Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Serbia armiqësore si fakt dhe nevojë politike e Qeverisë së Kosovës

Opinioni publik në Kosovë nuk ka nevojë të vetëdijesohet edhe aq shumë për rrezikun që i vjen shtetësisë dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia. Investimi i Serbisë zyrtare për të rrënuar pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës ka qenë qenë i vazhdueshëm dhe i dukshëm ndër vite – pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet në Beograd.

Ky investim është shpërfaqur përmes përpjekjeve për sabotimin e integrimit të serbëve vendas në shoqërinë dhe institucionet kosovare, luftës aktive për ta parandaluar konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë, luftës së vazhdueshme hibride për të trazuar rendin dhe funksionimin e brendshëm të Kosovës, si dhe përpjekjeve për ta ruajtur me çdo kusht status-kuonë në veri si gjendje e një territori të kontestuar.

Rishtazi, agresioni i Serbisë është shpërfaqur edhe në forma ekstreme. Sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe mobilizimi ushtarak në afërsi të kufirit me Kosovën, përbëjnë rastet e përshkallëzimit më esktrem.

Nuk ka nevojë sot të bindet askush – veçanërisht brezi që e mban në mend luftën –se Serbia zyrtare dhe skajshmërisht revizioniste nuk është afër pranimit të realitetit të Kosovës së pavarur, edhe nëse presioni i jashtëm do ta detyrojë drejt një gjëje të tillë. Edhe në rastet e pakta kur Beogradi zyrtar flet për paqen, diskursi drejtohet kah paqja shqiptaro-serbe, si koncept më i gjerë etnik, por jo te paqja me Kosovën si shtet.

Për këtë arsye, është logjike që Kosova të bëjë përpjekje për zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë dhe përpjekjeve për integrim në NATO, në mënyrë që të mbrohet ndaj çfarëdo skenari të agresionit nga fqinji verior. Gjithashtu, është logjike që Kosova të mundohet ta arrijë këtë synim përmes mekanizmave politikë si dialogu i Brukselit, sepse ky është parakusht i pathënë për anëtarësim në NATO.

Por, përkundër shqetësimit legjitim ndaj kërcënimit nga Serbia, ka diçka thellësisht problematike me mënyrën se si Kosova reagon dhe obsesionohet me Serbinë, duke e mbajtur atë si busull orientuese të mendimit dhe veprimit të vet politik.

Në këta tre vjet, Qeveria e Kosovës nuk është prirë nga një vizion pozitiv për veten, por nga një vizion reagues dhe kundërshtues ndaj Serbisë – thuajse Kosova akoma jeton nën pushtimin serb.

Ironia është se ky diskurs reaktiv po ndodh në një kohë kur Serbia asnjëherë nuk ka qenë më pak e pranishme në Kosovë – qoftë politikisht, kulturalisht, apo edhe ekonomikisht.

Realiteti është se Serbia, përkundër ambicieve të saja hegjemonike dhe armatosjes së vazhdueshme, sot ndodhet në një pozitë me hapësirë të ngushtë manovruese, e rrethuar nga NATO dhe BE-ja. Agresioni rus mbi Ukrainën dhe sulmi në Banjskë e kanë ngushtuar edhe më shumë këtë hapësirë, duke ndikuar negativisht në pozicionin ndërkombëtar të Serbisë.

Por, përkundër këtij dobësimi relativ të Serbisë, ajo asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme në imagjinatën dhe diskursin tonë publik si gogol shpjegues i çdo rrethane dhe zhvillimi politik.

Ironia tjetër është se projektimin e fuqisë së Serbisë – e për rrjedhojë fuqinë e Serbisë mbi mendjet tona – e zmadhojnë më së shumti pikërisht ata që na prezantohen si nacionalistë shqiptarë dhe si pararojë e interesit kombëtar. Serbia është më e pranishme në diskursin tonë publik, sepse ajo jeton “pa qira” në mendjet e tyre dhe ua arsyeton ekzistencën.

