Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Zejnepe Bytyqi, viktimë e dhunës strukturore gjinore

Ilustrimi nga Big Eye.

Zejnepe Bytyqi Berisha është viktima e radhës e dhunës në familje, e vrarë nga bashkëshorti i saj. Me 10 goditje thike, ajo vdiq në dhimbje e terror. Vajza e saj është lënduar nga babai i saj po  ashtu, e edhe fëmijët e tjerë kanë qenë dëshmitarë të krimit. Sikurse Diana Kastrati e vrarë nga ish bashkëshorti në vitin 2011, edhe rasti i dhunës që burri i Zejnepes ushtronte ndaj saj, ishte i njohur për policinë. Çka Diana dhe Zejnepja kanë të përbashkët janë jo vetëm bashkëshortët e dhunshëm, por edhe fakti që policia nuk u mor me ta. Burri i Zejnepes ka pasur 16 dosje në polici. Ai ishte arrestuar në vitin 2002 kur Zejnepja paraqiti rastin në polici për herë të parë. Dhuna brutale e sistematike që ushtrohej ndaj saj e detyroi atë të tentojë edhe vetëvrasjen. Në vitin 2008, ai ishte dënuar edhe për armëmbajtje, por sanksionimi ishte vetëm me gjobë. Disa herë i arrestuar nga policia dhe i lënë i lirë përsëri.

Dhuna në bazë gjinore është strukturore. Sociologët e shpjegojnë dhunën strukturore si delikate, shpesh të padukshme, dhe pa një person konkret që mund të mbahet i përgjegjshëm. Dhuna në bazë gjinore, forma më e shpeshtë e së cilës është dhuna ndaj grave, është shprehje e pabarazive në pushtet në mes të grave e burrave. Për të kuptuar më mirë arsyen se pse ka kaq shumë dhunë ndaj grave në Kosovë dhe në vende e shoqëri të tjera patriarkale, është shumë me rëndësi të kuptojmë sesi shtrihen pikëpamjet dhe praktikat diskriminuese në struktura të caktuara shoqërore. Mendoni për dhunën në familje; trajtimin institucional të grave gjatë dhe pas lindjes; kulturën e përdhunimit dhe qortimin për ‘kurvëri’; trafikimin e grave dhe pastaj arrestimin e tyre nga policia, përderisa klientët e tyre mbeten të lirë dhe të pacenueshëm; përfaqësimin diskriminues të vajzave dhe grave në libra shkollor dhe universitar; përfaqësimin degradues të grave në media, dhe të tjera të ngjashme.

Studimet tregojnë se fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës në familje, pra ata që shohin dhunën që ushtrohet ndaj një anëtari tjetër të familjes, kanë prirje që më vonë të jenë vet viktima të dhunës. Në anën tjetër, ata që në fakt përjetojnë dhunë, qoftë fizike, emocionale, apo seksuale, janë më së shumti të prirur të ushtrojnë vetë dhunë ndaj të tjerëve në fazat e mëvonshme të jetës së tyre. Pra, qysh në fëmijëri, mund të dimë se pse dhe kush është më i prirë të jetë viktimë e dhunës apo ushtrues i saj. Një hulumtim nga UNICEF në Kosovë tregon që djemtë përjetojnë më shumë dhunë fizike, ndërkaq vajzat janë më shumë dëshmitare të saj, fakt ky që shpjegon deri diku edhe sjelljen në komunitet të gjinive; djemtë si viktima të dhunës po ushtrojnë dhunë në familje, e vajzat po priren të përzgjedhin për partner jete po këta persona të dhunshëm.

Tekstet shkollore tek ne mësojnë nxënësit se “truri i vajzës është bërë për të folur, ndërsa i djemve për të bërë”. Në tekste universitare, si “Kriminalistika” e Vesel Latifit, viktimat e dhunës seksuale përshkruhen si “përdala”. Në sferën politike në anën tjetër, gratë na irritojnë. