Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Të lexosh mes rreshtave të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Artikulli i përkthyer.

Marrëveshja and Aneksi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur në shkurt në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së është një hap në drejtimin e duhur në dialogun mes dy palëve.

Dokumentet përfshijnë një varg risish të rëndësishme, siç është heqja dorë nga ana e Serbisë për të përfaqësuar Kosovën dhe kundërshtimi i anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare; krijimi i misioneve të përhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe krijimi i një komiteti të përbashkët zbatues për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes.

Duke lexuar së afërmi Marrëveshjen dhe Aneksin, shohim se ka disa pika të rëndësishme që tregojnë një ndryshim në qasjen e BE-së karshi dialogut.

Nuk ka më fusnotë për Kosovën

Kosova tashti përmendet pa fusnotë. BE-ja ia ka hequr Kosovës fusnotën për të cilën ishte rënë dakord në Marrëveshjen Rajonale të Përfaqësimit dhe Bashkëpunimit në vitin 2012, që rrjedh nga titulli i marrëveshjes së re. Në të kaluarën, BE-ja vazhdimisht përdorte fusnotën duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë dhe Opinionit Këshillimor të GjND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kurdo që përmendte Kosovën në dokumente.

Ky është dokumenti i parë zyrtar i BE-së ku Kosova përmendet pa fusnotë, gjë që shënon një ndryshim nga pozicioni neutral i BE-së. Mbetet të shihet se si do t’i referohet BE-ja Kosovës në dokumentet e ardhshme dhe nëse marrëveshja e re nënkupton heqjen përfundimtare të fusnotës.

Nga Dialogu Prishtinë-Beograd në Dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës ka evoluar në dialog midis Serbisë dhe Kosovës. Ky ndryshim është evident jo vetëm nga titulli i dokumenteve, por edhe nga fakti se “Kosova” dhe “Serbia” përmenden në kontekstin e dialogut në gjashtë nga dymbëdhjetë pikat e Aneksit.

Megjithatë, Shërbimi Diplomatik i BE-së (EEAS) në faqen e tij të internetit, vazhdon t’i referohet procesit të dialogut si Dialogu Beograd-Prishtinë, duke shfaqur kështu njëfarë paqartësie. Mbetet e paqartë se cili është qëndrimi zyrtar i BE-së kur bëhet fjalë për dialogun midis dy palëve. Deklaratat e ardhshme të EEAS dhe BE-së do të japin sqarime sa i përket kësaj pike.

Njohja e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, përfshirë edhe pasaportat

Një pikë kyçe e tensionit midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë njohja e letërnjoftimeve dhe targave të automjeteve. Marrëveshja e BE-së e trajton këtë çështje në Nenin e saj të parë, duke deklaruar se “të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet e tyre përkatëse kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.”

Kjo Marrëveshje ka evoluar përtej letërnjoftimeve dhe targave, që tashmë janë njohur, dhe tashti përfshin edhe pasaportat, flamurin shtetëror, vulat doganore dhe diplomat. Si e tillë, Marrëveshja duket se kapërcen jo vetëm çështjen e identitetit dhe targave, por edhe njohjen e simboleve shtetërore të Kosovës në një stad më të gjerë.

Vuçiqi refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen

Marrëveshja ka një barrierë të madhe përpara: presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi ta nënshkruajë atë dhe në vend të kësaj e pranoi veç verbalisht. Në daljet e tij publike, ai deklaroi se Serbia ka pranuar të zbatojë Marrëveshjen dhe Aneksin “deri në disa kufij të caktuar”.

Megjithatë, deklarata e Vuçiqit është në kundërshtim me Nenin 4 të Marrëveshjes. Ai tha se vijat e kuqe të Serbisë janë njohja e Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Serbia tashmë ka vepruar në kundërshtim me Nenin 4, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Kjo ngre shqetësime për zbatimin e Marrëveshjes. Sidoqoftë, edhe përkundër kundërshtimit të Serbisë, fakti që Komiteti i Ministrave u thirr në Nenin 4 të Marrëveshjes kur votoi kërkesën e Kosovës në Këshillin e Europës, tregon rëndësinë që ka Marrëveshja.

Marrëveshja e fundit në dialogun midis dy palëve përfaqëson një ndryshim në qasjen e BE-së. Pavarësisht pakënaqësisë fillestare të të dyja palëve me Marrëveshjen, ajo ka potencialin për t’i çuar gjërat përpara. Megjithatë, zbatimi i saj do të varet kryesisht nga aftësia e BE-së për ta përmbushur politikën e saj të zgjerimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.