Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sistemi ekonomik me standardin më të mirë të jetesës

Fondacioni Heritage në SHBA bën studimin e sistemeve ekonomike të botës, tash 23 vite me radhë. Ky studim, i quajtur Indeksi i Lirisë Ekonomike, bëhet për të kuptuar çfarë sistemesh ekzistojnë dhe cilat ofrojnë standardin më të mirë të jetesës për qytetarët e tyre.

Heritage i rendit vendet sipas lirisë ekonomike, e cila përcaktohet nga 12 kritere. Vendet që kanë sundim të mirë të ligjit, qeveri të vogël, rregulla efikase dhe tregje të hapura konsiderohen të kenë liri më të madhe ekonomike dhe anasjelltas. Liria ekonomike nënkupton, pra, përfshirje sa më të vogël të shtetit në ekonomi.

Pas renditjes në listën e lirisë ekonomike vendet analizohen për nga standardi i jetesës për të përcaktuar se a ka lidhshmëri mes këtyre të dyjave.

Thënë troç, përfundimi i raporteve të Heritage është se ka lidhshmëri dhe që vendet me liri më të madhe ekonomike kanë standard më të mirë të jetesës. Ato vende shoqërohen me të ardhura më të larta për kokë banori, me mirëqenie të përgjithshme, me shëndet, edukim, ambient të pastër, novacion, përparim shoqëror dhe qeverisje demokratike.

Për më tepër, Heritage vëren se këto përfitime në standardin e jetesës që i sjell liria ekonomike nuk varen nga faktorë të tjerë gjeografikë, demografikë, apo çfarëdo qofshin ata. Heritage pohon se vendet me liri më të madhe ekonomike, siç tregojnë dëshmitë empirike të mbledhura nga ta, “e kapitalizojnë në mënyrë më të përmbushur aftësinë e sistemit të tregut të lirë, jo vetëm për të krijuar rritje ekonomike, por edhe për të përforcuar rritjen dinamike nëpërmes rezervimit efikas të burimeve [ekonomike], krijimit të vlerës dhe novacionit”.

Grafiku i mësipërm (i përkthyer në shqip) jep një pasqyrë të qartë. Në pjesën e parë vërehet një lidhshmëri statistikore 0.63 mes lirisë ekonomike dhe Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për kokë banori (përshtatur për fuqinë blerëse). Pra vendet me liri më të madhe ekonomike kanë BPV për kokë banori më të madh.

Në pjesën e dytë të grafikut merren parasysh pesë vendet me lirinë më të madhe dhe më të vogël ekonomike në pesë rajone të mëdha të botës. Këtu dëshmitë janë edhe më të mprehta. Ekziston një hendek i madh në të ardhurat për kokë banori mes tyre.

Grafiku tjetër tregon se sa më shumë që rritet liria ekonomike, aq më shumë zhvillohet ekonomia globale dhe bie varfëria. “Vendet që lejojnë pronën private dhe e mbrojnë atë me masa juridike, inkurajojnë më shumë nisma ndërmarrësore sesa qeveritë që kërkojnë pronësi apo kontroll kolektiv të burimeve ekonomike”, shkruan në raport.

Po ashtu, “qeveritë që i dominojnë ekonomitë e vendeve të tyre me tatim të rëndë dhe shpenzim deficitar i varfërojnë qytetarët e tyre me amulli të gjatë ekonomike që përkeqësohet nga barra e borxhit të lartë”.

Ndërsa “vendet që praktikojnë një formë të tregut të lirë, me ekonomi të hapura ndaj tregtisë globale, investimit dhe tregjeve financiare, ia dalin më mirë sesa ato që janë të mbyllura apo i ikin lidhjeve ekonomike me të tjerët”. Si dhe “vendet me nivele më të larta të lirisë ekonomike shijojnë zhvillim më të lartë njerëzor në kuptim të jetëgjatësisë, aftësisë për shkrim dhe lexim, edukimit dhe cilësisë së jetës në përgjithësi”.

Një fushë në të cilën raporti nxjerr dëshmi interesante është cilësia e ambientit. Edhe ithtarët më të mëdhenj të lirisë ekonomike e kanë kritikuar atë si ndotëse e ambientit nëpërmes inkurajimit të kompanive private për të prodhuar, duke neglizhuar pasojat mjedisore.

Në fakt, raporti tregon se vendet me liri më të madhe ekonomike kanë indeks më të lartë të performancës ambientale. Raporti shkruan që “zhvillimet më të jashtëzakonshme në përdorimin e energjisë së pastër dhe efikase përgjatë dekadave të fundit nuk janë rezultat i rregullimit qeveritar, por i përparimit teknologjik dhe i tregtisë. Në botë, liria ekonomike ka qenë faktor kyç në zhvillimin e kapaciteteve të vendeve për novacion dhe rrjedhimisht, duke e bërë këtë, e ka përmirësuar performancën ambientale në përgjithësi”.

Është e rëndësishme të kuptohet që studimet e Heritage nuk janë teorike apo ideologjike. Ato thjesht i paraqesin dëshmitë empirike, pa mbështetur apo kundërshtuar në teori përfundimet që ato dëshmi i nxjerrin. Në këtë kuptim, përfundimet e raporteve të Heritage, nuk janë opinione personale por dëshmi të forta për karakteristikat e sistemeve ekonomike dhe rezultatet e tyre në kuptim të standardit të jetesës.

Për fat të mirë, liria ekonomike në botë është duke u rritur dhe me të bota është duke shijuar rezultate më të mira në standardin e jetesës. Kosova, e cila gjendet e renditur në vendin e 46-të në botë, është përmirësuar në krahasim me vitin e kaluar por ende duhet të bëjë ndryshime të mëdha ekonomike. Tani që ekziston një udhërrëfyes, nuk ka më arsyetim për injorancë.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.