Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Trump proofing” dhe dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi tashmë ka hyrë në një periudhë kritike dhe palët dialoguese nuk kanë vullnet të angazhohen seriozisht në proces. Dialogu është në bllokadë që nga shtatori 2023, kur kishte dështuar takimi për planin e sekuencimit. Për shkak të inkurzionit terrorist në Banjskë po atë muaj, dhe për shkak të periudhës zgjedhore në BE, nuk kishte ndonjë aktivitet të rëndësishëm për përparim në dialog. 

Me përfundimin e periudhës zgjedhore në BE, pati përpjekje për të ringjallur dialogun, por që nuk shkuan mirë. Takimi i thirrur në Bruksel nuk rezultoi në takim trepalësh të nivelit të lartë dhe liderët kosovarë nuk e takuan të dërguarin për dialog, Lajçak, në Prishtinë.  

Pas përfundimit zgjedhjeve europiane, formimit të Komisionit të ri Europian dhe përfundimit të zgjedhjeve në Francë dhe Britani të Madhe, Kosova dhe Serbia janë në pritje të një shefi të ri diplomatik të BE-së, si dhe të një emisari të ri që do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun.

Në mungesë të përparimit në dialog, gjysma e dytë e vitit 2024 shpërfaq mundësinë për rritje të tensioneve në raportet Kosovë-Serbi. Megjithatë, përveç mundësisë së thellimit të tensioneve, ekziston edhe një mundësi për një riangazhim në zbatimin e Marrëveshjes së arritur në Ohër më 2023.

Zgjedhjet europiane kanë sjellë një konfigurim të ri politik dhe një realitet të ri. Edhe pse u forcua prezenca e ekstremit të djathtë, Komisioni Europian kontrollohet nga forcat centriste. 

Politika e jashtme europiane pritet të udhëhiqet nga estonezja Kaja Kallas, e cila njihet për qëndrimet e saj të forta kundër Rusisë dhe përpjekjet e saj për ta destabilizuar Europën. Në këtë kontekst, përpjekjet e BE-së për ringjalljen e dialogut menjëherë pas zgjedhjeve janë mundësi e mirë. 

Ky moment është i rëndësishëm sepse përfaqëson një periudhë ku akterët kryesorë politikë në Europë mund të sjellin vrull të ri, duke përfshirë mundësinë për të bashkëpunuar më ngushtë me Britaninë e Madhe, për të siguruar që të arrihet një plan zbatimi, që synon që çdo marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme.

Kjo dritare e mundësisë lidhet ngushtë me zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezultati i së cilave mund të sjellë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme amerikane.

Kjo ka krijuar një ndjenjë urgjence për të avancuar dialogun Kosovë-Serbi tani, para se të ndryshojnë këto dinamika politike. Përfshirja dhe mbështetja e ShBA-së kanë qenë thelbësore për avancimin e negociatave dhe për arritjen e disa hapave të rëndësishëm drejt pajtimit.

Nga ana tjetër, në Europë ekziston një përpjekje e dukshme për të bërë “Trump proofing”, që do të thotë përgatitje për çdo mundësi që mund të sjellë rikthimi i Trump-it në pushtet. Kjo nënkupton forcimin e pozicioneve dhe krijimin e mekanizmave që do t’i mbrojnë marrëveshjet dhe përparimet e arritura nga ndikimi i mundshëm i ndryshimeve të politikës amerikane. 

Europianët janë të vetëdijshëm për ndikimin që ka politika amerikane, sidomos në rastin e Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor, dhe po bëjnë çdo përpjekje për t’u mbrojtur ndaj zhvillimeve qe mund të ndhodhin pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA. 

Pikërisht për këtë arsye ekziston edhe rreziku për tensione më të larta gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye pritet rezistencë nga Serbia për të arritur ndonjë marrëveshje sekuencimi. Por, gjithashtu, ka rrezik që Beogradi të bëjë përpjekje të reja për ta vendosur autoritetin me dhunë në komunat veriore të Kosovës. 

Ngjashëm, pritet që Kosova të ndërmarrë hapa që synojnë zvogëlimin e prezencës së institucioneve të Serbisë në Kosovë. Pra, bëhet fjalë për mbyllje të institucioneve paralele, arrestime të mundshme të personave që punojnë në këto institucione, vendosje të autoritetit mbi institucionet arsimore e shëndetësore, përpjekje për hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe veprime të tjera të ngjashme. 

Nëse Trump-i rikthehet në pushtet, mund të priten ndryshime në qasjen amerikane ndaj konflikteve ndërkombëtare dhe marrëdhënieve me aleatët europianë. Rrjedhimisht, pritet të ketë ndryshim në qasjen amerikane karshi dialogut Kosovë-Serbi. 

Gjatë mandatit të kaluar të Trump-it, ishin diskutuar tema si ndryshimi i kufijve dhe tërheqja e trupave të KFOR-it. Këto tema ka gjasa të kthehen në agjendë dhe të tillat do ta përkeqësonin pozitën e Kosovës në dialog.

Prandaj, është e domosdoshme që Kosova të punojë drejt strategjisë së saj të “Trump proofing”, në mënyrë që të mos zihet në befasi në rast të ndryshimeve tektonike në dialog.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.