Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sovranizmi Semi-Sovran i Qeverisë Kurti

Me ardhjen në pushtet më 2021, kryeministri Kurti announced një qasje të re politike për dallim nga qeveritë e kaluara. Strategjia e re fokusohej në një drejtim më të ashpër kundrejt Serbisë në negociata, qasje më unilaterale dhe të pakoordinuar me aleatët dhe partnerët strategjikë, si dhe një kahe më të fortë sovraniste me qëllim të konsolidimit të shtetit duke targetuar pjesën veriore të vendit, e populluar kryesisht me serbë.

Duke marrë për bazë këta faktorë, mund të argumentohet se kjo qasje mund të ketë rezultuar pozitivisht në konsolidim të sovranitetit, siç është rasti i largimit të stikerëve për targa, njohja e tabelave të automjeteve, faturimi i energjisë elektrike, si dhe shtimi i kontrolleve dhe pranisë së policisë, mes të tjerash.

Megjithatë, këto veprime janë shoqëruar shpesh me veprime unilaterale (pa koordinim me ndërkombëtarët), të shtyra nga prirja e Qeverisë për të pasur nën kontroll gjërat duke u thirrur në pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit. Përkundër të drejtës legale që ka Qeveria e Kosovës për të pasur një qasje të tillë, aktualisht, qasja sovraniste politikisht e sfidon direkt konsolidimin shtetëror të vendit.

Qasja aktuale e Qeverisë përputhet me parimet e sovranizmit. Sovranizmi si koncept i gjerë rrjedh nga ideja e të qenit sovran në kuptimin klasik të paprekshmërisë brenda vendit, dhe pasfidueshmërisë në ushtrimin e sovranitetit të brendshëm.

Sovranizmi i qeverisë aktuale fokusohet në konsolidimin e sovraniteteit të brendshëm nga komuniteti joshumicë serb në Kosovë dhe indirekt nga Serbia, si dhe në zvogëlimin e përfshirjes së ndërkombëtarëve në politikat e brendshme të vendit, kryesisht në çështjet e dialogut me Serbinë.

Qasja sovraniste e Kurtit thellon hendekun mes serbëve dhe institucioneve të vendit

Qasja sovraniste e Qeverisë Kurti ndaj komunitetit serb është duke u dëshmuar si jo e qëndrueshme në kuptimin e rezultateve që ka prodhuar dhe mundësisë së përmbushjes së objektivave të saj. Qeveria Kurti vazhdon të veprojë unilaterlaisht dhe pa u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë.

Si rezultat, kjo e ka zbehur besimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj institucioneve të vendit dhe ka ndikuar në bojkotin e tanishëm të serbëve të komunave veriore ndaj institucioneve të vendit, si dhe largimin e tyre nga institucionet që deri diku formalisht ishin pjesë e tyre, si nga policia, gjykatat, e sidomos me bojkotimin e zgjedhjeve lokale, vërejmë një largim të skajshëm të serbëve nga institucionet e vendit.

Të shtyrë e të mbështetur politikisht e financiarisht nga Serbia, dhe me mbështetje në rritje edhe nga ndërkombëtarët, zhvillohen edhe apetitet e kërkesat politike të serbëve për të shtuar garancitë e mbrojtjes nga veprimet sovraniste shpesh të manifestuara si veprime të ngutshme ad-hoc, unilaterale e të paparashikueshme.

Është e rëndësishme të potencohet që qasja sovraniste e qeverisë aktuale është duke u përdorur nga komuniteti serb në Kosovë dhe nga Serbia për zhvillimin e kauzave politike si përgjigje ndaj veprimeve sovraniste, duke rrezikuar të arriturat e deritanishme, përfshirë këtu kredibilitetin dhe legjitimitetin e vendit, i ndërtuar dhe i pranuar mbi karakterin multietnik.

Qeveria duket se po e konsideron të kushtueshme përfshirjen e ndërkombëtarëve në çështjet e dialogut dhe relacionet me Serbinë dhe komunitetin serb në Kosovë.

 

Moskoordinimi i Kurtit me partnerët ndërkombëtarë dëmton objektivat e përgjithshëm shtetërorë

Ndër objektivat kyç të Kosovës mbeten integrimi në strukturat euro-atlantike dhe shtimi i njohjeve të reja, të cilat janë të mundshme përmes bashkëpunimit me Perëndimin. Pothuajse çdo përparim i Kosovës për njohje të reja dhe integrim në organizata ndërkombëtare kalon përmes Perëndimit, sidomos ShBA-së.

Megjithatë, sovranizmi i Qeverisë Kurti në raport me dialogun dhe serbët lokalë përmes veprimeve unilaterale, pa koordinim me ndërkombëtarët, ka dëmtuar komunikimin me Perëndimin.

Varësia e vendit nga Perëndimi vazhdon të mbetet në shkallë të lartë, pothuajse e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme. Megjithatë, duket se Qeveria Kurti nuk e ka konsideruar seriozisht këtë faktor të rëndësishëm kur ka dizajnuar politikën e vet sovraniste.

Idealizmi ideologjik që ka partia në pushtet, me një dozë të theksuar nacionalizmi, e materializuar në sjelljen politike të deridjeshme si opozitë, duket që ka mjegulluar arsyen dhe aftësinë për pragmatizëm, që i duhet Qeverisë, përfshirë edhe qasjen ndaj mbështetësve të pavarësisë së shtetit, sidomos ShBA-së, që është më e domosdoshmja.

Konsolidimi i shtetit të Kosovës ka arritur deri këtu falë mbështetjes perëndimore. Andaj, idealizmi sovranist i Qeverisë mund të vërë në lajthitje këtë mbështetje dhe do të ketë kosto të papërballueshme për shtetin dhe vendin.

Është fakt i pakontestueshëm që Kosova si shtet është krijuar me mbështetje të domosdoshme ndërkombëtare, sidomos të ShBA-së dhe partnerëve të tjerë. Kjo domosdoshmëri është ende aktuale dhe jetike për shkak se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës mbetet i pafinalizuar, i kontestuar nga gati gjysma e vendeve të botës, pa anëtarësim në OKB dhe shumë organizata të tjera.

Për më tepër, çështja bëhet edhe më komplekse nëse marrim për bazë mungesën e kapaciteteve që ka vendi për t’i zbatuar zotimet sovraniste. Vendi vazhdon të ketë varësi të madhe institucionale në KFOR, në fushën e sigurisë ndan sovranitetin me KFOR-in, pa kapacitete të veta për t’i bërë vendimet e detyrueshme e për t’u dalë zot synimeve sovraniste.

Kjo është dëshmuar edhe në rrjedhjen e incidenteve të viteve të fundit në veri. Të vetmin potencial afatshkurtër sovranist që ka Kosova është përmbushja emocionale e masave popullore, që mund të transformohet në vota, dhe destabilizimi e konflikti i mundshëm, nga i cili vendi mund vetëm të humbasë.

Përfundimisht, mostrajtimi i këtyre çështjeve të rëndësishme, përtej dogmatizmit ideologjik sovranist, zvogëlon mundësitë e konsolidimit shtetëror të Kosovës dhe rrezikon të ardhmen e vendit drejt aspiratave integruese euro-atlantike.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.