Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Qysh me i fuqizu t’rinjtë për vendimmarrje e politikë?

Pak para përhapjes globale të pandemisë, një ndër temat më të nxehta në Kosovë ka qenë ndërtimi i një lagjeje në afërsi të liqenit të Badovcit. Diçka që ka filluar me komente dhe reagime në Facebook, ka rezultuar në mobilizim të qytetarëve, me një grup prej më shumë se 28 mijë anëtarëve, paraqitje të shumta në medie, dhe në fund, ndalim të atij ndërtimi me vendim të organeve përkatëse. Pa marrë parasysh se a e përkrah apo jo këtë vendim, nuk mund të mohohet fakti se ka qenë kampanjë e suksesshme e mobilizimit të qytetarëve për mbrojtjen e komunitetit dhe të ardhmes së tyre, dhe se kanë ndikuar direkt në marrjen e këtij vendimi.

Në anën tjetër, një numër prej 28 mijë personave është përafërsisht i barabartë me vetëm rreth 5% të popullsisë së re të Kosovës (dhe ky numër konservativ, nëse të rinj i llogarisim ata vetëm nga mosha 15 deri në 29 vjet). Një mobilizim me fokus të qartë, energji dhe punë të pandalshme i rinisë së Kosovës do të mund të krijonte ndryshime shumë më të mëdha sesa rasti i përmendur më lart.

Pa dashur të hyj në pyetje filozofike e teorike, unë do të fokusohem në disa pika më praktike, si sugjerime se çfarë veprimesh çdo prind, arsimtar, udhëheqës komuniteti, apo entitet i qeverisjes lokale a qendrore mund të ndërmarrë për ta rritur qasjen e këtyre të rinjve në vendimmarrje.

– De-demonizimi i politikës

Është plotësisht e mundshme të jesh i angazhuar në politikë dhe politikëbërje edhe pa qenë pjesë e ndonjë partie apo grupi politik. Politika është, në definicionin më të thjeshtë, mjet dhe mënyrë ndërmjet së cilës merren vendime, dhe me apo pa dëshirën tënde, këto vendime ndikojnë në jetën dhe të ardhmen tonë.

Edhe pse shpeshherë fjala ‘politikë’ përdoret paralelisht me konceptet e korrupsionit, mashtrimit dhe dramës në përgjithësi, është po ashtu politika dhe qeverisja që dikton se nëse shkolla jote do të marrë kompjutera të rinj, se a do të ndërtohet trotuari i ri në rrugën tënde apo parku i ri afër banesës tënde.

Parë prej kësaj perspektive, politika jo vetëm se nuk del si ‘e fëlliqur’, por edhe shfaqet si mundësi për t’u angazhuar në zhvillimin e interesave tua në mënyrë tejet direkte e transparente. Sa më herët e kupton se politika është pjesë e pandashme e jetës, dhe se nëse ti nuk merresh me të atëherë ajo do merret me ty, aq më shpejt do fillosh të angazhohesh për të mirën e vetes dhe komunitetit tënd.

 Vetëdijësimi rreth fuqisë dhe impaktit

Gjatë gjithë kohës dëgjojmë për madhësinë e të ardhmen e rinisë tonë, por nuk mendoj se po punojmë mjaftueshëm që t’i bëjmë vet të rinjtë të vetëdijshëm rreth fuqisë që e kanë. Lëvizja globale për mbrojtjen e ambientit – një ndër temat më të rëndësishme të gjeneratës sonë – udhëhiqet nga Greta Thunberg, një 17-vjeçare nga Suedia. Ligji për posedimin e armëve – një ndër temat më të ‘nxehta’ në SHBA – u ndërrua në Florida si rezultat i një fushate të udhëhequr nga të rinj të shkollave të mesme. Potenciali për krijimin e ndryshimeve në një vend demokratik qëndron te fokusi, mobilizimi dhe shumica. Si grupi demografik dominant në Kosovë, të rinjtë e kanë mundësinë e artë që me energjinë, vizionin, dhe mobilizimin e duhur ta marrin ndryshimin në dorë dhe ta krijojnë vetë të ardhmen e tyre, prej pikave të vogla si shtimi i shportave në lagje, e deri te problemet e mëdha si ‘formatizimi’ i sistemit të arsimit në Kosovë.

– Edukimi rreth mjeteve të angazhimit

Ndërmjet punës së vazhdueshme me të rinj, e kam vërejtur faktin se shumë prej tyre i shohin mënyrat e vetme të angazhimit në politikë ndërmjet votimit, anëtarësimit direkt në parti politike, apo ‘postimeve në Facebook’. Shumë pak prej tyre janë të vetëdijshëm se e kanë fuqinë të nisin peticione, të lobojnë, se ekzistojnë platforma online (si ato të Komunave të Prishtinës e Gjakovës), ku mund të informohen rreth qeverisjes, apo se e kanë të drejtën të bisedojnë direkt me përfaqësuesit e tyre. Me kalu edhe një nivel më lart, pak prej tyre e kuptojnë edhe se si funksionon vetë sistemi i qeverisjes dhe vendimmarrjes, apo faktin se një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit përbëhet nga vetë taksat që ata dhe familja e tyre i paguajnë. Në fund të fundit, nuk mundesh me i shfrytëzu mundësitë kur as nuk je i informuar apo i vetëdijshëm që ato ekzistojnë në rend të parë.

– Promovimi i modeleve inspiruese

Duke u nisur prej Sanna Marin (Kryeministrja 34-vjeçare e Finlandës), Alexandria Ocasio-Cortez (Anëtarja 29-vjeçare e Kongresit Amerikan) dhe Sebastian Kurz (Kancelari 33-vjeçar i Austrisë), e deri te fakti që parlamenti i Kosovës ka të rinj anëtarë të moshave si 27, 24 apo edhe 22 vjeç, modele inspiruese në politikë dhe qeverisje ka gjithandej.

Modelet e mira pozitive janë tejet të rëndësishme në zhvillimin e një të riu, pasi ata përfaqësojnë një shembull të gjallë të asaj se çfarë duam të bëhemi dhe të arrijmë në jetë, dhe na inspirojnë me veprimet dhe aftësitë e tyre. Për shumicën e të rinjve, këta janë prindërit apo artistët e sportistët e ndryshëm, mirëpo është njëjtë e mundshme që model inspirues të jenë politikanët dhe aktivistët si Barack Obama apo Malala Yousafzai. Kur dikush që ne e respektojmë dhe duam të bëhemi si ata thotë apo vepron diçka, zakonisht kemi vullnet më të madh që të veprojmë njëjtë, andaj unë definitivisht e shoh një të ardhme, ku rinia do të mund t’i vendosë Lebron James dhe Greta Thunberg në të njëjtin nivel të ‘coolness’.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.