Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si të menaxhohet dialogu me Serbinë

Si të menaxhohet dialogu me Serbinë

Po paralajmërohet se negociatat me Serbinë, pas shtatë vitesh, po hyjnë në një faze të re dhe siç po thuhet nga të dy palët po shkojnë kah finalja. Pritjet dhe qëllimet e Kosovës dhe Serbisë janë të ndryshme, bile deri në antagonizëm. Ky antagonizëm shpërfaqet edhe me rezultatet e deritashme, sidomos në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Përdorimi i teknikës së skenarëve, për të pasqyruar rrjedhat potenciale lidhur me fenomenet politike, ekonomike e biznesore, në kushte të ndërlikuara dhe të përcjella me pasiguri është një metodë dhe teknikë e rekomanduar për ndërtimin e strategjisë politike apo ekonomike. Natyrisht që skenarët dalin si rezultat i një analize të gjithanshme të faktorëve relevantë  politikë, ekonomikë, legjislativë, dhe faktorëve tjerë që shpërfaqin ndikimet e mjedisit në ngjarje të caktuara. Në këtë aspekt skenarët përvijohen në formë të pasqyrimit të një gjendjeje të re që krijohet si rezultat e veprimit të ndërlidhur të faktorëve të caktuar. Dhe ajo gjendje mund të pasqyrohet dhe përshkruhet edhe si një rrëfim dhe tregim.

Skenarët e prezantuar, me raportin e publikuar këto ditë nga BPGR dhe RIDEA në finale të negociatave me Serbinë, përfshijë (1) “Status kuo “ me variantin e tij edhe në formë të “prit dhe shiko” (ndërprerje); (2) Nënshkrimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me njohje reciproke dhe me variantin “Serbia e pranon shtetësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB për formalisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës” (3). Rirregullimi kufitar (territorial). Në intervistat që kanë bërë autorët (rreth 100 respondentë) kuptohet më së shumti aderues ka marrë skenari 2. Por se a do te ndodhë ai skenar apo të tjerë është një çështje që do analizë të mëtejme. Natyrisht që skenarët e prezantuar janë potencialisht të mundshëm, por mund të ketë edhe variante të tjera dhe kombinime të ndryshme nga skenarët potencialë.

Nëse skenarët bëhen për të ndërtuar një strategji përkatëse që përfshijë politika për t’ju përgjigjur sfidave që mund të sjellë secili nga skenarët alternativë dhe për të udhëhequr rrjedhat kah skenari i dëshiruar, atëherë nevojitet që në punën e mëtejme të thellohet analiza se cilët janë faktorët që do të determinojnë rrjedhën e ngjarjeve, që në teorinë dhe praktikën e skenarëve njihen si “key drivers of change”, pra faktorët determinues të ndryshimeve.  Të tillë mund të ketë shumë varësisht nga aktorët, mjedisi dhe natyra e problemit. Lidhur me rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi padyshim që mund të identifikohen një serë faktorësh, por nga ajo seri duket se janë dy faktorë kyç determinues, që kur vihen në ndërlidhje me njëri tjetrin përvijojnë skenarët e mundshëm ( “plausible”). Për ta thjeshtësuar situatën këtu ne po marrim dy faktorë kyçë që sipas të gjitha gjasave do të determinojnë rrjedhat dhe rezultatet e dialogut.

I pari është i lidhur me situatën gjeopolitike, situatën globale, tentimet e Rusisë që të rrisë ndikimin e saj në rajon dhe lojën që bën Serbia ne relacionet Rusi-BE, ose thënë me thjeshtë rrjedhat do të determinohen edhe nga fakti se sa strukturat Euroatlantike dhe faktorët pro Veriatlantik në rajon do të mbajnë situatën nën kontroll dhe evitojnë tendencat e Rusisë dhe dualitetin e ambiguitetin e politikës së Serbisë. Faktori i dytë kyç, determinues, është situata jonë e brendshme – stabiliteti politik, funksionimi demokratik i institucioneve, zbatimi i ligjit edhe aftësia për të krijuar konsensus midis forcave politike në çështjet me interes nacional. Prandaj përtej përvijimit të skenarëve, është e nevojshme që akterët tonë politikë të vetëdijesohen për situatën delikate dhe që me veprime të përgjegjshme të eksploatojnë mundësitë për të ndikuar në zhvillimet që lidhen me faktorët kyçë  determinues. Kjo është një aftësi e politikëbërjes që maksimalizon rezultatin e dialogut duke përfituar nga zhvillimet pozitive dhe duke minimizuar rrisqet nga zhvillimet negative.

