur me rezistencë nga këto të fundit.

Në anën tjetër, për arsyet u shpjeguan më lart, reforma e racionalizimit duhet të shihet si një interes shtetëror, që e përmirëson funksionimin e administratës publike dhe kursen paratë e qytetarëve, por edhe si një hap afrues i Kosovën me BE-në. Ajo duhet të përkrahet nga qytetarët dhe shoqëria civile. Mbi të gjitha, duhet kërkuar me ngulm vullneti politik nga partitë, deputetët dhe qeveria e re për ta shtyrë këtë reformë përpara dhe për të kompensuar vonesën e deritanishme.

—-

[1] EUROPEAN COMMISSION /COMMISSION STAFF WORKING DOCUMENT Kosovo* 2019 Report. Brussels, 29.5.2019 

EUROPEAN COMMISSION / COMMISSION STAFF WORKING DOCUMENT Kosovo* 2018 Report. Strasbourg, 17.4.2018 

 

06 gusht 2019
15:12

Butrint Berisha

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.