Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si duhet të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?

Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është shndërruar në mollë sherri mes Kosovës dhe Serbisë. Për të formuar një asociacion që i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ai duhet të jetë multietnik, në shërbim të parimit të subsidiaritetit, dhe pjesë e një zgjidhjeje europiane, pjesë e një euroregjioni, bashkë me një asociacion të ngjashëm të komunave me shumicë të komuniteteve jo-serbe në Serbi.

Pozicionet e të dyja palëve mbi temën e Asociacionit janë në kundërthënie direkte. Zyrtarët serbë vazhdojnë ta theksojnë se formimi i AKS-së është “kusht i të gjitha kushteve” për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve. Kurse Kosova ka dalë me një listë të kushteve si udhërrëfyes për formimin e këtij asociacioni.

Pozicioni i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti listoi në Kuvend gjashtë kushte për themelimin e ASK-së. Gjashtëpikëshi nënvizon mes të tjerash se asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi; se nuk mund të jetë monoetnik dhe nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv; të drejtat e pakicave kombëtare duhet të bëhen sipas parimit të reciprocitetit; strukturat paralele në veri duhet të shuhen dhe se asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke.

Sa i përket natyrës së tij, na ndihmon të kthehemi te dokumentet bazike dhe t’i rishikojmë ato.

Në kohën kur flitet për themelimin e një trupi sipas një marrëveshjeje që është arritur më 2013, është domosdoshme të rishikohen pjesët kyçe të dokumentit; gjithashtu duhet të kthehemi edhe te Plani i Ahtisaarit.

Kthimi te baza ligjore

Baza e parë ligjore është Planii i Ahtisaarit, specifikisht Neni 9.2 mbi bashkëpunimin ndërkomunal thotë: “Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në një asociacion të komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkët, në pajtueshmëri me ligjin.

Neni pasues thotë se: “Anëtarësimi në asociacionet e tilla do të kufizohet në komuna të Kosovës. Asociacionet e tilla mund të bashkëpunojnë me homologët e tyre ndërkombëtarë.” Dhe neni 9.2.2, thotë: “Asociacionet e tilla mund t’u ofrojnë anëtarëve të tyre disa shërbime, duke përfshirë trajnime, ngritje të kapaciteteve, ndihmë teknike, hulumtim lidhur me kompetencat komunale dhe rekomandime të politikave.”

Pastaj vjen Marrëveshja e Brukselit, ose “Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”. Pika 3 e marrëveshjes thekson se “Asociacioni/Bashkësia do të themelohet në bazë të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, p.sh., President, Nënkryetar, Asamble, Këshill.” Vini re se kjo “p.sh.” nuk domethënë “duke përfshirë”, por vetëm “për shembull”, por që në këtë rast nuk është në përputhje me strukturën e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).

Tutje, Neni 4 thotë se: “Në pajtim me kompetencat e dhëna nga Karta Europiane e Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjet e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin e pushteteve (kompetencave) të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit kolektivisht. Asociacion/Bashkësia do të ushtrojë mbikëqyrje (vështrim) të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

Pra, kjo marrëveshje e përcakton se struktura e Asociacionit duhet të jetë e bazuar në atë të AKK-së dhe përcakton fushat e “vështrimit” të Asociacionit. Një Marrëveshje tjetër mbi Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore u nënshkrua në vitin 2015.

Kjo marrëveshje u gjykua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mos jetë “tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 (Barazia para ligjit), paragrafi 1, me Kapitullin II (Të drejtat dhe liritë themelore) dhe me Kapitullin III (Të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”

Sa i përket kësaj marrëveshjeje ka dy pikëpamje. Njëra thotë se kjo marrëveshje tashmë është e pavlefshme për shkak se nuk e ka kaluar testin kushtetues. Kurse pikëpamja tjetër thotë se ato pjesë të marrëveshjes që nuk janë identifikuar si problematike, mund të zbatohen. Pozicioni i Kosovës përputhet me pikëpamjen e parë. Po ashtu, duhet theksuar se kjo marrëveshje, për dallim nga ajo e vitit 2013, nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Pra, qëndrueshmëria e kësaj marrëveshjeje është tejet e dobët.

