Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Thirrja për diplomaci parandaluese perëndimore ndaj Serbisë

Illustration: Big Eye

Më 6 gusht 2023, u publikua një deklaratë e nënshkruar nga kryesuesit e komisioneve të jashtme parlamentare dhe dhjetëra deputetëve perëndimorë, ku përfshihen edhe ata ukrainas, të cilët i bëjnë thirrje Bashkimit Europian, ShBA-së e Britanisë së Madhe, ta ndryshojnë qasjen në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Në deklaratë kritikohet agresioni serb dhe kërkohet mbështetje për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës. Në këtë drejtim, thuhet se politika aktuale perëndimore është e gabuar dhe joefektive, pasi nuk po arrin të adresojë problemet dhe tensionet. Në deklaratë kërkohet qasje e balancuar dhe proporcionale në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Kujtojmë se për tensionet në veri të vendit, faji kryesisht iu vu palës kosovare, me ç’rast pati pasoja nga ShBA-ja dhe sanksione nga BE-ja. Për Kosovën, kjo letër përbën përkrahje në një moment të vështirë.

Tutje, në deklaratë bëhet thirrje për rishqyrtimin e politikës perëndimore ndaj marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe aplikimin e diplomacisë parandaluese (deterrence diplomacy) ndaj Serbisë.

Me diplomaci parandaluese nënkuptojmë parandalimin apo dekurajimin e një shteti apo entiteti për të ndërmarrë një apo disa veprime të padëshiruara.

Në deklaratën e tyre, kryesuesit e komisioneve të jashtme parlamentare dhe dhjetëra deputetët perëndimorë sugjerojnë se diplomacia parandaluese është e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe për të lehtësuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo deklaratë është mirëpritur në Kosovë dhe qarqet intelektuale në ShBA dhe BE, që kanë kritikuar politikat shoviniste dhe akomodimin e Serbisë.

Deri tash, BE-ja dhe ShBA-ja nuk janë treguar të gatshme që t’i përdorin ndaj Serbisë masat e njëjta ndëshkuese që ia vendosën Kosovës, duke krijuar një qasje të pabalancuar.

Qasja akomoduese ndaj Serbisë

ShBA-ja dhe BE-ja janë të vetëdijshme për lidhjet politike dhe ekonomike që Serbia ka me Kinën dhe Rusinë. Kujtojmë se Serbia mbetet shteti i vetëm në Ballkan që nuk ka shpallur sanksione ndaj Rusisë.

Si rezultat, duke tentuar që ta largojë Serbinë nga orbita ruse, Perëndimi ka aplikuar një qasje akomoduese (appeasment) ndaj Serbisë, në dëm të Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

Një arsye tjetër e akomodimit të Serbisë nga Perëndimi përgjatë viteve është fakti se Serbia konsiderohet si shteti kyç në Ballkanin Perëndimor.

Samiti i Athinës dëshmoi se presidenti i Serbisë, Vuçiq, shihet lider rajonal. Udhëheqësit e BE-së, Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë, u takuan në kryeqytetin grek për të riafirmuar solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për Ukrainën kundër agresionit rus dhe për të shprehur angazhimin e tyre për integrimin europian.

Ata miratuan Formulën e Paqes, të propozuar nga presidenti i Ukrainës, dhe bënë thirrje për përgjegjësi për krimet e luftës. Vuçiq insistoi për një deklaratë sa më të butë në lidhje me krimet ruse në Ukrainë, si dhe mbajti një takim me presidentin e Ukrainës, Zelenski, për të afirmuar përkrahjen për ruajtjen e integritetit territorial.

Sanksionet si mjet i diplomacisë parandaluese

Në anën tjetër, sanksionimi i shefit të BIA-s (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit), Aleksandar Vulin, mund të shihet si lëvizje shpresëdhënëse. Përdorimi i sanksioneve individuale dhe institucionale si diplomaci parandaluese, ka gjasa që të përdoret më shumë në të ardhmen.

Nëse ndiqet rruga e sanksionimit të individëve dhe organizatave që përhapin ndikimin e Rusisë, atëherë duhet të shënjestrohen edhe mediat serbe dhe organizatat qeveritare e kompanitë private që reklamojnë në to.

Nuk ka dilemë se vetë presidenti Vuçiq është faktor kyç në përhapjen e ndikimit rus, mirëpo përderisa ai shihet si i nevojshëm për stabilitetin në rajon, nuk mund të priten sanksione ndaj tij. Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të sanksionohen individët dhe organizatat e tjera.

Si përfundim, letra e parlamentarëve perëndimorë është një hap mjaft i rëndësishëm në kritikën e politikës akomoduese ndaj Serbisë. Sidoqoftë, nuk mund të presim ndryshime të mëdha në politikën e qeverive perëndimore. Çka mund të pritet është një ndryshim i ngadalshëm dhe një fokus në sanksione individuale, që synojnë të ndryshojnë politikën serbe.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.