Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vuçiqi: asetet strategjike dhe ekonomia

Illustration: Big Eye

Dje Kosovën e vizitoi kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ndër të tjera, ai u ndal tek liqeni i Gazivodës, apo Ujmanit – quani si të doni – dhe në minierën e Trepçës. Si një CD e gërvishtur, ai përsëriti diçka që mund të përmblidhet kështu: “Këto pasuri janë të Serbisë dhe jo të të ashtuquajturave institucione të Kosovës.” Nuk vonoi shumë dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u kundërpërgjigj, edhe ky si një CD e gërvishtur, se “Këto pasuri janë të Republikës së Kosovës e jo të Serbisë”. Të reja nuk janë deklaratat, por vizita e kryeministrit serb në këto vende. Si duket, iu është afruar rendi Trepçës dhe Ujmanit për bisedime ‘teknike’ dhe këto deklarata janë pozicionet bazë, prej të cilave duhet bërë kompromis në Bruksel. Megjithatë, pyetja që dua të shtroj këtu është se sa janë strategjike këto dy ‘asete’ ekonomike – Trepça dhe Ujmani? Përgjigjja e shpejtë: janë më strategjike politikisht sesa ekonomikisht.

Më lejoni të shpjegoj përpara se të më gozhdoni me gjykime. Trepça dhe Ujmani janë një pasuri e madhe, padyshim, por nuk janë edhe aq të rëndësishme për zhvillim sa mendohet. Të dyja mund të konsiderohen si resurse të cilat ekstraktohen dhe si të tilla nuk është që duhet ndonjë shkathtësi e madhe për nxjerrjen e tyre. Në rastin e Trepçës, shkathtësia e vetme që nevojitet është aftësia fizike e minatorëve dhe mirëmbajtja e pajisjeve. Në rastin e Ujmanit, duhet vetëm mirëmbajtje e pajisjeve për prodhimin e energjisë, mirëmbajta e sistemit të ujitjes dhe ujit të pijes. Nuk besoj që këto të jenë shkathtësi të veçanta në botë, e aq më pak shkathtësi të sofistikuara.

Çka kanë të bëjnë shkathtësitë me ekonominë dhe pasurinë? Gjithçka. Pasuria e kombeve nuk qëndron tek pasuria (e definuar në kuptimin konvencional, si paratë, ari, nafta, qymyri, etj) por të shkathtësitë e individëve dhe bashkimi i tyre – që në shumë raste krijojnë sinergji ku dy plus dy bëjnë më shumë së katër. Sikur të qëndronte argumenti që pasuria e kombeve qëndron tek pasuria (definuar si më lart), sot vendet më të pasura do të ishin vendet si Arabia Saudite bashkë me vendet tjera të rajonit që kanë shumë naftë, Angola e cila ka shumë naftë, Republika Demokratike e Kongos bashkë me Kongon, të cilat kanë shumë minerale, Botswana e cila ka shumë diamante, e kështu me radhë. Ndërsa vendet e varfra do të ishin, Japonia e cila nuk ka pothuajse asgjë, Islanda, Italia, apo Zvicra.

A do të thotë kjo që këto janë asete komplet të parëndësishme? Përgjigja është jo. Këto asete janë të rëndësishme për zhvillim, por jo domosdo të nevojshme. Ja një shembull alegorik: një fëmijë që trashëgon shumë pasuri nga familja nuk është domosdo i suksesshëm. Në fakt, ai fëmijë mund të rritet dhe të bëhet komplet idiot dhe thjesht të shpenzojë pasurinë e familjes pa bërë ndonjë gjë të mençme (sigurisht të gjithë njohim nga një kësi lloj idioti). Në anën tjetër, ajo mund të shfrytëzojë pasurinë e familjes për zhvillim të mëtejshëm dhe kësisoj gjatë jetës së vet ta rrisë pasurinë edhe më tej.

Para se ta përfundoj, edhe një element. Gjenialiteti në politikbërje është të krijosh diçka nga asgjë – përmes investimeve, rritjes së aftësive dhe inovacionit. Të mos harrojmë, Kosova kishte zero liqene para vitit 1945. Ishte gjenialiteti i politikbërësve jugosllavë (edhe pse ‘gjenialiteti’ i politikbërësve tjerë jugosllavë i ka kushtuar shumë shqiptarëve) që nga rrjedhat e përroskave, krijoi liqene nga të cilët ne sot marrim ujin dhe të cilët shfrytëzohen edhe për qëllime tjera, si peshkataria, ujitja, turizmi etj. Liqenet më të mëdhenj dhe kryesorë të Kosovës janë artificialë, të krijuar në kohë të Jugosllavisë: Badofci, Batllava, Radoniqi, Përlepnica dhe Ujmani. Gjithashtu, gjenialiteti i politikbërësve jugosllavë ishte krijimi i fabrikave të cilat merrnin lëndën e parë nga Trepça. Ishte e vërtetë ajo parulla “Trepça punon, Beogradi ndërton” por do të ishte edhe më e vërtetë sikur të mos ekzistonin fabrikat si ajo e akumulatorëve për automjete në Mitrovicë, baterive industriale në Pejë, baterive tjera në Gjilan, fabrika e Metalikut në Gjakovë, etj. Këto fabrika nuk ishin edhe shumë të suksesshme për shkak se mungonin aftësitë, por ajo ishte pikërisht ideja: që përmes përvojës së akumuluar gjatë prodhimit ndër vite, ndihmës shtetërore (shembull: përmes edukimit të kuadrove në shkolla për industri), dhe profiteve të Trepçës të krijohen aftësi tjera, me të sofistikuara, të rritet stoku i aftësive dhe kështu të rritet ‘pasuria’ kombëtare.

Për fund, publiku kosovar ka tendencë të jetë shumë i lidhur sentimentalisht për këto ‘asete strategjike’ për këtë ‘pasuri’ të Kosovës, e kështu më radhë. Por për ekonomi këto asete nuk janë edhe aq të rëndësishme. A mund të themi që kontrolli i këtyre aseteve është simbolikë e sovranitetit kundrejt pretendimeve serbe për shtetësinë e Kosovës? Absolutisht po! A kanë vlerë sentimentale këto asete/lokacione? Mjafton të kujtojmë grevën e minatorëve. Por këto janë çështje tjetra. Ndërsa për ekonomi, na duhen politika më të mira dhe mbi të gjitha fokus më të madh nga të gjithë ne. Për fat të keq, debatet për politika ekonomike kanë mbetur pothuajse komplet nën hijen e çështjeve ‘madhore’, ‘historike’, budallalleske, si mbathjet e presidentes, çka i tha filani fistekut, a e përfaqëson filani frymën rugoviane, e tjetri a ka qenë mirëfilli pjesëtar i UÇK-së…

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.