Natyra e Asociacionit

Sa u përket shërbimeve, në përputhje me Planin e Ahtisaarit, Asociacioni mund të ofrojë për komunat anëtare trajnime, ngritje të kapaciteteve, ndihmë teknike, hulumtim lidhur me kompetencat komunale. Kurse, sa u përket akteve të Asociacionit, ai nxjerr rekomandime (të politikave), pra jo vendime apo rezoluta. Është e domosdoshme që këto kufizime të Planit të Ahtisaarit duhet të kihen parasysh në dizajnimin e asociacionit.

Ngjashëm, Plani i Ahtisaarit referohet edhe te Karta Europiane e Vetëqeverisjes Lokale. Duhet pasur parasysh se kjo kartë frymon me parimin e subsidiaritetit, i cili kërkon që ofrimi i shërbimeve të jetë sa më afër qytetarit. Në këtë kontekst, ofrimi i shërbimeve për qytetarët bëhet nga komunat. Pra, çfarëdo përbashkimi i kompetencave komunale në një trup tjetër mbikomunal është në kundërshtim me parimin e subsidiaritetit dhe me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Koncentrimi i kompetencave komunale në një trup kuazi-autonom regjional nuk u shërben qytetarëve. Duhet theksuar se disa komuna me shumicë serbe kanë kompetenca të zgjeruara me Planin e Ahtisaarit. Kështu që edhe një asociacion i thjeshtë, pa asnjë kompetencë shtesë, i afrohet një niveli të mesëm të qeverisjes, kurse një asociacion me kompetenca shtesë/ekzekutive do të nënkuptonte, de fakto, krijimin e një niveli të mesëm qeverisës.

Një çështje tepër e rëndësishme është parimi i multietnicitetit. Parimi i multietnicitetit mund të plotësohet në disa mënyra. Së pari, mund të jenë pjesë e Asociacionit komunat ku ka pakica serbe (p.sh., Kamenica, Vushtrria), në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve edhe për ata qytetarë, ngjashëm me Këshillin e Përbashkët të Komunave në Kroaci, ku bëjnë pjesë edhe komunat me pakicë serbe.

Së dyti, mund të përfshihen komunat amë të komunave të reja me shumicë serbe, p.sh., Vitia si komunë amë e Kllokotit. Së treti, mund të krijohen trupa të rinj për të ofruar shërbime më të mira, si p.sh., Qyteti i Mitrovicës ku bëjnë pjesë dy komunat e Mitrovicës Veriore dhe Jugore, dhe qyteti i Prishtinës, ku bëjnë pjesë komunat e Prishtinës, Graçanicës (si dhe Fushë-Kosovës e Obiliqit), dhe këto qytete së bashku me komunat janë pjesë e Asociacionit.

Dhe së katërti, mund të ketë një kombinim të dy apo tri modeleve të listuara më lart, mirëpo nëse fokusi është te përfshirja e sa më shumë qytetarëve të komunitetit serb, atëherë mund të merret për bazë modeli kroat. Ngjashëm, parimi i multietnicitetit dhe konsocionalizmi që ekziston në institucionet e Kosovës duhet të zbatohet edhe në organet e Asociacionit, pra vende të garantuara në kuvend, bord dhe staf për komunitetet jo-shumicë.

Gjithashtu, duke qenë në përputhje me thirrjet për një solucion europian, Asociacioni duhet të jetë pjesë e një euroregjioni, ku në anën tjetër të kufirit do të bënte pjesë një asociacion i komunave të pakicave etnike në Luginë të Preshevës. Natyra e atij asociacioni do të ishte e ngjashme me asociacionin e formuar në Kosovë. Kjo, përveçqë ofron shërbime më të mira për qytetarët, do të ishte një garancë nga Serbia se nuk ka synime destabilizuese me shtyrjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Duke i respektuar këto parime, do të kishim një asociacion që i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.