Njëzet vite që nga paslufta, gratë në Kosovë ende përballen me diskriminim dhe mungesë të hapësirës për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Atyre u mohohet e drejta të jenë zë i fuqishëm brenda subjekteve politike e të ulen në tavolinë kur diskutohen dhe merren vendime të tilla si dialogu me Serbinë, Integrimi në Bashkimin Evropian apo edhe ndërtimi i autostradave. E kuptueshme, shohim tavolinën plotë gra kur flitet për çështje gjinore, shëndetësore e arsimore, sepse atëherë burrat zmbrapsen, duke dhënë mesazh që nuk janë tema në interesin e tyre.
Niveli qendror dhe përfaqësimi gjinor
Se sa i konsiderojnë pjesë të rëndësishme gratë brenda subjekteve politike, më së miri e vërejmë në kohë zgjedhjesh, atëherë kur duhet të përpilohen listat zgjedhore për certifikim të subjekteve politike. Në këto raste, lufta brendapartiake e burrave i shkel gratë, sepse marrin parasysh vetëm kriterin minimal prej 30 % të përfshirjes se gjinisë më pak të përfaqësuar, gjegjësisht grave. E kjo bëhet në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, duke anashkaluar Ligjin për Barazi Gjinore, ligj ky i cili parasheh përfaqësim të barabartë mes burrave dhe grave, 50/50. Poashtu, në kohë zgjedhjesh vërejmë edhe se paraqitja mediale e grave në debate televizive është shumë më e vogël, në tubimet zgjedhore kur fjalën e marrin burrat, e në ndarjen e fondeve për promovim në fushatë elektorale kur përsëri pakica u mbetet grave kandidate.
Se kriteri minimal është maksimumi i hapësirës që ofrojnë subjektet për gratë në lista zgjedhore, u vërtetua edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në tetor të vitit të kaluar, ku qytetarëve të Republikës së Kosovës i’u ofrua lista totale me 343 kandidate gra dhe 724 kandidatë burra. Përderisa në subjektet politike ende vazhdon të vërehet fryma patriarkale dhe se në një tempo të ngadaltë janë duke u vetëdijesuar për drejtësi e barazi, qytetarët në anën tjetër duke e parë potencialin e grave për kontribut në politikë, votën e tyre për përfaqësim po u besojnë atyre dukshëm më shumë se në të kaluarën. Në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Kosovës (2010-2014) ishin gjithsej 25 gra të cilat u bënë pjesë e legjislativit me zbatimin e kuotës 30%, ndërsa në legjislaturën e shtatë, atë aktuale, vetëm 13 gra deputete janë me kuotë gjinore ndërsa 26 të tjera janë bërë pjesë e kësaj legjislature me votat me meritë.
Nëse bëjmë një analizë kronologjike të shtatë legjislaturave në Kuvendin e Kosovës në bazë të përbërjes së deputetëve nga partitë parlamentare, përsëri shohim hapësirën e mangët që u është dhënë grave nga subjektet e tyre politike dhe se përfaqësimi kryesisht ka qenë i bazuar në kuotën gjinore. Përfaqësimi ishte si në vijim: Lidhja Demokratike e Kosovës kishte 76 deputete gra dhe 150 deputetë burra, Partia Demokratike e Kosovës kishte 63 deputete dhe 140 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 22 deputete dhe 50 deputetë, lëvizja Vetëvendosje ne katër legjislaturat e fundit, prej kur edhe ka qenë pjesë e Kuvendit, ka pasur gjithsej 27 deputete dhe 53 deputetë.
Pas zgjedhjeve dhe certifikimit, radha i vije edhe emërimeve të rëndësishme. Këtë herë, duke u fshehur prapa numrave “të arritjes” së emërimit të grave në poste udhëheqëse, sikur gratë morën mjaftueshëm pozita, ishte koha që numrin e Kryetareve të Komisioneve Parlamentare ta zvogëlonin, nga shtatë udhëheqëse sa ishin në legjislaturën e kaluar ta bënin në katër sosh. Fuqizimi dhe hapësira nuk supozohet të jetë e tillë, duke dhënë diku hapësirë, e duke marrur të tjerat që i meritonin.
Niveli lokal dhe fuqizimi i grave:
Meqë fokusi vazhdon të jetë më i koncentruar në politikat nacionale, një “luftë” edhe më e ashpër se në nivelin qendror, bëhet në nivelin lokal pa u vënë shumë re. Gratë vazhdojnë të mos kenë përkrahjen nga subjektet politike nëpër komuna. Nga 38 Komuna në Republikën e Kosovës vetëm një herë kemi pasur një Kryetare të Komunës, në mandatin e kaluar. Ndërsa si një vështrim i përgjithshëm gratë përbëjnë vetëm 35 % si asambleiste në Kuvende të Komunave.
Përsëri luftë për pushtet, përsëri në mes burrash! Në nivel lokal, nga 38 Komuna kemi vetëm një Nënkryetare të Komunës, në Komunën e Suharekës, e katër Kryesuese të Kuvendeve të Komunave, në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Ferizaj. Rasti i fundit për emërimin edhe të një gruaje në pozitën e Kryesueses së Kuvendit e ka pasur gjatë këtij viti Komuna e Prizrenit, me që kryesuesi tashmë është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës. Përsëri burrat e të gjitha partive as që pyetën gratë asambleiste, megjithëse ato ishin të vendosura se në një pozitë e tillë këtë herë duhet të emërohet një grua. Por, përsëri burrat vendosën edhe për gratë, duke u propozuar vetëm emra burrash.
Të gjitha këto dëshmojnë edhe një herë se sa vazhdon të jetë e nevojshme kuota gjinore, sepse në momentin ku nuk është e obliguar të zbatohet, pak vinë në shprehje emra të grave brenda partive. Kuota gjinore ka dëshmuar domosdoshmëri dhe efikasitet në të njëjtën kohë për fuqizimin e grave, andaj si e tillë duhet të vazhdohet edhe më tutje. Paralelisht me kuotën gjinore, si mjet fuqizues janë edhe forumet e gruas brenda subjekteve politike, të cilat duhet të shfrytëzohen maksimalisht si trampolinë për drejtësi dhe ngritje të zërit për të gjitha gratë.
Subjektet politike duhet të punojnë sa më shumë në demokracinë e tyre të brendshme, të vlerësojnë të gjithë njësoj, dhe të jenë gjithëpërfshirës, duke rritur përpjekjet e tyre për kushte sa më të përshtatshme për të gjithë strukturat e tyre pa dallim gjinie. Është koha të fillojnë të zbatohen ato fjalë që jo rrallë herë jemi mësuar t’i dëgjojmë tek thonë se po punohet në aspektin e barazisë gjinore. Është koha të zbatohen fjalët, sepse deri tash numrat tregojnë të kundërtën e asaj që thuhet.
—-
Ky editorial është prodhim i aktivitetit “Sallonet e së Martes”, mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.