Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Spektakle zbavitëse në vend të reflektimeve kritike

Spektakle zbavitëse në vend të reflektimeve kritike

Një prej të këqijave të epokës së medias në internet –  të cilin e nxori në shesh së fundmi edhe debati sipërfaqësor mbi raportet në mes të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës – është zbehja e mëtejme e rolit ashtu kështu margjinal të intelektualëve, si dhe të reflektimeve të vërteta kritike, në debatet e rëndësishme publike në hapësirën shqiptare.

Hapësirën e mendimit dhe debatit kritik gjithnjë e më shumë po e zënë ndërhyrjet e stilit palaço, të atyre që në botën anglisht-folëse njihen si “prostituta të vëmendjes” (“attention whores”).

Bëhet fjalë për zanatçi të shkrimit të cilët kanë arritur që t’i imponohen vëmendjes së publikut për shkak se dinë të shkruajnë mirë, por që në të vërtetë të shumtën e herëve nuk janë më shumë se aktorë teatri në një spektakël mediatik-politik provincial, apo edhe shpërdorues të opinionit publik për efekt të vetëpërmbushjes.

Faji i internetit qëndron te fakti se e ka përshpejtuar ndërveprimin në mes të shkruesit publik dhe lexuesve, duke e shpërblyer me famë impulsivitetin dhe sensacionalizmin në të menduarit dhe të shprehurit publik, e duke i hapur rrugë sharlatanizmit intelektual për të bërë paradë si diskutim përmbajtësor.

Jeta në botën e mediave online (përfshi në mediat sociale) u ofron zanatçive të shkrimit mundësi për të marrë reagime të menjëhershme dhe të dukshme ndaj shkrimeve; për të përfituar nga emocionet e gjalla dhe të freskëta të turmave me zhvillimet në shoqëri, si dhe për t’u ushqyer brenda natës me reagimin e publikut, ashtu siç yjet e muzikës e shijojnë drejtpërdrejt energjinë e publikut në koncert.

Në epokat e mëhershme ishte pikërisht distanca kohore dhe fizike e shkrimit prej ngjarjes ajo që e mundësonte shkëputjen e nevojshme të autorit prej ngarkesës emocionale të çastit, e që për rrjedhojë mundësonte një reflektim më kritik e racional ndaj rrethanave.

Kurse sot në epokën e internetit si sallë koncerti angazhimi intelektual është kthyer në art të zbavitjes, ndërsa vlera e të shkruarit është reduktuar te efekti i menjëhershëm terapeutik që ai u jep egove kërkuese të autorëve.

Ky ndryshim strukturor në raportin në mes të shkruesit dhe lexuesit e ka bërë intelektualin publik efektivisht peng – një reagues ndaj impulseve irracionale të opinionit publik – dhe jo një farkëtar të opinionit publik.

Vlera e shkrimtarëve dhe intelektualëve publik përgjatë historisë ka qenë pikërisht përdorimi i njohurive dhe shkathtësive të tyre retorike për t’i shpjeguar gjëra të reja opinionit si dhe për ta orientuar atë.

Dhe dallimi kryesor në mes të intelektualëve publik të mëdhenj që kanë shënuar epoka me ndërhyrjet e tyre, në njërën anë, dhe palaçove provincial të çastit, në anën tjetër, qëndron pikë së pari te motivi i ndërhyrjes së tyre në hapësirën publike.

Intelektuali i vërtetë publik ndërhyn për ta ndriçuar një rrethanë si dhe për ta çliruar shoqërinë nga ngërçi të cilin ajo e prodhon, duke e synuar gjithmonë njëfarë zgjidhjeje dhe kohezioni.

Në anën tjetër, intelektuali palaço ndërhyn për efekt dramatizues të çastit; për të shfryrë mllef personal ndaj ndonjë personi apo grupi; për t’i ushqyer turmat e njërit apo tjetër kamp të debatit me gjërat që duan t’i dëgjojnë; e për t’u ushqyer me adhurimin e turmës.

Pra, vija e parë ndarëse e një intelektuali të mirëfilltë dhe një palaçoje qëndron te përgjigja ndaj kësaj pyetjeje: a e përdor ai/ajo shkathtësinë e tij/saj në artin e retorikës për të shtyrë përpara ndonjë kauzë të vërtetë humaniste, apo për t’i shërbyer impulseve vetjake për vetëpërmbushje?

Interneti sot po e ushqen këtë sojin e dytë të shkrimtarit dhe intelektualit publik. Narcisistin që retorikën e ka mjet masturbimi publik. Populistin që shkruan në tastierë si politikan, duke e përfytyruar përballë një turmë brohoritëse. Paragjykuesin që përgjithëson e banalizon, e të cilit mendimet i burojnë nga djegiet e gjoksit, e jo nga thellimet e trurit dhe trazimet e ndërgjegjes.

Lexojini mediat në cilindo vend më të përparuar dhe shikoni se kush konsiderohet intelektual publik me peshë në debatet e rëndësishme publike (ndonëse gjithandej interneti e ka ulur nivelin). Janë filozofët, ekonomistët, letrarët, studiuesit e shkencave sociale, etj – ata që i shtyjnë përpara idetë kryesore. Njerëz me thellësi në ndonjë fushë të dijës që e përdorin këtë njohuri për të na ndriçuar ne të tjerëve me ndonjë perspektive që nuk e shohim.

Bëhet fjalë për çiftin e nobelistit Stigliz që shkroi ndër të parët për fuqinë në rritje të “1-shit më të pasur”, apo për ekonomistin Thomas Pikkety që e dokumentoi me mjete shkencore rritjen historike të pabarazisë.

Në botën shqiptare statusin e intelektualëve publik dhe krijuesve të opinionit në debatet komplekse shoqërore të kohës e kanë marrë mbi supe kryesisht gazetarët dhe letrarët, zakonisht pa pikë konsiderate për perspektivat teorike të shkencave sociale.

Respekt i madh për gazetarët e zotë e të guximshëm në këtë vend, por gazetarët në përgjithësi për shkak të detyrës dhe trajnimit profesional mbeten thjesht zanatli të shkrimit, të cilët mund të jenë të aftë për ta përçuar një kumt, apo për të analizuar sipërfaqësisht një situatë.

Por që të komentohen tema komplekse, si për shembull çështja e identitetit në raportet Shqipëri – Kosovë, kërkohet një bagazh i thellë njohurish për të zbërthyer dhe analizuar kontekstin historik, social dhe ekonomik që u jep shpjegim rrethanave të përditshme – bagazh të cilën gazetarët (përveç disa autodidaktëve), përgjithësisht nuk e kanë!

Prandaj edhe kjo temë, si shumë të tjera, përfundon duke u debatuar në terma dhe nivele banale të tipit “ne kështu, ata kështu, sepse Filan Fisteku i juaj kështu ndërsa ky i joni kështu…”

Sepse ndërtimtarët e shkrimeve po e mbajnë veten për arkitektë të ideve dhe teorive, e po bëjnë spektakël.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.