Kosova është shteti më homogjen etnikisht në Ballkanin Perëndimor, me rreth 92% të popullsisë së vet të përbërë nga shqiptarë etnikë, por në të njëjtën kohë është shtet multietnik, siç përcaktohet me kushtetutën e saj.
Pakica e dytë më e madhe etnike në Kosovë është komuniteti serb, me rreth 5% të popullsisë së përgjithshme. Diskutimet lidhur me të drejtat e pakicave përqendrohen kryesisht te komuniteti serb. Pjesa tjetër e pakicave etnike, si romët, ashkalitë e egjiptianët, priren të anashkalohen, apo edhe margjinalizohen.
Njerëzit nga këto komunitete shpesh përballen me kushte të vështira dhe nga qeveria marrin mbështetje minimale, gjë që çon drejt një ndjesie të nënpërfaqësimit dhe vështirësive në krijimin e lidhjeve me Kosovën dhe institucionet e saj.
Një grua 25-vjeçare nga Prishtina së fundmi më pyeti nëse romët mund ta përfaqësojnë Kosovën në një garë sportive. Për të, vetëm shqiptarët etnikë kanë statusin e qytetarëve të Kosovës.
Shumica e vendeve janë thelbësisht shumë-etnike dhe ato që përqafojnë këtë diversitet, sado i vogël apo i zorshëm qoftë, korrin përfitimet e pasurisë kulturore, në sport, inovacion si dhe zhvillimit ekonomik.
Sidoqoftë, me insistimin e Perëndimit, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara, pohimi se Kosova është multietnike shkon përtej përparësive socio-ekonomike. Realisht, fillon në vitet e pasluftës, kur vlonin debatet për statusin e ardhshëm të Kosovës: a do të bëhej protektorat, territor, apo shtet i pavarur?
Pas shumë dekadash diskriminimi sistematik të shqiptarëve në Jugosllavi, u bë e pamundur për Kosovën të mbetej pjesë e Serbisë. Populli s’e pranonte dot këtë.
Mirëpo, tashti shtrohej çështja se si do ta trajtonin shqiptarët pakicën serbe? Dhe, në fillim të viteve 2000, u ngritën shqetësime për shkak të sulmeve hakmarrëse të pasluftës ndaj serbëve dhe grupeve të tjera minoritare (për shembull, romëve), të dyshuar për bashkëpunim me regjimin jugosllav.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE) vlerësoi se menjëherë pas luftës, në qershor 1999, për çdo javë vriteshin mesatarisht 50 njerëz.
Paskëtaj vijuan sulmet e marsit 2004 ndaj komuniteteve serbe dhe trashëgimisë së tyre kulturore, sulme këto që cilësoheshin të dhunshme dhe tronditëse. Komuniteti ndërkombëtar duhej ta adresonte këtë çështje drejtpërsëdrejti.
Human Rights Watch i recommended qeverisë së përkohshme të Kosovës: “Angazhohuni drejt një të ardhmeje multietnike dhe bëjeni të qartë se sulmet kundër pakicave do të ndiqen fuqishëm.”
Incidenti i marsit 2004 paraqet një pikë kthese në diskutimet për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Katër vjet më vonë, me një mbështetje të konsiderueshme nga vendet perëndimore, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Kushtetuta e Kosovës u hartua në bazë të parimeve liberale demokratike dhe përfshinte të drejta gjithëpërfshirëse për pakicat etnike. Këtu hynin dispozita të atilla si vendet e rezervuara në Kuvend për minoritetet në mënyrë që të sigurohej pjesëmarrja e tyre aktive në jetën qytetare.
Gjuha serbe u bë gjuhë zyrtare dhe serbëve iu dha e drejta të kenë shkollat e tyre, institucionet kulturore e fetare dhe më vonë edhe kujdesin shëndetësor.
Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme dhe mungesës së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, vendet perëndimore ende vazhdojnë avokimin e tyre për një Kosovë multietnike.
