Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sinjalet që përçon diplomacia dhe (mos)aftësia për t’i kuptuar ato

Illustration: Big Eye

Marrëdhëniet diplomatike mes shteteve janë komplekse dhe shumëdimensionale. Në të shumtën e rasteve, ato mirëmbahen përmes prezencës diplomatike dhe konsullore të njërit vend në tjetrin, duke ndërlidhur kështu, jo vetëm qeveritë me njëra-tjetrën, por edhe bizneset e dy (a më shumë) vendeve, si dhe duke ofruar shërbime për qytetarët.

Këto marrëdhënie diplomatike mirëmbahen nëpërmjet ambasadave rezidente (në kryeqytetin pritës), konsullatave të përgjithshme dhe konsullatave (në qytete të tjera), si dhe ambasadave jorezidente (në kryeqytetin e një shteti tjetër).

Kosova i zhvillon marrëdhëniet e saj diplomatike me vendet e tjera nëpërmjet 50 ambasadave dhe konsullatave të saj nëpër botë, ndërkaq në Prishtinë janë të akredituara 29 misione diplomatike, si dhe një konsullatë e përgjithshme (e Turqisë) në Prizren.

Misionet diplomatike janë tejet të rëndësishme. Një pjesë e konsiderueshme e marrëveshjeve mes shteteve negociohen përmes lobimit dhe takimeve joformale. Madje, edhe në rastet kur palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta, përmes takimeve pas dyerve të mbyllura, mund të arrijnë deri në përafrim të qëndrimeve.

Pjesa formale e takimeve rëndom është rezultat i shumë takimeve joformale, të cilat kanë bërë të mundur përafrimin e qëndrimeve. Dhe kjo vlen për secilën çështje që mund t’i preokupojë qeveritë e dy shteteve.

Në këtë aspekt, unë i takoj linjës së mendimit që misionet diplomatike dhe konsullore luajnë një rol të jashtëzakonshëm në shkëmbimet mes shteteve dhe mirëmbajtja e tyre është e një rëndësie të madhe. Sidomos kur bëhet fjalë për një shtet si Kosova, që ka probleme me legjitimitetin e saj ndërkombëtar.

Për Kosovën, misionet diplomatike dhe konsullore janë jetike për të shtyrë para interesat jashtë, si dhe për të siguruar që mbështetjen e nevojshme për anëtarësime nëpër mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar.

Po aq e rëndësishme për Kosovën është edhe prezenca diplomatike e huaj në Kosovë. Meqë Kosova nuk njihet plotësisht, numri i misioneve diplomatike të akredituara në kryeqytetin e saj përçon një mesazh edhe te vendet të cilat nuk e njohin Kosovën, për faktin se Kosova megjithatë merret mjaftueshëm seriozisht nga shtete të caktuara sa për të hapur misione diplomatike në të.

Ndërkaq, për të përçuar sinjale se marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve nuk janë në nivel të duhur, shtetet zakonisht ulin nivelin e përfaqësimit në nivel të ngarkuarish me punë, duke i tërhequr kështu ambasadorët e tyre.

Në raste të rralla, mund të urdhërohet edhe mbyllja e misionit, sikundër ndodhi në rastin e Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare të Shqipërisë.

Rrjedhimisht, shtetet janë të kujdesshme për mesazhet që i përçojnë nëpërmjet misioneve diplomatike dhe konsullore.

Mbyllja e një misioni diplomatik tregon mungesën e rëndësisë që një shtet ka për shtetin dërgues. Në mesin e pesë ambasadave të tjera nëpër botë, Mbretëria e Norvegjisë vendosi që ta mbyllë edhe ambasadën e saj në Prishtinë.

Në hyrje të komunikatës së Qeverisë norvegjeze bëhet e ditur se do të shtohet numri i stafit nëpër disa misione diplomatike të cilat kanë rëndësi ekonomike për Norvegjinë, si dhe në fund tregohet për misionet që Norvegjia do t’i mbyllë.

