Të gjithë ishim dëshmitarë të asaj që u quajt ikja masive ose edhe ‘eksodi’, e cila ndodhi vetëm para pak vitesh. Ndërkohë, migrimi ilegal dhe pamjet dramatike të ikjeve u harruan, dukuria e largimit, pra migrimit në heshtje po vazhdon ende. Tashmë larg ballinave gazetash, ekraneve televizive e portaleve si dhe vëmendjes së opinionit publik. Ashtu e pa zhurmshme dhe individuale, ajo me gjasë do të kalojë pa reagime të shoqërisë dhe pa ndonjë kusuritje politike, si vala e kaluar. Por mjafton të vizitohet aeroporti, stacioni i autobusëve apo t’i shihni ofertat e kurseve të gjuhëve të huaja (sidomos asaj gjermane) dhe krijoni një tablo të qartë se emigrimi nuk ka të ndalur aspak.
Në anën tjetër, Kosova është ndër vende të rralla në botë që ka Ministri të Diasporës, por ndër të vetmet që nuk ka as studime, as institut kërkimor, strategji e plane veprimi, dhe me gjasë as më të voglën ide se si të ndalë migrimin. Ministria e Diasporës aktivitetin kryesor vazhdon ta ketë vendosjen e panove të mirëseardhjes për mërgatën gjatë muajve të verës, apo nganjëherë të ndonjë ‘tryeze të rrumbullaket’ pa ndonjë rezultat konkret. Mirëpo, nuk disponon as edhe një hulumtim të vetëm empirik rreth migrimit e madje edhe as rreth mërgatës sonë. Edhe regjistrimi i mërgatës, sado qëllimmirë dhe i nevojshëm, nuk ofron të dhëna të vlefshme e të sakta si për numrin ashtu edhe për aspektet tjera të rëndësishme. Si edhe shumë të dhëna tjera statistikore, edhe këto janë të ‘përafërta’, e që bie thjesht të pasakta. Pa të dhëna bazike, përmes së cilave mund të hulumtohet dhe kuptohet roli dhe rëndësia e mërgatës, sikurse edhe pa vullnet të mirëfilltë politik, studimet rreth migrimit nuk mund të realizohen.
Ndoshta do të ngushëllojmë veten, nëse themi se edhe shtetet fqinje e kane problemin e migrimit dhe se kjo është dukuri globale, apo ndonjë arsyetim të ngjashëm. Por, e vërteta është se më e keqja te ne ende nuk ka ardhur. Me liberalizim të vizave (nëse ndodh gjatë vitit!) ne do ta përjetojmë një ‘eksod’ të përmasave ndoshta edhe më të mëdha se atë nga viti 2015. Nëse Kosovën tani po e braktisin studentët, specialistët e teknologjisë informative, infermierët, mjekët e kuadrot tjerë, e që më së shumti i duhen shoqërisë e vendit për zhvillim.
Me liberalizim të vizave, kam frikën e bazuar, se do të largohen edhe shumë profesionistë por edhe të rinj të shumtë të papunë. Pastaj do të vuajmë pasojat afatgjate, në vend që të angazhohemi tani për t’i zgjidhur disa nga shkaqet. Dhe me këto shkaqe nuk nënkuptohen vetëm kushtet ekonomike e sociale, por edhe kthimi i besimit në institucione, përfaqësimi më i duhur politik, drejtësia dhe mbi të gjitha besimi në shtetin dhe të ardhmen e tij. Nëse ‘elitat’ e deritashme politike e kanë sjellë gjendjen në atë nivel që të braktiset atdheu, ato do të duhej ndërruar e jo të lëshohet shteti. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne jemi dorëzuar para tyre. Është çështje e kulturës demokratike, sepse kjo kërkon qëndrime e parime përtej retorikës tallava-politike e pazareve elektorale. Për këtë të gjithë kemi obligim qytetar të angazhohemi, sepse shteti nuk zhvillohet apo rrezikohet vetëm nga ata që e udhëheqin, por edhe nga (mos)vetëdija dhe (mos)angazhimi i secilit qytetar.