Mungesa në cilësi dhe të gjitha problemet e shfaqura në Universitetin e Prishtinës janë reaksion i mungesës së një sistemi meritokratik në këtë shoqëri. Studentët tanë nuk kanë qëllim të përgatiten cilësisht për treg të punës por administrativisht me paisje diplome, të mjafton të bashkëbisedosh me këdo dhe të njejtën përshtypje do ta krijosh gjithandej universiteteve në Kosovë. E kur ke një qasje të tillë, atëherë edhe reagime dhe kërkesa të tilla si të kësaj jave nuk duken të çuditshme.
Reagimet e studetëve të universitetit publik janë thjesht refleksion i problemeve të akumuluara ndër vite në këtë institucion. Vet diskutimi për afate është shqetësues, dhe tregon jo vetëm gjendjen në universitet por edhe kualitetin e asaj që servohet si dije, dhe për rrjedhojë produktin e saj, studentët . Ky institucion akademik është shndërruar në instrument politik, me fokus në gjithçka tjëtër përveç cilësisë.
Përkundër asaj që reagimi i përfaqësuesve studentor duket të jetë agjendë e klaneve të caktuara, shqetësuese për mua është insistimi i kahmotshëm i studentëve për çështje të tilla si afatet, kushtet për kalueshmëri etj. Çështje të tilla nuk janë kompetencë e studentëve dhe detaje jo aq të rëndësishme në krahasim me marrjen e dijes. Duket shumë e pakuptimtë kur shef student aq shumë të merakosur me çështjen e shtyrjes së afateve, kur në realitet ka aq shumë probleme të tjera substanciale të cilat me të vërtet janë pengesë për mësimnxënie.
Ështe paradoks i llojit të vet kur studentët kërkojnë shtim të afateve, e në të vërtetë mungojnë me literaturë cilësore, si kusht elementar për çfardo provimit. Kur kësaj i shtohet jokualiteti në ligjërim dhe vlerësim atëherë çfardo kërkese tjetër duket absurde.
Sikur të analizohen metodat e vlerësimit në universitetin publik, dyshoj që vlerësimi bëhet duke u bazuar në standarde të mirëfillta të përplimt të tesit e lëre më të notimit. Vetëm moskalimi i studentëve nuk është dëshmi e një vlerësimi kriterior, përkundrazi është indikator i dështimit të mësimdhënësve po ashtu.
Është pikërisht mësimdhënia nga profesorët universitarë ajo që nxit të mësuarit përmendësh, dhe si e tillë ke student që qëllim të vetëm kanë të hyjnë disa herë në provime, më shumë për të provuar fatin dhe rastësinë, sesa me qëllim të dëshmuarit të dijes. Jam shume i bindur që shumë provime janë përsëritje ndër afate, duke ua dhënë mundësinë studentit përsëritës të barazohet me një student të përkushtuar gjatë testimit të rregullt. Nëse ke pesë afate dhe një sistem jo të mirë administrativ atëherë manipulimi nga studentët është i pashmangshëm, dhe padyshim që do të humbet të vlerësuarit korrekt.
Përtej këtyre, është enigmë për mua se si profesorë me kredenciale akademike, vëjnë interesin personal para atij institucional. Nëse edhe kjo shtresë e shoqërise nuk mund të jetë shembull për të mirë, atëherë të mjerët ne. Kjo shoqeri i beson këtij institucioni të gjithë ata të rinj për t’i kthyer të përgatitur. E gjithë ajo çka u servohet në universitet është përgjjegjjësi e drejtpërdrejtë profesorëve. Pa dashur të thellohem në kualitetin e mësimdhënies, vetëm dua t’ua rikujtoj të gjithë profesorëve universitarë, që ndjekja e vazhdueshme e dijes është obligmi për ta, jo për avancim personal të tyre, por për përgjegjësinë që kanë ndaj studentëve.
Për fund, ka shumë më shumë probleme të rëndësishme sesa bllokime të tilla, të drejtat e studentëve mbrohen me kërkesa për ngritje në cilësi, në fund të ditës, askush nuk do t’i pyes për suksesin gjatë studimeve, hiqfare për afatet, por për atë cka do të jenë në gjendje të ofrojnë në treg të punës. Le të shërbejë kjo situatë si një nxitje për të gjithë studentët e universitetit që të ngrisin zërin për dinjitetin dhe të ardhmen e tyre, pasi që si të tillë të dëmtuar të vetëm janë pikërisht studentët. Ata edhe mund të dalin të diplomuar dhe me nota të lartë mirëpo janë të papërgatitur për tregun e punës, e kjo ju bëhet me dije të gjithëve në momentin e parë që ballafaqohen me punë.
Fokusi i çfardo iniciative për ndryshim duhet të jëtë ngritja e cilësisë, gjatë këtij rrugëtimi intervenime të domosdoshme do të prekin komoditetin e plot individëve, dhe çfardo reagime absurde të thirrura në status quo nuk meritojnë asgjë më shumë se mospërfillje. Deri atëherë, do të vazhdohet të luftohet për afate e plot kërkesa të tjera, në dëm të studentëve, universietit dhe shoqërisë.