Ardhja e estonezes Kaja Kallas në krye të politikës së jashtme të BE-së mund të përbëjë një pikë kthese për diplomacinë europiane. Me një histori të gjatë të angazhimit kundër agresionit rus dhe mbështetjes së të drejtave sovrane të vendeve më të vogla, Kallas-i pritet të sjellë një qasje më të vendosur.
Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, ardhja e Kallas-it do të ketë një vëmendje të veçantë, sidomos në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja. Pritet të shihet nëse Kallas-i do të ketë qasje ndryshe nga paraardhësi i saj Josep Borrell.
Kallas-in e pret një dialog i ndërlikuar dhe pothuajse i stagnuar totalisht. Tensionet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë sulmet në Ibër-Lepenc and Banjska, së bashku me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kanë nxjerrë në pah pasojat e mospërparimit në dialog, si dhe mungesën e llogaridhënies së Serbisë për veprimet e saj destabilizuese.
Muajt në vijim do të tregojnë nëse Kallas-i mund të ofrojë ndryshimin e shumëpritur në qasjen e BE-së në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Për të pasur sukses, Kallas-i duhet t’i adresojë disa sfida kyçe:
Sfida 1: Moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit
Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit përballet me sfida të shumta që burojnë nga tensionet politike, mungesa e besimit mes palëve dhe qasja shpeshherë e dobët e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Një nga pengesat kryesore është mungesa e një mekanizmi efektiv për monitorimin dhe zbatimin e përkushtimeve, që ka lejuar palët, veçanërisht Serbinë, të vonojnë ose shmangin realizimin e angazhimeve të tyre. Kjo situatë është komplikuar edhe më tej nga veprimet provokuese në terren, si sulmet e fundit në Ibër-Lepenc dhe Banjskë, të cilat minojnë përpjekjet për ndërtimin e një dialogu konstruktiv.
Ndërkohë, qëndrimi shpesh akomodues i disa shteteve anëtare të BE-së ndaj Serbisë dhe mungesa e një presioni të qartë – si dhe e një politike të qartë të shkopinjve dhe karotave – ndaj palëve për të respektuar marrëveshjet, kanë krijuar një klimë paqartësie dhe frustrimi. Këto sfida e bëjnë të domosdoshme një qasje më të vendosur dhe të strukturuar nga BE-ja, nën udhëheqjen e Kaja Kallas-it, për të garantuar që Marrëveshja e Ohrit të mos mbetet vetëm një dokument që nuk zbatohet në praktikë.
Sfida 2: Sulmi në Banjskë dhe Ibër-Lepenc
Sulmet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë ato në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, kanë pasqyruar pasojat e një qasjeje të zbutur dhe tolerante të BE-së ndaj Serbisë. Për vite me radhë, Serbia ka përfituar nga politika akomoduese e BE-së, duke përdorur taktika provokuese për të forcuar pozitat e saj në dialog, pa u përballur me pasoja të rëndësishme. Këto ngjarje kanë nxjerrë në pah nevojën për një ndryshim të qasjes nga BE-ja, në mënyrë që të ruhet kredibiliteti i saj si ndërmjetës i paanshëm.
Mungesa e një reagimi të fortë nga BE-ja ndaj incidenteve të fundit ka forcuar perceptimin se qasja aktuale është e dobët. Në vend që të adresojë shkaqet rrënjësore të tensioneve, BE-ja ka tentuar të amortizojë situatën duke shmangur përplasjet direkte me Serbinë. Kjo qasje ka dëmtuar procesin e dialogut dhe ka ulur besimin e Kosovës në rolin ndërmjetësues të BE-së.
Sfida 3: Emërimi i emisarit dhe personelit të ri
Emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i përfundon zyrtarisht mandati në janar 2025. Gjatë takimeve të Kallas-it me liderët e Kosovës dhe Serbisë në fillim të muajit dhjetor, Lajçaku nuk ishte prezent. Ky fakt mund të interpretohet si një shenjë se BE-ja po shqyrton riorganizimin e rolit të saj ndërmjetësues.
Pritet të shihet nëse Kallas-i do të emërojë një emisar për Ballkanin Perëndimor, që do ta merrte rolin e Lajçakut, apo nëse do ta bëjë një gjë të tillë duke u përqendruar vetë në rajon. Megjithatë, Kallas-it i duhet një ekip për Ballkanin Perëndimor dhe, në rastin e emërimit të emisarit të ri, i duhet një individ me eksperiencë të gjatë në diplomaci. Mbetet për t’u parë nëse emërimi i stafit dhe emisarit të ri do të sjellin ndryshime thelbësore në dialog.
Sfida 4: Sigurimi i mbështetjes nga vendet anëtare të BE-së
Sigurimi i mbështetjes nga shtetet anëtare të BE-së do të jetë një sfidë në vetvete. Disa vende të BE-së shohin Serbinë si një partner të rëndësishëm në Ballkan për stabilitetin rajonal dhe kanë shmangur presionin ndaj saj për të mos rrezikuar marrëdhëniet dypalëshe. Kjo përfshin shtete që kanë lidhje të ngushta tregtare me Serbinë, ose që mbështesin një qasje të moderuar për të shmangur përplasjet në procesin e zgjerimit të BE-së. Për më tepër, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga disa anëtarë të BE-së e komplikon më tej krijimin e një qasjeje të unifikuar dhe të balancuar në dialogun Kosovë-Serbi.
Për të kapërcyer këto sfida, Kallas-i duhet të përdorë aftësitë e saj diplomatike për të ndërtuar një konsensus që reflekton parimet europiane të drejtësisë dhe stabilitetit, duke ruajtur një baraspeshë mes interesave kombëtarë të shteteve anëtare dhe përgjegjësisë kolektive të BE-së si ndërmjetëse në proces.
Ardhja e Kaja Kallas-it si shefe e re e Politikës së Jashtme të BE-së përfaqëson një mundësi për të transformuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Megjithatë, sulmet e fundit në veri të Kosovës dhe tensionet e vazhdueshme, krahas moszabtimit të Marrëveshjes së Ohrit, tregojnë se qasja aktuale nuk është e qëndrueshme.
Nëse BE-ja dhe Kallas-i dështojnë t’i adresojnë këto sfida, procesi i dialogut rrezikon të humbasë kredibilitetin dhe efektivitetin e tij. Suksesi i Kallas-it si udhëheqëse diplomatike do të matet nga aftësia e saj për të promovuar një politikë europiane që reflekton vlera të drejtësisë dhe qëndrueshmërisë dhe, si zakonisht, testi i lakmusit është në dialogun Kosovë-Serbi.