Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sinjalet e Stoltenberg dhe mundësia për kreativitet të NATO-s

Sinjalet e Stoltenberg dhe mundësia për kreativitet të NATO-s

Vizita e fundit e Sekretarit të NATO-s z. Jens Stoltenberg në Kosovë duhet parë jo si një vizitë e rëndomtë apo rutinore por si një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri politik në vend. Sigurisht se gjuha neutrale që përdorë NATO ndaj Kosovës mund të ketë rritur frustrimin edhe në publikun e gjerë dhe se kjo mund të jetë një refleksion i heshtur për të mos e konsideruar një vizitë të tillë si të rëndësishme.

Vërtetë, siç do të kishte thënë një ish punonjës i kësaj organizate, burokracia e NATO-s sikurse nuk do të ‘’lëvizë anijen nga pozicioni aktual’’ gjë që e bënë rigjiditetin e saj më të theksuar sidomos kur krahasohet me BE-në e cila ka probleme politike të ngjajshme në raport me Kosovën por ka një pozicion më dinjitoz së paku kur i referohet Kosovës dhe institucioneve të saj. Në pikën e ultra-neutralitetit të NATO-s ndaj Kosovës nuk ka lëvizje dhe vërtetë nuk pritet të ketë.

Megjithatë, gjykuar nga sinjalet e Stoltenbergut transmetuar institucioneve të Kosovës dhe publikut në përgjithësi, sado që nuk mund të nxjerrim ndonjë risi, vërehet se ka një zbrapsje nga një pozicion mjaft refuzues që kishte burokracia e NATO-s në Bruksel në raport me procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri.

Rikujtojmë që në vitin 2018, kur u miratua pakoja e ligjeve për tranzicionin e FSK-së nga një mandat thjesht i reagimit emergjent në një mandat të mbrojtjes, NATO-ja zgjodhi një pozicion përtej neutral duke anuar në pozicionin refuzues, duke paralajmëruar edhe ngrirjen e bashkëpunimit ekzistues në mes të prezencës së saj në Kosovë dhe Qeverisë së Kosovës. Vendimi për tranzicion dëshmoi deri më tani se nuk ishte asgjë më shumë se sa një veprim i rëndomtë burokratik i institucioneve kosovare pa implikime për stabilitet dhe siguri e rajon.

Me kalimin e kohës, kreu dhe burokracia e NATO-s sikurse filluan të pajtohen me faktin se trajektorja e zhvillimit të FSK-së është e pakthyeshme dhe tashmë e pakontestueshme. Kur shtetet anëtare kyçe të NATO-s vijojnë (e disa intensifikojnë) mbështetjen bilaterale ushtarake të FSK-së, gjë që u konfirmua edhe nga Stoltenbergu, atëherë i mbetet NATO-s të mendojë ndonjë qasje kreative se si të veprojë në raport me zhvillimet brenda Ministrisë së Mbrojtjes kur tashmë do të debutohet në fazën e dytë të ndërtimit të kapaciteteve grupore të mbrojtjes.

Për shkak të mungesës së konsensusit, NATO ka vendosur të mos bëjë hap prapa, por as përpara megjithatë përzgjedhja e një qasje kreative në funksion të ndërtimit të kapaciteteve të këtij institicioni krahas akterëve të tjerë bilateral do të prodhonte benefite për të gjitha palët. Mbi të gjitha, frytet e saja do t’i shërbenin objektivit final të krijimit të një force me qëllime të mira e cila do të ishte prakikisht vetëm disa milje larg integrimit të plotë në NATO, në rast se do të zhbllokohej trajektorja politike e integrimit të Kosovës në këtë organizatë.

Sigurisht se zhbllokimi politik i integrimit në NATO është çelësi dhe këtë me të drejtë e ritheksoi Stoltenberg. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe një rezultat eventual në këtë proces do të ndryshonte komplet lojën në kontekst të pozicionit të NATO-s në raport me Kosovën.

Madje duke parë vizionin e pakontestueshëm të Kosovës për integrim në këtë aleancë dhe mungesën e çfarëdo koketimi me akterët jo-perëndimor (këtu mendoj në Rusinë, Kinën etj), integrimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO do të mund të shihej si një ndër derivatet kryesore të një marrëveshje eventuale me Serbinë. Për këtë është e rëndësishme që shteti i Kosovës t’i ketë synimet e qarta dhe të vijojë bashkëpunimin me NATO-n pavarësisht vështirësive dhe frustrimeve simbolike lidhur me denominimin që përdorin për Kosovën dhe institucionet.

Sigurisht se ështe tejet e rëndësishme që Kosova të jetë po aq e përkushtuar në procesin e krijimit të kapaciteteve të mbrojtjes po aq sa t’i mbajë zotimet e veta në raport me NATO-n. Insistimi për të sfiduar letër-këmbimin për mos-dërgimin e trupave të FSK-së në very është jo I duhur dhe do të përkeqësonte edhe më shumë marrëdhëniet mes NATO-s dhe Kosovës. Problemet ekzistuese në very të vendit janë të karakterit të krimit të organizuar të cilat mund të adresohen me forca të policies gjë që prezenca e KFOR-it nuk e ka kontestuar. Operacionet e njësive special të Kosovës në very të vendit janë përkrahur nga misioni i KFOR-it dhe për këtë duhet vlerësuar konstruktivitetin e tyre.

Tutje, është e rëndësishme që zhvillimi i kapaciteve të mbrojtjes të jetë transparent në raport me KFOR dhe NATO-n nëpër gjithësi pavarësisht problemeve politike që ekzistojnë. Në këtë dhe forma tjera, do të zhvillohej paralelisht pjesa kryesore e integrimittë NATO-s – ajo e konsolidimit të një force mbrojtëse sipas standardeve të shteteve të vogla ta NATO-s – deri në një realitet të ri eventual politik.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.