Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ta themi emrin e problemit!

Illustration: Big Eye

Më në fund dhuna e ngujuar brenda shtëpive, shkollave apo rrugëve po merr dritën e vëmendjes në debatin publik. Lajmet e shumta mbi sulmet seksuale ndaj vajzave dhe grave kohëve të fundit në Kosovë, na kanë tronditur të gjithëve. Si kundërpërgjigje, rrugët e qyteteve po ushtojnë nga protestat e shpeshta e të drejta të aktivisteve feministe. Në krejt këtë mjedis të ballafaqimit, u hapë një diskutim tejet i nevojshëm  mbi ngacmimet dhe sulmet seksuale – dhe kjo është një arritje.

Ndër kërkesat kryesore të këtyre ditëve është edhe publikimi i emrave të personave të dënuar për krime seksuale si dhe krijimi i një regjistri publik me të dhënat e abuzuesve seksual, si një mekanizëm që do të luftonte këtë dukuri.

Për herë të parë regjistrat e tillë u funksionalizuan në Amerikë përgjatë viteve të 90-ta për shkak të disa rasteve të krimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe u përdorën si një formë për t’iu mundësuar prindërve të kenë nën kontroll sigurinë e fëmijëve të tyre. Më vonë këta regjistra u zgjeruan dhe sot përmbajnë emra të njerëzve të dënuar për vepra të ndryshme – nga urinimi në publik e deri tek përdhunimi seksual.

Por çfarë rezultati në të vërtetë kanë sjellë këta regjistra publik dhe a janë qasja e duhur për të trajtuar sulmet seksuale? Përgjigja është qartësisht – Jo. Së pari publikimi i regjistrave nuk ka sjellë rezultate në uljen e rasteve të sulmeve seksuale, dhe së dyti kjo formë e intervenimit nuk duhet parë si mekanizëm për të trajtuar sulmet seksuale sepse në thelb është anti-feministe. Pikërisht për këto arsye, regjistrat e tillë nuk janë formë as e përhapur dhe as e zakonshme e trajtimit të sulmeve seksuale sot në botë.

Ndonëse në pamje të parë mund të duket se trajtimi i ashpër i krimit, i tillë si publikimi i të dhënave të njerëzve që kanë kryer sulme seksuale, do të ulte rastet e tilla, studime të ndryshme tregojnë se kjo formë ka rezultuar joefektive në parandalimin e recidivizmit apo përsëritjes së sulmeve. Ndëshkimet e tilla me publikim të emrit, fotografisë, vendbanimit dhe të dhënave të tjera personale të personave që kanë bërë ngacmime e sulme seksuale, nuk e ndihmojnë çështjen – përkundrazi mund të pengojnë atë. Kjo për faktin se kjo mënyrë e trajtimit ka çuar në segregim, përjashtim e linçim të personave që kanë kryer sulme, duke krijuar kështu kushte edhe më të favorshme për të përsëritur krimin e ngjashëm. Një study në Amerikë ka dëshmuar se në fakt publikimi i regjistrave ka rritur gjasat e recidivizmit për 1.6%.

Në anën tjetër të dhënat në nivel global tregojnë se përgjithësisht të dënuarit për sulme seksuale kanë shkallë shumë më të ulët të recidivizmit se sa personat e akuzuar për krime të tjera, kështuqë publikimi i të dhënave të tyre nuk është mënyra e cila i ka parandaluar ata që të përsërisin krimin. Shumica e rasteve të reja janë persona që nuk janë dënuar më parë për krime të ngjashme.

Hulumtime te ndryshme nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti KIPRED dhe OSBE, tregojnë që një numër shumë i vogël i rasteve të dhunimeve dhe sulmeve seksuale raportohen në Kosovë brenda një viti. Ndërsa anketat me qytetarë tregojnë që numri i ngacmimeve, dhunimeve dhe sulmeve të pa raportuara është shumë më i lartë. Është fakt i njohur që sulmet e tilla më shumë ndodhin nga personat e afërt nga familja e shoqëria, kështuqë publikimi i regjistrit vetëm sa do të mund të ndikonte në uljen e raportimeve nga viktimat.

Ky mekanizëm që në fakt ka si pikënisje kontrollin, mbikëqyrjen, monitorimin dhe izolimin e individëve që kanë sulmuar dikë seksualisht, përveç që është dëshmuar si i dështuar, është problematik edhe si qasje ndaj problemit.

Funksionalizimi i një regjistri me emrat e individëve të dënuar për sulme seksuale sikur e largon përgjegjësinë e institucioneve për t’i parandaluar ato. Nga kjo logjikë, personat të cilët qoftë për një herë të vetme gjatë jetës kanë sulmuar dikë seksualisht, janë të papërmirësueshëm dhe duhet t’iu vendosim një vulë në ballë – përgjithmonë. Krejt çka po i mbetet shtetit të bëjë është të informojë publikun kush dhe ku gjenden përdhunuesit, pastaj po mbetet në dorën e vajzave dhe të grave që të mbrohen nga ta. Pra, regjistri nuk i adreson shkaqet, pasojat dhe sidomos dështimin e sistemit për të parandaluar dhe trajtuar dhunën seksuale por vetëm po i bën publike rastet, thua se këto janë probleme të izoluara.

Konventa e Stambollit, që tashmë ka aplikim direkt edhe në Kosovë, përmban kërkesa dhe rregulla të drejtpërdrejta për institucionet e drejtësisë se si duhet vepruar me kryesit e veprave të sulmeve seksuale në mënyrë afatshkurtër (ndjekje penale) dhe afatgjatë (programe të ndryshme që synojnë riedukimin). As që don diskutim që secili njeri që kryen krime të tilla duhet të dënohet sipas ligjeve në fuqi. Mirëpo, damkosja e individëve që kanë kryer krime seksuale mohon faktin se problemet shoqërore janë probleme sistemore dhe duhet trajtuar si të tilla. Feminizmi është lëvizje shoqërore që për qëllim ka ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë për të gjithë, andaj edhe përpjekja jonë duhet më shumë të jetë në shërbim të transformimeve të thella kulturore e strukturore se sa të ndëshkimeve e etiketimeve individuale.

Protestat e vajzave po tregojnë që ka shumë pakënaqësi dhe rezistencë. Por, kërkesat duhet të jenë përtej ndëshkimeve individuale. Ato duhet të kenë synim shkatërrimin e strukturave të pushtetit që po prodhojnë shtypje e diskriminim ndaj grave. Nuk ka një zgjidhje të lehtë e thjeshtë për të zhdukur sulmet seksuale. Revolta jonë duhet të drejtohet kah një shoqëri me vlera të reja e krejtësisht tjera nga këto të tanishmet. Një shoqëri që ofron kushte për përmirësim e përparim. Kjo arrihet veç atëherë kur transformimin e thellë e kemi qëllim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.