Në vitin 2013, Kosova u zotua të themelojë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), që do t’u siguronte dispozita të gjera autonome serbëve lokalë sa i përket zhvillimit urban, zhvillimit ekonomik, kujdesit shëndetësor dhe sistemit shkollor, ndër të tjerash.
Megjithëkëtë, qeveria e Kosovës ka refuzuar zbatimin e AKS-në. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjykata më e lartë në vend, vendosi se disa nga dispozitat ekzekutive të AKS-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Që nga atëherë, Kosova ka refuzuar të hartojë një statut të ri dhe të zbatojë marrëveshjen, duke krijuar kësisoj një pengesë në marrëdhëniet midis komuniteteve shqiptare dhe serbe në Kosovë.
ShBA-ja vazhdon të këmbëngulë në AKS-në për tri arsye kryesore: së pari, ShBA-ja e sheh atë si një mekanizëm që siguron efektivisht të drejtat e pakicës serbe. Së dyti, eliminon çdo arsyetim të mundshëm që Serbia të pretendojë se të drejtat e serbëve të Kosovës nuk mbrohen. Së treti, mundëson integrim më të thellë brenda shtetit të Kosovës, duke e bërë transparente gjithë mbështetjen financiare për komunitetin serb.
Një problem potencial me ASM-në është rreziku i rritjes së segregacionit ndërmjet komuniteteve. Edhe pse shumë komunitete me shumicë serbe janë multietnike, të përbëra nga goranët, boshnjakët, shqiptarët dhe romët, ekziston shqetësimi se ASM mund të përforcojë pa dashje ndarje etnike.
Një tjetër pengesë e mundshme është se AKS-ja mund t’i izolojë komunitetet e tjera pakicë, posaçërisht ashkalitë dhe egjiptianët, që ende nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga shteti për t’u integruar plotësisht në shoqëri.
Megjithatë, edhe po të ketë AKS, shteti i Kosovës – në fund të fundit – është përgjegjës për të gjitha pakicat e tij. AKS-ja në esencë ia dorëzon atë përgjegjësi Kosovës për komunitetet me shumicë serbe për të ruajtur të drejtat e tyre për vetëmenaxhim në arsim, çështjet kulturore dhe kujdesin shëndetësor.
Por, kjo nuk duhet të shihet si arsyetim për t’u distancuar tërësisht nga çështjet e pakicave.
Themelimi i një AKS-je – që do të zbatohej në mënyrë të duhur – idealisht do të çonte drejt decentralizimit të ekonomisë dhe do të afronte komunitetet nën flamurin e Kosovës.
Është e rëndësishme që të krijohen më shumë lidhje dhe shkëmbime midis të gjitha komuniteteve në Kosovë në baza ditore dhe që të mos jetë veç i njëjti grup i OJQ-ve apo figurave kriminale që kultivojnë marrëdhëniet multietnike.
Vetëm ky ndryshim kulturor në mentalitetin e Kosovës në të gjitha sferat – kur të ketë një integrim tërësor e kuptimplotë – do t’i bëjë të qëndrueshme reformat ligjore dhe strukturore.
ShBA-ja dhe aleatët duhet që vazhdimisht të garantojnë partnerët e saj se Kosova do të jetë gjithmonë shtet multietnik dhe divers. Ambasadori amerikan, Jeffrey M. Hovenier, e ripërsëriti këtë gjë edhe një herë pas sulmit të fundit në Banjskë.
as a “Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Kosovën si vend sovran dhe të pavarur. Kjo mbështetje bazohej në të kuptuarit se Kosova do të ishte vend demokratik dhe multietnik dhe me kalimin e viteve kemi investuar shumë përpjekje për ta përmirësuar karakterin multietnik të saj”, tha ambasadori amerikan.
Kur një 25-vjeçare nga Prishtina të kuptojë se Kosova përbëhet nga njerëz të kulturave të ndryshme dhe se ata e përfaqësojnë vendin e saj po aq sa ajo, atëherë Kosova do të ketë krijuar kosovarë të vërtetë.