Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Thirrja e 8 marsit

Illustration: Big Eye

*Fjalim i mbajtur para Qeverisë së Kosovës në kuadër të marshit “Marshojmë, s’festojmë”, 8 mars 2023

Ne Gratë e Prishtinës; Ne Gratë e Prizrenit; Ne Gratë e Ferizajt; E Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës, Podujevës, Vushtrrisë. Suharekës, Rahovecit, Drenasit, Lipjanit, Malishevës, Kamenicës, Vitisë, Deçanit, Istogut, Klinës, Skenderajt, Dragashit, Fushë Kosovës, Kaçanikut, Shtimes, Leposaviqit, Graçanicës, Hanit të Elezit, Zveqanit, Shtërpcës, Artanës, Zubin Potokut, Junikut, Mamushës, Ranillugut, Parteshit, Obiliqit, Kllokotit. Ne Gratë e të gjitha 1436 fshatrave të Kosovës.

Ne Gratë shqiptare, rome, egjiptiane, ashkalike, boshnjake, gorane, serbe, turke.

Ne Gratë heteroseksuale, ne gratë lezbike, ne gratë biseksuale, aseksuale, ne transgratë.

Ne Gratë e aftësive të ndryshme.

Ne Gratë amvise, mirëmbajtëse, shkencëtare, artiste, profesoresha, politikane…

Ne kemi më shumë të përbashkëta se dallime. Ne të gjitha punojmë, por jo të gjitha paguhemi. Ne punojmë në dhe jashtë shtëpisë. Koha jonë më e madhe gjatë ditës u kushtohet të tjerëve. Pastrim, gatim, kujdes. Pak nga ne marrim pagë. Pak nga ne jemi në politikë. Asnjë nga ne nuk udhëheqim ndonjë komunë. Nga ne pritet të pastrojmë shtëpitë në të cilat jetojmë, por pak nga ne jemi pronare të shtëpive tona. Ne na thonë “lindim në derë të huaj” e “shkojmë në derë të huaj”. Pak nga ne trashëgojnë në familje, sepse “gruaja nuk ka tagër”, sipas kanunit. Na thuhet të kujdesemi për të gjithë të tjerët, por s’na lejohet të kujdesemi për veten. Na janë marrë burimet përmes të cilave mund të kujdesemi për veten.

Pushkë nuk qitet kur lind edhe një nga ne. Ne pritet të lindim e riprodhojmë edhe kur këtë nuk e dëshirojmë.

Jemi ne ato që dhunohemi në shtëpi, në rrugë, në shkollë, punë, e polici, gjykatë e prokurori. Më shumë se 50 nga ne janë vrarë në pak se 15 vite. Ne dhunohemi çdo vit në shtëpitë ku shpërngulemi pas martesës. Por, vetëm pak më shumë se 2000 nga ne e raportojme dhunën, sepse shumicës prej nesh u është mësuar se “gruaja e mirë duron”!

Por ne jemi kaq shumë, çdo i dyti njeri është një nga ne. Dhe përkundër të gjithave, të bashkuara ne kemi mbijetuar gjithmonë.

Çdo e drejtë që sot e gëzojmë, e kemi fituar me luftën tonë të përbashkët për barazi. Ne e kemi fituar të drejtën për t’u shkolluar edhe pse dikur na ndalohej me ligj. Ne e kemi fituar të drejtën e votës ndër shumë vite në shumë vende të botës. Ne kemi fituar të drejtën e punës, e pagës, e të pasurit e një llogarie bankare – asnjë nga këto të drejta bazike nuk na i kanë dhënë, por i kemi marrë vet, bashkë ia kemi dalur.

Përpjekja jonë për një jetë më të mirë dhe rezistenca jonë e përbashkët nuk ka përfunduar. Ne kemi edhe kaq shumë beteja për të fituar, për të qenë të barabarta dhe njerëz të lirë. Ne duhet të ruajmë me kujdes çdo të drejtë të fituar sepse edhe ato janë në rrezik. Në shumë vende të botës të drejtat e grave po sfidohen.

Andaj, ne, më shumë se kurrë, dhe si gjithmonë, duhet të jemi bashkë, për të njohur, mbrojtur, vlerësuar, e festuar njëra tjetrën. Për t’i njohur sfidat tona e festuar arritjet tona. Ne duhet të jemi bashkë, si gra. Me njëra-tjetrën dhe për njëra-tjetrën.

Ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që të tjerat para nesh i filluan. Ne jemi pasardhëset e grave që nuk kishin të drejtë vote, të drejtë të punojnë jashtë shpisë, të drejtë të shkollohen, por që i fituan ato.

Ne kemi edhe shumë për të bërë, jo vetëm për vete, por edhe për të gjitha para nesh e ato që do të vijnë pas nesh. Për ato vajza që do të lindin për të cilat nuk do të qitet pushkë.

Përpjekja dhe sakrifica jonë do të na shërbejë si udhërrëfyes e motiv për të vazhduar, bashkë!

Do vazhdojmë në shtëpi, në rrugë, shkollë, parlament, e kudo. Feminizmi ka jetuar e do jetojë përmes nesh.

Bashkë për njëra-tjetrën, kundër shtypjes!

Bashkë për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave!

Poshtë Patriarkati!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.