Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sulmet fizike dhe efekti i kalimtarit

Illustration: Big Eye

Sulmet fizike dhe efekti i kalimtarit

Gruaja nga komuniteti rom, e cila para disa ditësh u linçua nga media të ndryshme nën akuza të rrejshme, u sulmua në Lipjan nga disa të mitur. Përkundër reagimeve të shumta – disa edhe nga vetë mediat, të cilat ushqyen gënjeshtra nga më të ndryshmet për këtë grua – ajo u sulmua edhe një herë. Këtë herë në Ferizaj. Këtë herë edhe më brutalisht.

Indiferenca e qytetarëve në të dyja rastet – qoftë si kalimtarë pasivë, qoftë si dhunues aktivë – tronditi shumë prej nesh. Njerëz të fushave të ndryshme e quajtën këtë si shfaqje brutale të agresionit racist, seksit, transfobik e klasist.

Folklori i vjetër dhe bashkëkohor i Evropës është i mbushur përplot me tregime rreth romëve, minoritetit më të atakuar të Evropës, që kinse i rrëmbejnë fëmijët. Në fund të marsit të këtij viti, dhjetëra të rinj, të nxitur nga miti se romët po vidhnin fëmijë, me shkopinj dhe thika në duar sulmuan një kamp rom dhe dogjën dy kamionë në Bobigny, në periferinë verilindore të Parisit.  Njëlloj, edhe në Kosovë, duket se krimet u nxitën nga mu kjo thashethemnajë.

Thashethemet, megjithatë, nuk u bënë gjatë pushimit të gjatë nga nxënësit e as në kafiteri ndërmjet kolegëve. Thashethemet që e nxitën këtë dhunë u ushqyen nga mediat dhe një pjesë të madhe të dhunës që përjetoi kjo grua i erdhi nga vetë mediat.

“Fake News” është bërë phrase du jour e politikës së sotme. Rritja eksplozive e këtij fenomeni po e shkatërron demokracinë, drejtësinë dhe besimin publik. E, më e keqja është se ne nuk kemi shumë nga këto të mira në shtetin tonë të vogël.

Industria e medias së lajmeve ka ndryshuar në mënyrë drastike gjatë 20 viteve të fundit, fillimisht me përhapjen e lajmeve kabllore dhe tani me burime të panumërta të lajmeve në internet. Ndryshe nga ditët kur kishte 3 ose 4 rrjete televizive nën antena të shrembëruara dhe një numër të vogël gazetash, tani ekzistojnë mijëra prodhues të ndryshëm të lajmeve që shfaqen në publik, të cilat konkurrojnë për vëmendjen e lexuesve ose, thënë mirë, të konsumatorëve. Me të ardhura të nxitura kryesisht nga reklamat online, industria mediatike është bërë e qendërzuar rreth tërheqjes së “klikimeve”. Si rezultat, për të parafrazuar Ted Koppelin, lajmet janë transformuar nga “objektive dhe të shurdhëra” në “subjektive dhe argëtuese”. Kjo e bën të vështirë që konsumatorët të përcaktojnë se cilat burime të lajmeve janë të besueshme.

Megjithatë, nuk kanë faj vetëm mediat. Kultura e indiferencës dhe apatisë që është rrënjosur thellë tek ne lë për të dëshiruar. Vetëm vitin e kaluar një numër grash u sulmuan nga një i panjohur në një nga rrugët më të frekuentuara të Prishtinës dhe askush nuk ndërhyri për t’i mbrojtur ato.

Kur jemi dëshmitarë të ndonjë situate potencialisht të rrezikshme, ne si ‘spektatorë’ ose ‘kalimtarë’ që nuk prekemi direkt nga dhuna i kemi disa zgjedhje. Ne mund ta injorojmë situatën dhe të mos bëjmë asgjë – siç ndodhi me gruan në Lipjan dhe në Ferizaj; mund të ofrojmë ndërhyrje indirekte duke thirrur policinë ose njerëzit e tjerë për ndihmë; ose mund të ndërhyjmë drejtpërdrejt për ta ndihmuar viktimën. Kur nuk ndërhyjmë fare, ky fenomen njihet si “Efekti i kalimtarit” (Bystander effect) ose “Apatia e kalimtarit” (Bystander apathy). Fillet teorike të këtij fenomeni u vunë në vitet ’60 në Amerikë nga psikologët socialë John Darley dhe Bibb Latane.

Më 13 mars 1964, një grua e quajtur Catherine “Kitty” Genovese u vra jashtë banesës së saj në Queens të New Yorkut. Gjatë një sulmi brutal që zgjati mbi 30 minuta, Genovese u godit me thikë të paktën 14 herë. Është raportuar se pavarësisht britmave të saj për ndihmë, asnjë prej 38 kalimtarëve në lagjen e saj nuk i erdhi në ndihmë atë natë.

I njëjtë fatalitet do të mund t’i ketë ndodhur gruas që u sulmua në Kosovë.

Sipas studimeve të kryera nga Darley dhe Latane, difuzioni ose shpërndarja e përgjegjësisë është një nga arsyet që çojnë tek “efekti i kalimtarit”. Pra, këtu kemi të bëjmë me një paradoks: sa më i madh të jetë numri i dëshmitarëve okularë, aq më pak përgjegjësi individuale do të ndjente secili prej tyre për të ndihmuar. Si përfundon kjo? Nëse të gjithë supozojmë se dikush tjetër do të ndihmojë, askush nuk ndihmon. Kur të tjerët janë të pranishëm, njerëzit ndihmojmë në vetëm 20% të rasteve, por kur ka vetëm një kalimtar, gjasat për të ndihmuar shkojnë në 80%.

Përkundër që incidentet historike që tregojnë fuqinë e “efektit të kalimtarit”, ne si shoqëri kemi mundësi të ndryshojmë këtë fenomen psikologjik. Duke u vetëdijësuar rreth këtij efekti, ne mund t’i shmangim tragjeditë e së ardhmes. Çdoherë kur shohim dhunë – edhe nëse na duket se nuk është “puna jonë” – duhet ta bëjmë punën tonë. Çdoherë kur shkelen të drejtat e një individi, është punë e jona. Nëse vazhdojmë trendin e apatisë kolektive, situatat si kjo e gruas rome në Ferizaj e Lipjan mund të kenë përfundime akoma më tragjike – si rasti i Kitty Genoveses në New York.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.