Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Psikologjia e votimit

Psikologjia e votimit

Kur vjen dita e zgjedhjeve dhe ju drejtoheni tek qendra e votimit, çfarë ju shtyn të zgjedhni një parti apo kandidat para tjetrit? Shpresa? Frika? Një analizë racionale e opsioneve? Apo mbase thjesht shprehia? Nuk ekziston ndonjë formulë specifike rreth asaj sesi votojnë individët. Në fund të fundit, votimi është vendim dhe si çdo vendim tjetër varet nga një numër faktorësh. Psikologjia politike ka identifikuar tre faktorë kryesorë që ndikojnë në votën e një personi, edhepse këta nuk janë të vetmit. Këta faktorë janë besnikëria ndaj partisë, tiparet e kandidatëve që kandidojnë për poste politike dhe çështjet elektorale.

Besnikëria ndaj partisë shihet si parashikuesi më i madh sesi do të votojë një person. Individët identifikohen me një parti politike të caktuar për një numër arsyesh. Disa mund të zhvillojnë atashim psikologjik me partinë e tyre që nga rinia – zakonisht të influencuar nga familja. Megjithatë, efekti i familjes nuk mund të parashikohet. Ndonjëherë, për shkaqe të rebelimit, shumë të rinj mund të shprehin mbështetje të madhe për një parti opozitare dhe të rrisin atashimin e tyre. Për më tepër, individët mund të identifikohen me një parti të caktuar sepse besojnë se idealet dhe vlerat e partisë përkojnë me vlerat dhe idealet e tyre personale. Megjithatë, edhe ky faktor është paradoksal.

Në vitin 2018, Lilliana Mason, në librin e saj ‘Uncivil Agreement: How Politics Became Our Identity’, shpjegon se shumë shpesh qytetarët nuk përkrahin një parti për shkak të vlerave dhe programeve të asaj partie, por i modifikojnë bindjet e tyre për t’iu përshtatur vlerave të partisë. Besnikëria ndaj partisë turbullon interesat personale dhe ndonjëherë dërgon individin në drejtim të gabuar vetëm për të mbrojtur identitetin e tyre grupor. Studimi i sjelljes së njerëzve në grupe është tërheqëse dhe shpesh shqetësuese. Sapo njerëzit të fillojnë të ndjehen se përkasin me një grup të caktuar, fillojnë të bëjnë gjëra të çuditshme. Ata imitojnë anëtarët e tjerë të grupit të tyre, favorizojnë anëtarët e grupit të tyre mbi grupet e tjera, ndërtojnë figura të liderëve të grupit dhe luftojnë me grupe të tjera. Janë bërë shumë eksperimente në psikologjinë sociale që shpjegojnë këto e karakterisitka të tjera të identitetit grupor dhe të njëjtit faktorë që motivojnë sjelljen në grupe shoqërore të tjerë, përkthehen edhe në besnikëri politike.

Faktori i dytë që ndikon në vendimet e votuesve janë tiparet e kandidatëve. Njerëzit shpesh votojnë për kandidatët me tipare që u pëlqejnë. Për të kuptuar se çfarë janë tiparet duhet t’i kthehemi psikologjisë amerikane të viteve të ’30-ta. Carr dhe Kingsburry në vitin 1938 propozuan se tiparet janë kategorizime leksikore sesi një individ i përgjigjet mjedisit të saj apo të tij – do të thotë natyra reaktive e individit.

Megjithatë, tiparet janë shumë më tepër sesa thjesht përshkruese. Kur një individ reagon ndaj mjedisit të tij ose të saj sipas një modeli të vazhdueshëm, tiparet përdoren nga të tjerët për të përshkruar thelbin e karakterit ose personalitetit të një personi. Ndonjëherë këto karakteristika janë më të dukshme sesa herëve të tjera dhe votuesit e painformuar mund të mbështeten në stereotipe të kandidatëve. Votuesit gjithashtu mbështeten në shkurtesa informative dhe në heuristika të tjera në marrjen e vendimeve politike. Tiparet e kandidatëve janë heuristika veçanërisht të dobishme sepse janë relativisht të lehta për t’u vlerësuar në krahasim me elementet e tjera më të ndërlikuara të politikës. Tiparet e kandidatëve ofrojnë shkurtesa kognitive të vlerësimit për individët pa pasur nevojë të investojnë kohë dhe energji në zbërthime më të mëdha të një kandidati.

Faktori i tretë që ndikon në mënyrën se si votuesit bëjnë zgjedhjet e tyre ka të bëjë me çështjet elektorale të një kandidati ose partie. Këto do të duhej të ishin preokupimi kryesor i votuesve, por në fakt janë shumë poshtë në listë. Ekzistojnë dy nxitës të votimit mbi çështje të caktuara: retrospektiv dhe prospektiv. Votimi retrospektiv është kur votuesi zgjedh një kandidat bazuar në performancën e kaluar të këtij kandidati. Votimi prospektiv është votimi i bazuar në performancën e imagjinuar në të ardhmen e një kandidati.

Kjo kornizë teorike mbi psikologjinë e votimit duket se është e aplikueshme për shumicën e shoqërive demokratike. Megjithëkëtë, secili vend i ka specifikat e veta. Kosova, marrim shembull, është një vend i vogël me shumë specifika që e shquajnë. Duke qenë një vend i vogël, por edhe një shoqëri relativisht patriarkale, ka shumë individë që kanë miq e familjarë në pozita të larta ose në lista kandidatësh dhe kjo e bën shpeshherë votën të paracaktuar për shkak të afërsisë emocionale me ta.

Në Kosovë njashtu ka zona ku votën për një mahallë, fshat e regjion e determinon fjala e kryeplakut, e babës sheh, e hoxhës ose e priftit. Njëherazi, Kosova ka disa minidentitete që jo rrallë herë janë përcaktuese në votimin blanco – identitetet krahinore, identitetet fetare ose, ndonëse më pak, identitetet ideologjike (p.sh. trashëgimia e UÇK-së, LPK-së ose LDK-së). Por, prapëseprapë nuk mund të gjeneralizojmë në këtë aspekt.

Por, përkundër këtyre veçorive që ka trupa elektorale e Kosovës, luhatjet e votave në zgjedhjet nacionale të verës 2017 e zgjedhjet lokale të vjeshtës 2017, kombinuar edhe me sondazhet që vazhdimisht shprehin lëvizje të elektoratit, na dëshmojnë që në përgjithësi nuk ka votë të paracaktuar në Kosovë dhe se partitë duhet “t’i përvjelin mëngët” për të bindur qytetarin se ato janë zgjedhja e zgjidhja e duhur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.