Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Virgjëria e statistikave

Ilustrimi nga Big Eye.

“Seksi shitet” mori formë njerëzore/statusore në Facebook me publikimin e rezultateve të anketës MICS. Anketa që monitoron situatën e grave dhe të fëmijëve, u administrua në Kosovë gjatë 2014-2015, u publikua në tërësi javën që shkoi. Kjo anketë, edhe pse sigurisht çuditi shumë, përmbante statistika shumë interesante, disa brengosëse, disa pozitive, mbi gjendjen e grave dhe të fëmijëve në Kosovë, statistika këto, përtej numrit të vajzave 15-24 vjeç që janë aktive seksualisht. Sidoqoftë, seksi shitet, ose në këtë rast ishte mungesa e seksit që shitet, dhe tek ne. Lajm kryesor ishte kjo statistikë, e cila tregon se 91.1% të vajzave të anketuara të kësaj moshe që janë të pamartuara janë përgjigjur se nuk kanë qenë asnjëherë seksualisht aktive. Kjo shifër për burra është 54.4%. Implikimet e këtyre statistikave dhe mënyrës sesi ne reaguam, nuk kam çka t’i shtoj asaj që ka thënë Hana Marku.

Sidoqoftë, duke u kthyer kah e rëndësishmja dhe relevantja, kjo statistikë, në një raport mbi 300 faqësh, me statistika shumë më të rëndësishme, do të duhej të kalonte pa u diskutuar, ose së paku pa u diskutuar në këtë masë dhe me kaq intensitet.

T’i kthehemi fëmijëve. Vetëm 88.1% e fëmijëve që lindin në Kosovë regjistrohen zyrtarisht, rreth 12% mbesin të paregjistruar në sistemet zyrtare. Statistikat e anketës MICS tregojnë se numri i fëmijëve, të moshës 24-35 muaj që kanë marrë vaksinat e rekomanduara sipas imunizimit në Kosovë deri në moshën 1 vjeçare janë 78.5%. Kjo statistikë duhet të na tërheqë vëmendjen, se 21.5% e fëmijëve kanë ngelë prapa në imunizim, që i bën ata të prekshëm nga sëmundjet e infektimet. Nuk është numër i vogël dhe nuk janë çështje për t’i lënë pa diskutuar. E si disiplinohen fëmijët në Kosovë? Statistikat e raportit tregojnë se 61.4% e fëmijëve 1-14 vjeç kanë përjetuar agresion psikologjik ose ndëshkim fizik gjatë muajit të fundit. 61.4% e fëmijëve! Pse nuk po reagojmë për këtë statistikë brengosëse në të cilën tregohet se shumica e fëmijëve tonë i ekspozohen ndonjë forme të dhunës si formë disipline? E kur jemi te dhuna, pse nuk po reagojmë për statistikat se sa e pranueshme është dhuna bashkëshortore? Përqindja e grave që mendojnë se bashkëshorti i tyre ka të drejtë t’i godasë apo t’i rrahë nëse ato dalin pa i treguar atij, nëse i neglizhojnë fëmijët, diskutojnë me bashkëshortin, refuzojnë seks, ose, e djegin ushqimin, është 32.9%. Kjo shifër për burrat është 14.9%. Këto përqindje rriten edhe më tutje nëse kategoritë që “arsyetojnë” dhunën zgjerohen në kategori edhe më banale, si nëse bashkëshortja nuk kujdeset për prindërit e bashkëshortit –42.4% të grave e arsyetojnë këtë dhunë. Rreth 22% të burrave pajtohen. E di që kjo është diskutuar kur u siguruan këto statistika pa dalë raporti i plotë, po shtrohet pyetja, pse tash nuk na u dukën më problem këto statistika, vetëm pse i kemi diskutuar para disa muajsh? Se jo, kinse nuk mbesin relevante, e më me rëndësi është virgjëria e 90% të grave të pamartuara deri në moshën 24 vjeçare. Këso statistika duhet të na hapin sytë dhe të na brengosin para se të lejojmë të ndodhin tragjedi si ajo e Zejnepe Bytyqit. Po më me rëndësi virgjëria!

Në anën tjetër, raporti jep statistika për një fushë tjetër shumë të rëndësishme, që është arsimi. Brengosëse është se vetëm 31.1% të fëmijëve nën moshën 5 vjeçare kanë 3 apo më shumë libra të fëmijëve. Shpresëdhënëse është se nënat e këtyre fëmijëve janë të angazhuara në aktivitete që promovojnë mësimin dhe përgatitjen shkollore, e brengosëse është se baballarët janë të angazhuar rreth 6-7 herë më pak. Kur i dekonstruktojmë statistikat e arsimit të ulët dhe të mesëm, shohim ku janë mangësitë në sistem, përparësitë, dhe ku duhet intervenuar. Rreth 99.6% të fëmijëve që fillojnë klasën e parë të shkollës fillore arrijnë klasën e fundit të shkollës fillore. Tranzicioni në shkollën e mesme prej shkollës së lartë fillore është 91.5%, që na tregon se një numër i konsiderueshëm i nxënësve nuk vazhdojnë shkollën e mesme, dhe kjo është ajo ku ka vend për përmirësim dhe ku mund t’i kanalizojmë fjalët dhe veprat për të përmirësuar numrin e nxënësve që shkojnë dhe që përfundojnë shkollën e mesme. Shpresëdhënëse e statistikave të arsimit është pariteti gjinor, sidomos në klasat e ulëta, ku numri i vajzave dhe i djemve të regjistruar krijojnë paritet gjinor prej 100%. Ky numër zvogëlohet në klasat më të larta, mirëpo statistika nuk zbret nën .96 apo 96%.

Shpresëdhënëse është se këta të rinj, për aktivitetet seksuale mbi të cilat po flasim, përdorin kompjuterin mbi 90% gjatë vitit të fundit, e po ashtu dukshëm mbi 90% kanë përdorur edhe internetin. Një vend si ky i yni duhet t’i gëzohet faktit të nivelit të penetrimit të internetit, e informatave të panumërta që mund t’i marrim aty, tek rinia.

Statistikat përdoren e abuzohen dhe interpretohen ashtu si i konvenon atyre që janë duke i raportuar, mirëpo, me shumë pak mendim kritik mund të fokusohemi në statistikat që me të vërtetë kanë rëndësi, e jo në ato që janë triviale, dhe me gjasë, duke e njohur mentalitetin tonë, edhe të pavërteta. Statistikat e MICS, mund t’i shfrytëzojmë për të hapur debate publike për gjëra me të vërtetë qenësore, dhe për të krijuar dhe implementuar politika të cilat i adresojnë brengat që ky raport i nxjerr në pah. Të merremi me virgjërinë tonë në shfrytëzimin e statistikave për të mirë, e jo për skandal, në vend se me statistikat për virgjërinë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.