Si rezultat i ndërveprimit të këtyre dy boshteve mund të realizohen skenarë të volitshëm, pjesërisht të volitshëm, ose të dëmshëm për Kosovën. Kështu për shembull, nëse të dy faktorët (situata gjeopolitike e mirë, Rusia nuk e rrit ndikimin në rajon dhe situata politike në Kosovë është stabile merr rrugë stabiliteti dhe nëse klasa politike e aftë për konsensus dhe për te servisuar aleancën veriatlantike, atëherë skenari më i volitshëm ka gjasa reale të ndodhë. Nëse gjërat lëvizën me situata të përziera do të ndodhin skenarë më pak të volitshëm dhe nëse në të dy boshtet situatë zhvillohen jo në favor të Kosovës, atëherë skenarët shkojnë kah drejtimi që do Serbia.

Nëse marrim si të dhënë se ne mund të ndikojmë pak ose hiç në rrafshin që përbën boshtin gjeopolitik dhe gjithashtu nëse kemi parasysh faktin se gjasat janë që strukturat variatlantike do ta ruajnë primatin në rajon, se ato do të kontrollojnë dhe evitojnë tendencën e infiltrimit nga Rusia, atëherë preokupimi ynë duhet të jetë me shumë me krijimin e situatës më të volitshme që lidhet me boshtin e dytë. Ajo që duhet të bëjmë ne lidhur me boshtin e parë është që ta kultivojnë e forcojmë partneritetin veriatlantik të Kosovës, duke mos e dëmtuar atë për shkak të rrjedhave të brendshme dhe duke evituar çfarëdo premisash të infiltrimit të Rusisë edhe në Kosovë. Një rrezik këtu u evitua me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

E në boshtin e dytë ka vërtet shumë punë, situata e tanishme nuk e volitshme për ne. Si pikë e parë – forcat politike duhet të heqin dorë nga eksploatimi i problemeve tona me Serbinë në luftën e brendshme politike e partiake, pra luftën primitive politike për pushtet edhe të evitojmë situata që shprehen me destabilizim të vendit. Nëse një klasë politike nuk është e aftë ose nuk do të krijojë konsensus nacional  lidhur me raportet me Serbinë, atëherë ajo nuk është e denjë ta udhëheqë vendin e as partitë e caktuara politike, pasi që ky fakt mund ta bëjë Kosovën të lëndueshme në rrjedhat e dialogut. Në atë situatë, përfitimet nga skenarët e volitshëm e potencialisht të mundshëm do të jenë të rrezikuara seriozisht.

Po kaq të rëndësishme janë edhe aspektet e funksionimit të institucioneve demokratike dhe gjyqësorit për të zbatuar ligjin dhe evituar incidentet, dhe krizat që po na përcjellin. Demonstrimi i aftësive për konsolidim të shtetit dhe funksionim të tij në secilën situate ka nevojë të ngrihet në nivel shumë më të lartë. Avaritë që po i shohim këto ditë duhet të riparohen. Pjesë përbërëse e konsolidimit të rrjedhave në këtë bosht është edhe publiciteti dhe marketingu politik, komunikimi me opinion e brendshëm dhe të jashtëm. Serbia po i paraqet këto biseda si gjoja negociata për zgjidhjen e çështjes së statusit, kurse ne po i paraqesim si negociata për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve. Por Serbia po ka sukses që të sfidojë Kosovën dhe tek njohjet e pavarësisë nga disa vende, pikërisht duke eskploatuar edhe negociatat. Pastaj për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, dy palët akuzohen njësoj e dihet se ajo që bën opstrukcion është Serbia. Ne e kemi neglizhuar shumë publicitetin politik, politikën e komunikimet aktive me botën dhe nevojën për t’iu kundërvënë propagandës serbe. E çuditshme kur të gjitha argumentet janë në anën tonë.

Një debat i angazhuar për këto çështje është i mirëseardhur dhe i nevojshëm. Përndryshe mund ta zënë befasitë dhe atë: të papërgatitur dhe të çuditur njëkohësisht.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.