Efekti i kësaj psikoze kolektive prej vitesh po prodhon pasoja të mëdha politike, duke e përmbysur racionalitetin e veprimeve tona si shtet, duke e keqlexuar Serbinë dhe duke e projektuar tek ajo një armik më të fortë, më të sofistikuar dhe më homogjen sesa është në realitet.

Kjo psikozë kolektive me Serbinë gjithashtu po prodhon efekte të tjera anësore, si zbehja e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, të cilët, sipas kryeministrit, nuk e shohin Serbinë me sytë tanë. Psikoza gjithashtu po krijon frymë të urrejtjes ndaj pakicës serbe në Kosovë dhe po e shpërqëndron vëmendjen e publikut nga prioritetet tona të tjera zhvillimore.

Kosova gjithsesi duhet t’i përgjigjet rrezikut që vjen nga Serbia, por jo me emocionalitetin dhe histerinë e një të pushtuari, por me qetësinë dhe racionalitetin e një shteti të pavarur dhe sovran, i cili sillet me përgjegjësi institucionale, fillimisht ndaj qytetarëve të saj dhe së dyti ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Pikëpyetje mbetet se cilat janë shkaqet prapa këtij iracionaliteti kolektiv që na ka mbërthyer në rrethanat e lirisë. Shpjegimet janë të shumta dhe shumë prej tyre mund të jenë edhe psikologjike.

Përgjigje të pjesshme mund të na japë trauma post-koloniale e Kosovës. Padrejtësitë historike të patrajtuara të shumë brezave të shqiptarëve na kanë ngujuar në mendësinë kolektive të viktimës, edhe në rrethanat e sotme kur kemi pushtet dominues në shtetin tonë. Problemi i një shoqërie të ngujuar në identitetin e viktimës është se viktima nuk mund t’i japë vetes kuptim pa ekzistencën e armikut dhe ka varshmëri nga natyra armiqësore e marrëdhënies. Për viktimën, vetë ideja e një të ardhmeje paqësore me armikun mund të jetë destabilizuese.

Trauma post-koloniale prodhon gjithashtu edhe vetëbesim të ulët kolektiv, paranojë dhe një projektim të zmadhuar të armikut, që burojnë nga e kaluara e të qenit më i dobët dhe nën pushtim.

Në rrethanat e lirisë, ekzistenca dhe rreziku i vazhdueshëm prej armikut të jashtëm ka gjithashtu edhe efekt terapeutik, sepse është burim homogjeniteti shoqëror – në përballje me armikun (Serbinë) ne jemi të gjithë bashkë dhe i vendosim në rrafsh dytësor përçarjet tona të tjera shoqërore (politike, rajonale, fetare, etj).

Por, përtej fenomeneve të psikologjisë kolektive, Serbia si armike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nevojë politike jetike e pushtetarëve të Kosovës, të cilët i ushqejnë këto emocione dhe trauma në opinion publik.

Siç na mëson historia politike e të gjitha regjimeve autoritare, theksimi i tepruar i kërcënimit të jashtëm është instrumenti politik më i fuqishëm për shtypjen e pakënaqësive politike të brendshme dhe i delegjitimimit të kritikës ndaj qeverisë si armiqësore.

Jo rastësisht, sot e gjithë kritika ndaj Qeverisë së Kosovës etiketohet në kallëp nga figura të pushtetit dhe nga agjentët e tyre mediatikë si e frymëzuar dhe sponsorisuar nga Serbia. Dhe, jo rastësisht, në rrethanat e mungesës së rezultateve qeverisëse, mbahet gjallë fryma e kërcënimit permanent dhe prodhohen drama të njëpasnjëshme të sigurisë.

Serbia ka synime armiqësore ndaj shtetësisë së Kosovës dhe prej vitesh po detyrohet me zor nga Perëndimi që të bëjë paqe me të. Por, fatkeqësia jonë është se këtë skenar nuk e duam as ne. Kjo sepse Serbia armiqësore është edhe mik i pandashëm dhe i dobishëm i mbulimit të dështimeve të politikanëve të Kosovës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.