Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shkrim për mbamendjen kundër harresës

“Lufta e njeriut kundër pushtetit është luftë e mbamendjes kundër harresës” – është fjalia me të cilën Milan Kundera e përmbyll tregimin e shkurtër mbi heroin çek të Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunëtorin më të ngushtë të liderit komunist Klement Gottwald, Vladimir Clementis.

Për popullin çek, në vitet e para të pasluftës, imazhi i çlirimit nga nazizmi ishte fotografia e famshme e shpërndarë në qindra mijëra kopje, ku lideri komunist i drejtohet triumfalisht masës së mbledhur në Sheshin e Qytetit të Vjetër, me “Vlado” Clementis në krah të tij, si një prej figurave kyçe të luftës anti-fashiste. Vetëm 4 vjet pas momentit kur ishte bërë fotografia, Clementis dënohet me varje për tradhëti ndaj partisë, dhe çrrënjoset nga historia, deri në pikën që fotografia e famshme retushohet duke e fshirë figurën e tij tërësisht dhe duke e lënë vetëm liderin komunist Klement Gottwald në paraqitjen para masës së entuziazmuar. Me këtë tregim Kundera e fillon librin e tij të famshëm “Libri i Qeshjes dhe Harresës”.

Është thënë e stërthënë tashmë se si pushtetet totalitare nuk lejojnë vrima në tregimin e tyre. Sepse vrimat lënë mundësi për të ngritur pyetje. E ngritja e pyetjeve është kushti i parë dhe elementar i rënies së një pushteti totalitar. Vazhdimi i ekzistencës së Clementis në fotografi krah liderit komunist çek, do të mund të shkaktonte shumë pyetje për popullin çek (“ku është ai sot?”, “si është e mundshme që njeriu i dytë i luftës antifashiste na qenkësh tradhtar partie?”, “a e dinte lideri komunist këtë nga fillimi?”, “nëse nuk e dinte, a i bjen që ai nuk është i gjithëdijshëm siç hiqet të jetë?”, etj.). Prandaj duhej hequr nga fotografia dhe duhej fshirë nga kujtesa kolektive. Është zgjidhja e vetme për një pushtet që ka premtuar t’i ketë të gjitha përgjigjjet, dhe ja ku ndodhet para ca pyetjeve shumë të thjeshta por që s’u përgjigjet dot.

Harresa, pra, është një prej mekanizmave kryesorë me të cilët operon pushteti totalitar. Harresa bëhet mekanizmi më i rëndësishëm i pushteteve populliste, të vetëdijshme që asnjëherë nuk do ta përmbushin premtimin, përmes të cilit erdhën në pushtet, për parajsën që do të ndodh mbi tokën ku ata do të qeverisin. E për të fshehur jo-perfeksionin e tyre, duhet të fshijnë çdo pikë reference e krahasimi. E kaluara duhet të jetë qindpërqind në përputhje me të tashmen. Nuk duhet lejuar të ketë shpërputhje që shtrojnë pyetje të tipit “pse në të kaluarën keni thënë kështu, kurse sot po veproni ndryshe?”.

Retushimi nuk ndalet tek tregimi mbi të kaluarën. Ai prek edhe gjuhën, e cila është parakushti themelor i mendimit. E këtu nuk mund të mos e kujtojë një artikull të mrekullueshëm të vitit 2006, të Glauk Konjufcës, ku duke iu referuar kryeveprës së Orwellit “1984”, tregon sesi pushteti totalitar, duke e retushuar gjuhën ekzistuese, e krijon gjuhën e vetë të re, nga e cila lë jashtë çdo nocion potencialisht subverziv. Shkrimin “Gjuhëreja” të Glaukut nuk arrita ta gjej askund në internet, as në faqen e VV-së. Një rastësi ironike!

Të gjitha këto mendime m’u sollën pashmangshëm nëpër kokë, kur pashë fotografinë e retushuar të përgjegjësve për vdekjen e Astrit Deharit. Nuk ka nevojë të jesh vështrues i hollë, për të përë skicat e figurave të reja që tentohet të shtohen në këtë fotografi. Figura që s’kanë qenë asnjëherë aty. Ish-shokët më të mirë të Astritit! Bash ata që ishin të vetmit që kishin guxim të mbanin konferenca shtypi në kohën kur Astriti mbahej në burg, atëherë kur askush nga udhëheqësit e tjerë të VV-së nuk guxonte t’i mbronte publikisht aktivistët e vetë, që padrejtësisht po akuzoheshin për terrorizëm. Pra në fotografinë e retushuar tentohet të futen pikërisht ata që “rastësisht” sot qëllojnë të jenë mbamendësit kryesorë të së kaluarës së partisë, pjesë e së cilës nuk janë më. Dhe ja ku e kemi retushimin e së kaluarës për ta përshtatur me tregimin dhe propagandën e së tashmes.

E ndërkohë, nga kjo fotografi janë fshirë Isa Mustafa dhe Skender Hyseni – që kishin pozitat kyçe të pushtetit në kohën kur vdiq Astriti. Janë fshirë Gazeta Express dhe Berat Buzhala – që ishin zëri kryesor medial i montimit të rastit që e mbante në burg Astritin si dhe i propagandës së pushtetit pas vdekjes së tij. Janë fshirë të gjithë ata, ndërmendja e të cilëve sot mund të shtrojë pyetje jo të këndshme për pushtetin që po vjen. Pyetje të tipit “si mund të bëni koalicion me Isa Mustafën nëse ai ka qenë njëri nga përgjegjësit e vdekjes së Astritit?”, “pse shkojnë Albin Kurti dhe VV në Gazetën Express si në shtëpinë e tyre, nëse ajo ka qenë shtëpia ku është përgatitur krimi propagandistik e medial ndaj Astritit?”.

Këto do të ishin pyetjet e para të cilave pushteti në ardhje nuk do të mund t’u përgjigjej në asnjë mënyrë. Prandaj zgjodhi metodën e vjetër të pushteteve simotra. Harresën.

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.