TikTok-u ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të ndjekësve në botë, me numrin më të madh të përdoruesve si dhe intensitetit të përdorimit, duke u bërë atë një nga aplikacionet më të popullarizuara.
TikTok-u veçohet për sistemin e tij të avancuar të algoritmit, i cili përqendrohet tek angazhimi i përdoruesve, përmbajtja e ofruar dhe interaksionet. Kjo gjë e bën varësinë nga TikTok-u më të theksueshme në krahasim me platformat e tjera.
Platforma fokusohet në krijimin e videove të shkurtra, duke inkurajuar përdoruesit të qëndrojnë të fokusuar në një përmbajtje të caktuar për një kohë të shkurtër. Megjithëse në fillim u prezantuan edhe formate të videove më të gjata, shumë shpejt u vërejt se videot e shkurtra janë më atraktive për audiencën e TikTok-ut.
Kjo ka ngritur pyetje rreth efekteve të mundshme negative të kësaj mënyre të “konsumimit” të përmbajtjes, veçanërisht në aspektin psikologjik.
Koha e kaluar në aplikacion ka një ndikim të drejtpërdrejtë në funksionet njohëse të individit, duke përfshirë aftësinë për t’u përqendruar, si dhe ndikimin në rritjen e ankthit dhe depresionit. Studiuesit këtë fenomen e kanë quajtur si “Truri TikTok.”
Ndërsa studimet gjithëpërfshirëse dhe afatgjata mungojnë, për shkak se TikTok-u është një platformë relativisht e re dhe nevojitet kohë për të dalë studime të tilla, tani për tani ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme që tregojnë për efektet e dëmshme, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të përdoruesve të TikTok-ut.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj videove të shkurtra ul përqendrimin e përdoruesve. Kjo bëhet më problematike kur merret në konsideratë se përdoruesit e rregullt të TikTok-ut kalonin më shumë orë në të, krahasuar me platformat e tjera sociale.
Kujtesa afatshkurtër dhe aftësia për t’u përqendruar janë ndër më të prekurat nga përdorimi i TikTok-ut. Shumë përdorues të rregullt, sidomos adoleshentët, thonë se kanë vështirësi të fokusohen në aktivitete të tjera të rëndësishme jetësore, si të lexojnë një libër apo të përqendrohen në detyrat e shtëpisë. Po ashtu, rreth 50% të përdoruesve pranojnë se videot më të gjata i përjetojnë si shumë stresuese.
Një study në 100 shtete tregoi se mediat sociale janë një faktor kyç në rritjen e mosdëshirës për lexim. Rreth 90% të mësimdhënësve pjesëmarrës në studim kanë deklaruar që rrjetet sociale kanë një ndikim negativ në shprehitë e leximit të fëmijëve dhe 84% kanë deklaruar se mediat sociale ndikojnë negativisht në gatishmërinë e nxënësve për të lexuar vetëm për kënaqësi.
Përmbajtja e TikTok-ut krijon varësi, sepse është dizajnuar me qëllimin e tërheqjes së vazhdueshme të vëmendjes së përdoruesve. Praktika e transmetimit të pafund të videove vepron si një lloj përforcimi i rastësishëm psikologjik, duke shkaktuar një rritje të niveleve të dopaminës, hormonit të kënaqësisë.
Studimet tregojnë se varësia nga lojërat në internet dhe përdorimi i tepruar i telefonave inteligjentë mund të çojë në ndryshime strukturore në trurin e fëmijëve. Për shembull, atrofia në korteksin frontal është vërejtur te fëmijët nga 9-10 vjeç, që përdorin pajisje të mençura për më shumë se shtatë orë në ditë.
Për më tepër, koha mesatare e kaluar para ekranit është në rritje. Fëmijët nga 8-12 vjeç konsiderohet se kalojnë nga 4-6 orë në ditë para ekraneve të pajisjeve elektronike. Kurse, adoleshentët kalojnë mbi 8 orë në ditë. Këto shifra janë rritur në mënyrë progresive, sidomos nga fillimi i pandemisë.
Shkollat në nivel botëror kanë ngritur alarmin për një problem të tillë, duke ndërmarrë hapa dhe duke prezantuar strategji që ndihmojnë veçanërisht fëmijët në përdorimin e duhur dhe të sigurt të rrjeteve sociale dhe specifikisht në përmirësimin e shkathtësive të leximit, që janë prekur dukshëm nga koha e kaluar në internet.
Megjithatë, në Kosovë, deri më tani, nuk është adresuar një çështje e tillë në mënyrë institucionale, as nuk janë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
Është jetike që të ketë fushata vetëdijesuese në nivel vendi, që të rrisin ndërgjegjësimin në mesin e prindërve për pasojat që ka përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale.
Gjithashtu, institucionet relevante duhet të prezantojnë strategji konkrete brenda shkollave, duke ndërtuar ekipe multidisiplinare që do të adresojnë dhe ndërhyjnë në mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat e përdorimit të rrjeteve sociale.
Në këtë drejtim, roli i psikologëve shkollorë mund të jetë jetësor për të ndihmuar në rritjen e përqendrimit në mësim dhe përmirësimin e shprehive të leximit te fëmijët.