Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si ndikon mosrreshtimi ndërkombëtar i Serbisë në dialogun me Kosovën?

Pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet ndërkombëtare u dominuan për katër dekada nga dy superfuqi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik. Si rezultat, shumica e shteteve kishin tendencë të ndaheshin në dy blloqe të udhëhequra nga këto dy shtete.

Kjo periudhë bipolare njihet ndryshe edhe si Lufta e Ftohtë, me të cilën nënkuptojmë rivalitetin mes këtyre dy blloqeve ndërkombëtare.

Megjithatë, një grup i shteteve refuzuan me këmbëngulje rreshtimin krah ShBA-së apo Bashkimit Sovjetik. Rrjedhimisht, ky fenomen i hapi rrugë politikës së mosrreshtimit (apo mosinkuadrimit).

Mosrreshtimi është një politikë e jashtme që synon të ruajë pavarësinë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Është një politikë e mospërcaktimit me asnjë bllok apo aleancë. Sidoqoftë, mosrreshtimi nuk nënkupton politikë pasive apo të izolimit, por një politikë të angazhimit me komunitetin ndërkombëtar mbi bazën e interesave të përbashkët të shteteve të parreshtuara.

Lëvizja e të Pa-Inkuadruarve (Non-Aligned Movement, NAM), u themelua në vitin 1961 dhe që atëherë është rritur në 120 shtete anëtare. Jugosllavia ka qenë një nga themelueset e kësaj lëvizjeje, me Beogradin si vend i nënshkrimit të marrëveshjeve të para.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, koncepti i mosrreshtimit ka evoluar duke përfshirë idenë e “mosrreshtimit aktiv”, i cili thekson nevojën që shtetet e vogla dhe të mesme të luajnë një rol më proaktiv në formësimin e sistemit ndërkombëtar, duke ruajtur pavarësinë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mosrreshtimi aktiv bazohet në idenë se shtetet e vogla dhe të mesme mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në çështjet globale, duke punuar së bashku dhe duke promovuar interesa të përbashkët.

Të njëjtën qasje në marrëdhënie ndërkombëtare e ka edhe Serbia. Duke e ndjekur rrugën e mosrreshtimit, Serbia refuzon të rreshtohet tërësisht me politikat e BE-së, që ndikon direkt në marrëdhëniet me Kosovën.

Mospërafrimi i Serbisë me politikën e jashtme të BE-së ka qenë një term mjaft shqetësues për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Në vitin 2022, niveli i përafrimit të Serbisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Përbashkët të BE-së (CFSP) ishte vetëm 48 për qind, që është një rënie e ndjeshme nga viti paraprak (61%).

Serbia ka shmangur përafrimin me masat e BE-së kundrejt Rusisë dhe Kinës. Një ndër arsyet kryesore për këtë pozicionim të Serbisë është çështja e Kosovës. Serbia kërkon në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Me gjithë qasjen e Serbisë, Perëndimi ka synuar vazhdimisht që ta tërheqë Serbinë nga orbita ruse, duke ofruar karota diplomatike.

BE-ja e ka bërë këtë duke u zotuar për një rrugë më të shpejtë të anëtarësimit të Serbisë në BE dhe duke premtuar fonde multimilionëshe, ku përfshihen projekte infrastrukturore për ndërtim dhe përmirësim të boshtit kryesor hekurudhor dhe të autostradave.

Megjithatë, kjo qasje ka dështuar sepse Serbia ka vazhduar me retorikën luftë-nxitëse dhe destabilizimin e rajonit.

Efektet e qasjes akomoduese të Perëndimit ndaj Beogradit janë ndier më së shumti në Kosovë. Edhe pse dialogu Kosovë-Serbi pretendon t’i adresojë çështjet thelbësore, tensionet midis dy vendeve kanë mbetur të larta.

Sulmi terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, nga paramilitarët serbë, ishte një dëshmi e pamohueshme se Serbia dëshiron destabilizim dhe nuk është e interesuar për zgjidhje të konfliktit me Kosovën.

Prandaj, qasja akomoduese e Perëndimit ndaj Serbisë ka dështuar që ta afrojë Serbinë më afër BE-së. Implikimet e kësaj janë se Serbia nuk do ta përafrojë politikën e saj me BE-në dhe për t’i arritur synimet e saj politike edhe mund të heqë dorë efektivisht nga anëtarësimi në BE si vazhdimësi e mosrreshtimit të saj.

Kjo nënkupton që BE duhet ta rimendojë politikën e saj akomoduese ndaj Serbisë, nëse dëshiron të ketë sukses në nxitjen e dy palëve për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Nëse BE-ja nuk e ndërron qasjen e saj, Serbia do të vazhdojë ta ndjekë rrugën e saj të mosrreshtimit, e papenguar, dhe për rrjedhojë do të vazhdojë të ketë impakt negativ në dialog.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.