Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Qeveria e përkohshme e Kosovës

Kishte diçka jashtëzakonisht bizare në atë parakalimin e ministrave të rinj të qeverisë në sallën e Kuvendit, kur kryeministri Haradinaj po i thërriste me emër një nga një për t’iu bashkëngjitur pranë foltores.

Njerëzit e rinj të veshur me pushtet çuditërisht nuk e rrezatonin asnjë dromcë fuqie. Dielli i pushtetit të tyre po lindte, por rrezet ngjanin si ato të një dielli që po perëndon.

Dikush do të mund ta interpretonte këtë ndjesi timen si reflektim të brishtësisë së numrave të shumicës. I faktit se fati i këtyre ministrave varet nga një ose dy deputetë të koalicionit. Nga teket e Zafir Berishës apo të ndonjë deputeti tjetër të uritur për terminal doganor, post ambasadori apo punësim kushërinjsh.

Por brishtësia me gjasë buron nga një frikë më afatgjatë që lexohet në nën-vetëdijen e elitës së deritashme politike qysh prej daljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Ky koalicion u prodhua nga një seri rrethanash të panikut ekzistencial politik. Ishte një marrëveshje zori për të gjithë; një përpjekje për të blerë kohë; për ta shtyrë edhe aq sa mundet tranzicionin e pashmangshëm të brezave politikë, apo perëndimin e fuqisë dominuese të “shtabit të komandantëve”.

Skenën e paradës së ministrave e bënte jashtëzakonisht absurde edhe laramania e aktorëve të cilët jo më larg se para një viti e konsideronin njëri-tjetrin si e zeza më e madhe e këtij vendi.  Qëndronin të radhitur si aleatë njerëz që e baltosën njëri-tjetrin si parti të haraçit, agjentë rusë, kapës të shtetit, kukulla të Vuçicit, e kushedi se çka tjetër.

Brishtësinë e kësaj trupe qeveritare e forconte edhe elementi komik, kur u desh që të silleshin karrige shtesë në sallën e Kuvendit për t’i akomoduar të gjithë ministrat. Behgjet Pacolli, kompania e të cilit e pati renovuar sallën para shumë vitesh, me gjasë nuk e kishte paramenduar se partia e tij, me pazarin e saj të madh, do të bëhej shkas i këtij defekti në enterier.

Diçka që ngjan kaq e brishtë, komike dhe absurde, vështirë të mos jetë e përkohshme. Këta ministra me kontratë katër vjeçare duken më shumë si njerëz me kontratë mbi vepër – menaxhues të një krize momentale dhe tranzicioni, që mbahet për një fije peri.

Ndoshta kjo qeveri e përkohshme edhe do të mund t’i zgjidhë disa tema të mëdha për aq sa do të qëndrojë në këmbë. Për shembull temën e demarkacionit, të përfolur aq shumë sa që një jashtëtokësor do të mendonte se është arsyeja kryesore e ekzistëncës sonë si popull.

Ndoshta edhe do të mund të bëhet ndonjë hap përpara në diskutimet me Serbinë, edhepse të gjitha parametrat janë për të qenë skeptik – as Serbia, e as BE-ja nuk kanë ngut për ndonjë marrëveshje.

Por ndërkohë që do të merret me këto temat e mëdha, kjo nuk duket të jetë qeveri me vullnet dhe aftësi për t’u marrë me temën e të gjitha temave – me reformat e nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Qeveria e re nuk duket të ketë vullnet për këtë punë sepse as që është lodhur të zhvillojë program konkret.

Kryeministri Haradinaj, dukshëm i lodhur dhe i shpërqëndruar, nuk pati ekspoze të programit dhe as radhitje prioritetesh përveç frazave tepër të përgjithshme. Ai e nisi mandatin me vizita nëpër QKUK dhe KEK për t’i kuptuar problemet dhe nevojat, thuajse është akoma në fushatë. A nuk do të duhej të ishin ato të qarta paraprakisht?

Tregues zhgënjyes i joseriozitetit ishte edhe një deklarim i kryeministrit mbi punësimin, ku ai u tregua jashtëzakonisht naiv me të kuptuarit e ekonomisë. Haradinaj propozoi që 60,000 ndërmarrjet në Kosovë të punësonin nga një njeri, “në partneritet me qeverinë.” Më bindëse se kryeministri në këtë pikë ngjajnë ato kadidatet për Mis Universin që thonë se e duan “paqen në botë”.

Mungesa e vizionit shpëfaqet edhe në strukturën e qeverisë. Apetitet partiake prodhuan nevojë për të krijuar shumë ministri, por kjo do të shkojë në dëm të efektivitetit.

Si do të bëhen reforma ekonomike me katër ministra, secili nga një parti tjetër, që do të shtyhen për territor? Sikur nuk mjaftonte ndarja e mëparshme dhe e kotë në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe asaj të Tregtisë e Industrisë, tani e kemi edhe Ministrinë e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, si dhe atë të Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Politikat ekonomike duhet të operojnë si orkestër, ndërkohë që tani i kemi shumë instrumentistë të zhanreve të ndryshme muzikore.

Reformat e vërteta kërkojnë edhe guxim për t’i trazuar shumë interesa të ngulitura. Me këtë shumicë të varur nga dy njerëz, kush do të guxojë që ta prekë administratën publike të mbushur me njerëz të paaftë dhe të politizuar? Ta reformojë prokurimin publik që i prekë interesat e partive klienteliste? T’i mbajë mësuesit përgjegjës për rezultatet e PISA?

Reformat e vërteta kërkojnë edhe ministra profesionalisht të përgatitur. Me përjashtim të një grushti emrash, ky është me gjasë kabineti teknikisht më i dobët që Kosova e ka pasur qysh prej shpalljes së pavarësisë.

Më i ulët se pritjet prej kësaj qeverie me gjasë është vetëm durimi i njerëzve per të parë rezultate, qoftë edhe vetëm përpjekje të sinqerta për të bërë diçka. Dështimi për ta menaxhuar opinionin publik do ta bëjë qeverinë shumë shpejtë të rrëzueshme prej një ere të lehtë politike, e lëre më prej një uragani si Gjykata Speciale.

Askush nuk e ka nuhatur më mirë këtë brishtësi se Lëvizja Vetëvendosje. Nga komoditeti i opozitës dhe me maturinë politike që ia ka sjellë përvoja, ajo duket sikur thjesht po e pret momentin e saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.