Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pushtuesit

Ilustrimi nga Big Eye.

Andre Malraux ishte shkrimtar dhe politikan francez. Kur De Gaulle kishte themeluar Republikën e Pestë në vitin 1958 dhe ishte zgjedhur President, Malraux u zgjodh Ministër i Shtetit për Çështjet e Kulturës, në janar të vitit 1959. Sidoqoftë nuk do të futemi në detaje të tilla. Megjithëse për Nabokovin pikërisht tek detajet, ishte Zoti. Andre Malraux, në librin e tij të parë, Pushtuesit, thotë diçka interesante dhe përderisa shiu nuk e ka ndërmend të ndalet, më lejoni të ndajë me ju një pjesëzë të librit. Që është tragjike dhe në të njëjtën kohë qesharake. Gjatë Komunës së Parisit ishte burgosur një trashaman. Si kundërpëgjigje ndaj këtij vendimi, trashamani klithte se gjatë tërë jetës së tij nuk ishte marrë me politikë. Një njeri i mençur i ishte përgjigjur se pikërisht kjo ishte arsyeja. Dhe më pas ja kishte thyer qafën. Sa për fillim kjo është e mjaftueshme. Për të mos thënë pak e tepërt.

***

Ky vend ka kohë që është mbushur me kafshë të tmerrshme politike. Më shpezë të vegjël politik, që qukasin mbi kokat tona të rrjepura. Organizimi i jetës së bashkësisë në esencë, del të jetë i dobët. Thellësisht i ndërtuar mbi parimin e mediokritetit, interesit personal dhe grabitjes. Të gjithë e dinë. Por ndonjëherë e kemi të domosdoshme të themi disa gjëra që i thonë të gjithë. Të mos rrëshqasë në ndonjë gropë letrare. Dua të them mua nuk më duhet një kaos shoqëror që ka bazë politike. Nuk më duhet një shqetësim i thellë njerëzor me karakter politik. Më ndjeni nëse bëhem idiot. Për zemrën time të dobët, janë të mjaftueshme çështje të tjera metafizike. Nuk më duhet një atdhe i dalë mendsh apo një tjetër në formë të vezës. Mohoj fuqishëm një atdhe që kërkon gjakun. Dhe afërmendsh provon të krijoj viktimën. Një atdhe tjetër që këndon pas vdekjes. Nëse patjetër do të më duhej të mbështetesha dhe të besoja tek një koncept ideal i organizimit shoqëror dhe rrjedhimisht tek mirëqenia e kësaj të fundit, atëherë do të ngulmoja që e gjitha çfarë ka mundësi të mbetej tek unë, të ishte shpresa. Dhe jo shpresa për një të ardhme të ndritur. Kush dreqin beson në diçka të tillë. Shpresa për të qenë rehat brenda zhgënjimit të madh, që po na futet në gojë. Duket se kaq është e mjaftueshme. Tragjikisht e bollshme. Dhe krejt në fund, nuk bëhem rehat pa e thënë edhe këtë, do të doja një të drejtë elementare. Të mos isha një qenie politike. Të hiqja dorë njëherë e mirë nga çdo përkatësi. Duket se gjërat shihen qartë. Lufta për të mbetur në pushtet është e njëjtë me luftën për të marrë pushtetin. Asgjë nuk dallon. Jemi sall ne. Mendje të brengosura duke vështruar tërësisht indiferent. Ngase duket se ky është i vetmi revolucion i njëmendtë. I vetmi revolucion njerëzor. Këndejpari. Në këtë hapësirë të vogël. Me njerëz të çuar peshë.

Në këtë hapësirë të vogël që, hajde ta themi kësaj radhe, nuk vuan nga mungesa një politikani të mirë por nga mungesa e një njeriu të mirë, që merret me politikë. Kjo sado që duket se ka një tingull romantik për mua del të jetë fundi i çështjeve. Atdheu është pronë e vetme e majmunëve politik. Dhe patetizmi sado i gërditshëm ndonjëherë bëhet ushqim i yni.

***

Përderisa po drekonim në njëfarë restauranti serb që dukej i lashtë, një kamariere e vjetër e cila shërbente si një flutur, u fut në mes bisedave tona dhe pa e ditur asgjë mbi identetitet tona kombëtare, i pa rusët si të duhur për të shaluar nënat tona. Gjithmonë dikush shalon nëna. Dhe këtë e thonte duke buzëqeshur. Ngase sipas saj ashtu e meritonim. Ndërkohë kur pas disa ditësh po ktheheshim në Prishtinë dhe derisa autobusi i mbushur me njerëz të ndryshëm e me identitete kombëtare të ndryshme pasi kaloi kufirin u ndal, për të ja dhënë mundësinë e pushimit udhëtarëve, një veturë me dritare të hapura në pikë të natës, u afrua afër nesh. Dhe nga aty jehonte një këngë folklorike shqipe. Duke marrë shkas për të vepruar e duke menduar se të gjithë ne ishim serb, dy hajvanët e zemëruar, po thërrisnin një shqiptar me gishtin e tyre tregues duke menduar se ishte nje serb. Unë kam një pyetje të vetme. Përse nuk e morën vesh nga pamja e tij e jashtme që ishte një shqiptar dhe jo një serb. Duket se ishin mashtruar keq nga bërthama natyrore. Sidoqoftë ajo se çfarë dëshironin. Ajo se çfarë kishin në mendje. Ishte lehtë e konstatueshme. Ligësia nuk ka një identitet. E keqja është kudo. Dhe politika po kalbëzon trurin tonë. Trurin tonë të mjerë. Të shpërlarë. Një tru të përbashkët ballkanik, që funksionon i tensionuar. E vetmja liri është kur koka futet në gjinjtë e dikujt që e dashuron. Dhe për pak çaste merr fund çdo gjë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.