Gjatë viteve ‘90, në kohën kur populli shqiptar po përjetonte frikë dhe dhunë nga okupatori, Liman Musliu me shokë kishin rrokur armët për liri. Pas luftës, si edhe shumica absolute e luftëtarëve të rezistencës, Limani punonte ndershëm.
Pas çlirimit, Limani iu bashkua forcave të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe kishte shërbyer në Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK) si zyrtar civil.
Javën e kaluar, përderisa po punonte në një objekt ndërtimor, Limani humbi jetën tragjikisht. Sipas raportimeve të mediave, ai kishte rënë nga kati i 10-të i ndërtesës ku ishte duke punuar pas orarit të punës.
Ky lajm tronditi opinionin publik në Kosovë dhe në media u kritikua anashkalimi i veteranëve nga Qeveria.
Si rezultat i presionit publik, Ministria e Mbrojtjes postoi një komunikatë turpëruese, duke treguar koeficientin e pagës së Musliut dhe duke argumentuar se puna pas orarit ishte zgjedhje personale e të ndjerit. Përtej çdo kufiri njerëzor, në komunikatë thuhej se i ndjeri kishte edhe pagesa të tjera nga pensioni invalidor.
Në vend të trajtimit dinjitoz nga vendi për të cilin ai sakrifikoi aq shumë, vdekja tragjike e Limanit u përdor si mekanizëm mbrojtës nga institucionet, duke ia përmendur koeficientin dhe përfitimet e pensionit. Kjo komunikatë skandaloze u fshi nga Ministria e Mbrojtjes pas disa orësh.
Është e domosdoshme që rasti i Liman Musliut të diskutohet, në mënyrë që të nxirren disa mësime esenciale nga ky incident tragjik.
Së pari, puna në ndërtimtari është një nga aktivitetet më të vështira fizike dhe nuk është thjesht një punë që gjeneron të hyra më të mëdha. Po t’i mjaftonte Limanit paga, apo pensioni i marrë nga Qeveria e Kosovës, ai nuk do të kishte nevojë për punë shtesë.
Së dyti, kjo qeveri ka shpërfillur me arrogancë kërkesat e veteranëve të UÇK-së. Qeveria e ndryshoi nenin ligjor që pensionin e veteranit e lidhte me pagën minimale. Kështu, pensioni i veteranëve të UÇK-së nuk lidhet më me pagën minimale për jetesë, por mbetet vetëm si lëmoshë, e cila caktohet në mënyrë arbitrare nga Qeveria.
Për vite me radhë, Qeveria e Kosovës është duke aplikuar ndëshkimin kolektiv për veteranët për shkak të listave të fryra të veteranëve nga persona të pandërgjegjshëm, pasojat e së cilës gjë po i bartin të gjithë.
as a “Fillimisht të pastrohen listat e veteranëve, pastaj rritja e pensioneve” – ky është kushti që u kërkohet veteranëve për t’i kursyer nga ndëshkimi kolektiv. Ky kusht, sa tragjik, është edhe komik.
Përgjegjësinë dhe iniciativën për pastrimin e listave duhet ta marrin institucionet dhe jo veteranët. Në katër vjetët e fundit, institucionet përgjegjëse duket që nuk e kanë marrë asnjë veprim të vetëm në këtë drejtim.
Vitin e ardhshëm, pensionet e veteranëve do të rriten margjinalisht – nën pagën minimale – por pa dialog paraprak me përfaqësuesit e veteranëve. Mesazhi që vazhdimisht po dërgon Qeveria është i drejtpërdrejtë: asnjë grup – mësuesit, policët, apo veteranët – nuk është i denjë për t’u përfshirë në negociata për benefitet dhe se vetëm ata “vetëvendosin” për këto çështje.
Në vend se të gëzojnë benefitet e veteranit të UÇK-së, shumë prej tyre obligohen që të punojnë punë të vështira në ndërtimtari për të siguruar një jetesë bazike për familjen e tyre.
Shembuj si Liman Musliu ka shumë në Kosovë, por arsyeja e vetme pse ne jemi të vetëdijshëm për të është sepse ai vdiq duke punuar në ndërtimtari pas orarit të punës.
Por, përveç vdekjes tragjike të tij, Limani dhe familja e tij morën edhe një shuplakë të fundit nga kjo qeveri, e cila, në vend të respektit dhe nderimit të shërbimit ndaj atdheut, vendosi që t’i përmendë koeficientin dhe pensionin e tij.