Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz vizituan së fundmi Beogradin, për të finalizuar dy marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Memorandumi i mirëkuptimit për lëndët e para strategjike, i nënshkruar më 19 korrik midis Serbisë dhe BE-së, nga Kancelari gjerman u konsiderua si një “partneritet strategjik” dhe projekt shumë i “rëndësishëm për Europën”. Vlera e këtij bashkëpunimi konsiderohet të jetë rreth 2.4 miliardë dollarë dhe pritet të mbulojë rreth 90% të nevojave aktuale të BE-së për litium.
Ndërkohë, më 30 gusht, presidenti francez Macron nënshkroi në Beograd marrëveshjen për shitjen e 12 avionëve “Rafale” Serbisë, me një vlerë prej 3 miliardë dollarësh. Ai e cilësoi këtë marrëveshje si historike, duke vlerësuar lart “guximin strategjik” të Serbisë.
Këto marrëveshje përfaqësojnë një kthesë të rëndësishme në rolin e Serbisë në Ballkan dhe marrëdhëniet e saj me BE-në, pasi ishte pothuajse totalisht e izoluar pas sulmit terrorist në Banjskë nga militantët serbë vitin e kaluar.
Thellimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe shteteve kryesore të BE-së, si Franca dhe Gjermania, ka ndikim të madh për rajonin e Ballkanit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe gjeostrategjik.
Strategjikisht, këto marrëveshje ridëshmojnë përpjekjen e BE-së për të afruar Serbinë më pranë orbitës europiane dhe për të reduktuar vartësinë e saj nga Rusia dhe Kina.
Blerja e avionëve luftarakë dhe marrëveshja për shfrytëzimin e lëndëve të para strategjike tregojnë qartë synimet e BE-së për të integruar ekonomikisht dhe politikisht Serbinë brenda sferës së saj të influencës.
Historikisht, Serbia ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë and Kinën, veçanërisht në furnizimin me armë dhe mbështetjen politike. Prandaj, afrimi me BE-në paraqet një ndryshim të rëndësishëm për Serbinë, duke i hapur mundësi për të forcuar pozicionin e saj ekonomik dhe politik në rajon dhe për të ndikuar më shumë në dinamikat ballkanike.
Kapacitetet e përmirësuara ushtarake të Serbisë rrisin gjithashtu aftësinë e saj për të ndikuar dhe kërcënuar fqinjët, në rast të përshkallëzimit të ndonjë konflikti eventual. Andaj, kjo përbën shqetësim serioz për vendet e Ballkanit, të cilat kanë vuajtur në të kaluarën nga qëndrimet hegjemoniste të Serbisë.
Nga ana ekonomike, marrëveshja e fundit me Gjermaninë është një fitore e madhe për Serbinë, duke hapur kështu rrugën për investime të rëndësishme në sektorë strategjikë, siç janë minierat e litiumit dhe energjia. Ky burim natyror, i cili është vendimtar për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike, e vendos Serbinë në një pozitë të favorshme për të tërhequr investime të huaja direkte nga kompani ndërkombëtare të teknologjisë së lartë dhe energjisë së rinovueshme.
Për më tepër, bashkëpunimi me ekonomitë kryesore të BE-së, jo vetëm që rrit kapacitetin ekonomik të Serbisë, por gjithashtu konsolidon ndikimin e saj politik dhe strategjik në rajon. Në këtë drejtim, këto marrëveshje gjithashtu e forcojnë pozicionin politik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kohëve të fundit është akuzuar për autoritarizëm e korrupsion të organizuar dhe po përballet me protesta gjithëpopullore në vend.
Kjo qasje, e cila mund të perceptohet si një formë e hipokrizisë gjeopolitike perëndimore, rrezikon të minojë besimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian.
Një shqetësim jo i parëndësishëm është fakti se duke forcuar Serbinë ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, Franca dhe Gjermania mund të krijojnë një precedent të rrezikshëm që komprometon përpjekjet për të frenuar përhapjen e autokracisë dhe destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Serbia, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, ka përjetuar një regres demokratik të konsiderueshëm, me akuza për manipulim zgjedhor, censurë mediatike dhe kapje të institucioneve.
Duke injoruar këto çështje serioze në këmbim të sigurisë së furnizimit me lëndë të para strategjike, BE-ja mund të legjitimojë regjime që abuzojnë me parimet demokratike, gjë që në një plan afatgjatë mund të dëmtojë stabilitetin dhe integrimin rajonal.
Marrëveshjet e fundit midis Serbisë dhe fuqive kryesore të BE-së përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm në dinamikën e Ballkanit dhe rolin e Serbisë. Ndërsa këto marrëveshje forcojnë Serbinë ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, ato gjithashtu ngrenë pikëpyetje të mëdha për sigurinë rajonale dhe të ardhmen e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.
Për BE-në, sfida kryesore do të jetë balancimi midis nevojave ekonomike dhe ruajtjes së vlerave demokratike në marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit. Ky balancim bëhet edhe më i rëndësishëm dhe njëkohësisht më problematik, sidomos në një epokë që karakterizohet nga paqartësi e turbulenca gjeopolitike si kjo e sotmja.