Ky është mesazh i qartë që Kosova nuk përbën ndonjë relevancë të mjaftueshme për Norvegjinë sa për të mbajtur një mision rezident, i cili nga Prishtina e mbulonte edhe Shqipërinë në mënyrë jorezidente.

Në diplomaci, mesazhet përçohen në forma të ndryshme, e jo detyrimisht vetëm shprehimisht. Në artin e diplomacisë, leximi mes rreshtave është rrënjësor. Në këtë pikë, qeveria aktuale ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë në kuptimin e rëndësisë së mesazheve të cilat i përçohen Kosovës dita-ditës.

Këtu kam parasysh vizitat e shpeshta që emisarët e huaj po bëjnë në Kosovë, me qëllim të nxitjes së palës kosovare për të qenë serioze në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili po hyn në vitin e dymbëdhjetë të tij.

Por, në anën tjetër, liderët e po këtyre shteteve i shmangin takimet me liderët kosovarë, qoftë edhe nëpër konferenca të ndryshme, siç ishte kjo e fundit, pra Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku presidentja dhe kryeministri i Kosovës patën vetëm disa takime sipërfaqësore, në një konferencë që mbledh liderë nga e gjithë bota.

Mesazhe na përçohen përditë nga ambasadorët e vendeve të akredituara në Kosovë – dhe atë jo në mënyrë shumë të koduar – edhe për tema si Ligji për Zyrtarët Publikë e deri te Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Aseteve të Pajustifikueshme.

Në çështjen e targave, kjo qeveri ka dështuar t’i kuptojë të gjitha mesazhet që Kosovës i janë dërguar nga të gjithë aleatët e saj, ndërkaq me dorëzimet e njëanshme të aplikimeve për anëtarësim në mekanizma të BE-së, kjo qeveri ka arritur që ta sigurojë publikisht votën kundër të Hungarisë – shtet ky i cili gjithnjë ka votuar pro Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku Kosova ka aplikuar.

Por, në tjetrën anë, në mënyrë ndoshta edhe të pavetëdijshme, kjo qeveri po dërgon mesazhe të gabuara në shtetet ku ka misione diplomatike e konsullore, duke i mbajtur misionet kosovare me staf të reduktuar, e disa për më shumë se dy vjet pa ambasadorë. Apo edhe duke vazhduar të mbajë ambasadorin Martin Berishaj në krye të Ambasadës në Zagreb, një njeri të përfshirë në një skandal të madh në të cilin përfshihen tashmë katër shtete të rajonit.

Edhe pse ambasadori Berishaj mund të dalë plotësisht i pafajshëm, mbrojtjen duhet ta bëjë si qytetar i lirë, e jo duke u fshehur nën petkun institucional.

E përçimi i mesazheve të gabuara ka sjellë punën deri në atë pikë që Uashingtoni të sillet në mënyrë “brutale” me përfaqësuesit e Kosovës atje, siç sugjeron edhe vetë raporti i Ambasadorit Ilir Dugolli.

Institucionet e Kosovës kanë ditur të zhvillojnë komunikim e të kuptojnë mesazhe diplomatike edhe atëherë kur Kosova ka qenë nën okupim e edhe në kohën kur Kosova ishte drejt pavarësisë. Madje, falë zotësisë së lidershipit kosovar për t’i lexuar ato mesazhe, ne kemi arritur deri në këtë pikë ku jemi, përkundër vështirësive dhe rezistencës së vazhdueshme të Serbisë dhe aleatëve të saj në Moskë, Pekin, e gjetiu.

Kosova nuk mund të rifillojë mësimin e leximit të mesazheve 15 vjet pas formalizimit të shtetësisë. Qeveria e Kosovës duhet në mënyrë urgjente ta rikalibrojë qasjen e saj në diplomaci, sepse dështimi për t’i kuptuar sinjalet diplomatike apo kuptimi vonë i mesazheve, ka kosto të madhe për një shtet të vogël si Kosova.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.