Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Udhëkryqi strategjik

Përderisa Kosova pashmangshëm është dërmuar ekonomikisht nga pasojat e COVID si dhe është katandisur edhe më shumë nga kriza politike, s’do mend se temat tjera – kushtimisht të shprehem – më strategjike janë më pak të rëndësishme. Kjo pavarësisht faktit se shpeshherë me të drejtë konstatojmë se nuk kemi kapacitet absorbues shoqëror e politik për të mbuluar tema paralele, aq më parë ato të cilat janë jashtë fushëveprimit e kontrollit tonë.

Në fakt, morra për shkas deklaratën e “krye-diplomatit” të BE-së Josef Borell i cili në mënyrë taksative tha se Kina tashmë është duke marr primatin e SHBA-së si superfuqi botërore. Kjo deklaratë nuk përbënë risi për qarqe kërkimore-shkencore por edhe ato të inteligjencës. Kina vazhdon të përbëjë një sfidë shumë-dimenzionale për Perëndimin dhe është një konkurent i drejtpërdrejt. Ajo përbën një ekonomi me përmasa gllabëruese duke sfiduar shtetet tradicionalisht të forta ekonomikisht në çdo front. Kina ka tiparet e një superfuqie në çdo segment tradicional: ekonomik, ushtarak, politiko-diplomatik dhe diku-diku edhe kulturor. Kina – krahasuar me Rusinë e cila përbën veçse një fuqi në tentativë por gjithsesi rajonale (dhe atë kryesisht duke u mbështetur në fuqinë e vetos në OKB e assesi në ndonjë alternativë ekonomike e politike globale) – vazhdon të shtrijë ndikimin me shpejtësi të madhe.

Argumentet perëndimore të mbizotërimit të vlerave liberale dhe atyre univerzale të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe integritetit përbëjnë mbase municionin e vetëm perëndimor në raport më Kinën e cila jo vetëm që e vështron botën ndryshe nga kjo gamë e gjerë vlerash njerëzore mirëpo penetrimi i saj strategjik në shtete tjera pa ngërthyer vlera të tilla përbën mbase një avantazh. Këtu flas sidomos për shtetet gjysëm autoritare apo autoritare të cilat gjenden në çdo kontinent dhe, së voni, edhe në Evropë. Ndikimi i saj në shtete si Hungaria e Italia – anëtare të BE-s dhe NATO-s – tashmë është i ngulitur në sistem duke shantazhuar politikisht kohezionin pan-perëndimor sidomos në kontekst të vlerave liberale e demokratike.

Për rrjedhojë pyetja legjitime do të ishte se si do të veproj Kosova në një dinamikë të tillë?

Kosova si një shtet i vogël dhe mbi të gjitha i papërfunduar në aspektin e konsolidimit ndërkombëtar ngjan figurativisht me “miun i cili do të shfrytëzonte momentin e kotjes së elefantit duke ju futur nën sqetull“. Sado që ne vetëndjehemi të papërfillshëm në konstalacione të tilla ndërkombëtare, ne realisht kemi të drejtën tonë të përcaktimit strategjik. Sigurisht se përgjigja më e thjeshtë do të ishte se orientimi ynë strategjik është integrimi në BE, NATO dhe në përputhje me partneritetin e “përjetshëm” me SHBA. Mirëpo gjërat tashmë nuk janë aq “bardhë e zi” dhe bota ka ndryshuar dukshëm më shumë se sa narracioni ynë linear strategjik. Çështja është se edhe partnerët perëndimor kanë ri-dimenzionuar vizionin e tyre në raport me shtetet e vogëla (rrjedhimisht edhe me ne) e mbi të gjitha kalkulimi i tyre strategjik ngërthen një bashkëpunim bazuar në interes edhe me fuqitë tjera.

Kosova e ka hapësirën manovruese të kufizuar, madje shumë të kufizuar. Pasi që vazhdojmë jo vetëm të mos kemi njohje nga një pjesë e botës ne kemi mbetur në cilësinë e spektatorit me shumë pak opcione shkëmbimi interesash, qoftë kjo dhe në kondita të shteteve të vogëla. Argumentet e mëhershme për rrezikimin e jo-stabilitetit në Ballkan tanimë shkojnë në vesh të shurdhër dhe kjo u konfirmua në vitet e fundit në qëndrimin e BE-së (për rrjedhojë shtetet kyçe anëtare) në raport me Kosovën e cila hapur refuzoi dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe vazhdon të tregoj neglizhencë në këtë drejtim. Kina nuk parasheh shtrirje të ndikimit në Kosovë për vet faktin që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Rritja e tensioneve të Kinës me Taivanin dhe Hong Kong dhe mbi të gjitha një bashkëpunim në rritje në mes të Serbisë se Vuçiqit dhe Kinës vetëm sa e betonon këtë tezë. Edhe po që se, hipotetikisht, do të arrihej ndonjë marrëveshje normalizimi në mes Kosovës e Serbisë, vendi nuk do të përbënte zonë të interesit për Kinën.

Megjithatë hapësirën e pakët manovruese ne duhet ta shfrytëzojmë. Tendencat do jenë që krahu perëndimor do të krijoj një kohezion së paku nominal që ti kundërvihet shtrirjes së Kinës në thellësi të zonës perëndimore të influencës. Sidomos krijimi i “lekurës së gjeopardit” sa i përket influencës kineze në Evropë në çështjet e ndjeshme siç janë: varësia ekonomike, krijimi i infrastrukturës kritike, vendosja e teknologjisë 5G, deformimi i vlerave të proklamuara demokratike etj medoemos do e shtyej Perëndimin për një ripozicionim ndaj Kinës. Kjo nuk do të thotë konfrontim klasik mirëpo një marrëdhënie më selektive dhe shumë më e kujdesshme se sa ajo që ishte deri më tani. Kosova ka një avantazh të vogël e të qenurit gjeografikisht në Evropë; e shtrirjes së kontrollit efektiv pothuajse në gjithë territorin si dhe anëtarësisë në disa organizata ndërkombëtare.

Shtetit i duhet të dëshmoj gatishmëri për aleancë me shtetet e Perëndimit pavarësisht se disa vende vazhdojnë ta shohin me skepticizëm dhe të papërfunduar profilin shtetëror të Kosovës. Për ta dëshmuar rëndësinë e saj, Kosovës i duhet një strategji gjithpërfshirëse se si duhet vepruar në vitet e ardhshme. Deri në futjen në binare të interesave tona në “frontin ndikues perëndimor” Kosova do të duhej të shfrytëzonte bashkëpunimin me vende të treta si kundër-balancë ndaj ndikimit të Kinës në rajon. Diversifikimi i bashkëpunimeve me shtetet si Japonia, Turqia, Pakistani etj nuk duhej parë assesi si zëvendësim i orientimit strategjik të Kosovës mirëpo si një kalkulim interesash në një kohë të “pakohë”. Është gabim që të vazhdohet së menduari se duhet ti presim të tjerët të vlerësojnë për ne se cilat janë objektivat tona strategjike. Është koha e fundit që të mendohet më substancialisht në këtë drejtim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.