Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Unë jam cigan, jam gipsy, jam maxhup

Illustration: Big Eye

Jeta është zjarr. Ajo nuk ka kuptim pa muzikën dhe dalldisjen. Po ta mendojmë pakëz më shumë, njeriu sa më shumë vuan aq më shumë e ka të nevojshme muzikën. Sa më shumë që mendtë e braktisin, aq më shumë e ka të nevojshme afrinë më muzikën si e vetmja portë, prej nga ku mund ta shohim veten tonë zhytur në jetë. Autori i madh danez Andersen, i njohur për përrallat e tij, mendonte se aty ku dështojnë fjalët, flet muzika. Pra aty ku njerëzit nuk merren vesh me fjalë, merren vesh me muzikë. Të paktën për disa çaste. Natyrisht ky plotësim është fund e krye i imi. Ngase fund e krye besoj se dështimi i fjalëve në vendin tonë, është një e vërtetë e pamohueshme. E fuqishme dhe çdo ditë e më shumë e pranishme. Autori i rrugës Jack Micheline, nuk mbante mend një kohë në jetën e tij kur muzika kishte qenë diçka e parëndësishme për të. Njëjtë sikurse për mua. Nuk mbaj mend të ketë patur një ditë në jetën time pa muzikë. Që vjen ngado. Nga flatrimi i gjethes. Nga përplasja e enëve. Nga lehja e qenve. Nga vlimi i qumështit. Nga mbyllja e derës. Nga bërtima e largët e njeriut. Nga zhurma e lumenjëve. Dhe nga gjallëria e zemrave tona, që qeshin, vajtojnë dhe përsëri bëjnë atë që e kanë bërë gjithmonë, krijojnë muzikën.

***

Jeta ime gjithmonë ka një lidhje të fuqishme me rrugën. Kam qenë endacak i rrugëve të Prishtinës. Gjithmonë. Më ka pëlqyer të ndërroj kafenetë dhe të zgurdulloj sytë para secilës skenë ku rrinin instrumentet në pritje të dorës së njeriut. Mbaj mend kur për herë të parë kam parë Gipsy Groove. Disa djelmosha të mbushur me dashuri, vallëzonin në skenë, qeshnin dhe në fytyrën e tyre përplasej një diell. Ndërkohë unë në njërën prej qosheve të vendit pija birrë dhe sodisja fytyrën e skandinaves së lumtur. Gipsy Groove e përjashtojnë pikëllimin si cilësi njerëzore. E shtyjnë tutje brengën dhe gjithë çfarë atyre ju intereson është një audiencë e hatashme që kërcejnë dhe këndojnë së bashku me ta. Ngase secila ditë mund të jetë e fundit. Ngase ajo natë mund të jetë nata kur gjithçka do të ndryshojë. Të dehur, pasionantë, karizmatik dhe të etur për të jetuar. Ata shtrijnë duart dhe na marrin në tokën e haresë së madhe, pa të cilën jemi qenie të kota. Të marrim një shembull. Shpresoj që të do të na futet në punë. Trioja e famshme britanike të njohur si paraardhësit kabaresë së punk-ut Brechtian, The Tiger Lillies, kanë një këngë, thua ti, se ata janë vetë pronarët e ferrit. Në të qartazi tërhiqet vërejtja mbi hedonizmin e tepruar të racës njerëzore, kur ata na bëjnë me dije, se të gjithe ne, së bashku, pa asnjë përjashtim do ta bajmë bishtin nga këtu. Sipas tyre gjithçka që na pret është vdekja, gënjeshtra dhe optimistët e vetëm mbi këtë faqe të dheut, janë budallenjtë dhe idiotët.

Dhe po. Sado që kanë të drejtë dhe sado që e vërteta e tyre është e palëkundshme, unë jam i shtyrë dhe i nxitur të shtrembërojë të vërtetat që na helmojnë. E gjithë bota dhe të gjithë njerëzit, nëse kanë pak tru, tashmë e dinë këtë konstatim kaq madhështor. Por çështja është që ndonjëherë të ja lëshojmë jetës. Të ja hedhim. Të ja fusim. Sikurse në mbrëmjet e mbushura me bërtima, vallëzim, energji apo tinguj që na vinë nga një kitarë elektrike, e zbukuruar me një shqiponjë dhe që përsëri e jep atë që duhet të jepet. Diversitetin kulturor. Atë njerëzor dhe të drejtat e secilit. Paqen dhe dashurinë si të vetmet mundësi. Të tjerat janë bullshit. Po. Mund të rri deri në mëngjes, të dëgjoj Gipsy Groove dhe përsëri e di se kur do të dal jashtë, muti është në rrugë. Nuk e kam të nevojshme këtë dije. Të nevojshme e kam krijimin e perandorisë gjatë tërë kohës sa jemi brenda, atë të së drejtës. Në mënyrë që kur të dalim jashtë të forcohemi para shëmtisë. Urrejtjes. Para të tjerëve që nuk na pranojnë ngase nuk jemi si ta. Para katastrofës që vjen nga njeriu.

***

Gipsy Grove janë formuar në vitin 2010-2011 dhe performojnë muzikë autentike rome ballkanike të cilat e mbushin me elemente të tjera jazzi, reggae, funk. Ata janë grupi i vetëm këndejpari që luajnë muzikë origjinale rome. Anëtarët e bendit përbëjnë një shumëllojshmëri etnike. Po kush merret me budallallëqe të tilla përderisa muzika është identiteti ynë i vetëm. Si e vetmja vlerë e njëmendtë njerëzore. Prandaj kur Kafuja ju thotë që ju jeni Gipsy. E gjitha çfarë ju mund të bëni është ta pohoni me kokë, jo për ndonjë arsye tjetër por për të vetmin shkak, se gipsy do të thotë njeri. Pra jemi njerëz. Muzika kalon përtej çdo identiteti, ideologjie. Ajo e kapërcen paragjykimin njerëzor. Sa për veten time moti kohë e kam pohuar. Unë jam rom. Dhe e gjithë dashuria ime jeton në syrin e vogël të një rome. Rrotat e drunjta gjithmonë do të digjen në rrugët e jetës, për të na bërë me dije se përtej secilit prej nesh, ka një luftë që duhet ta fitojmë. Lufta për të mbetur njerëz. Dhe lufta për të kënduar të gjithë së bashku Opa Cupën apo Djelem Djelemin njerëzor.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.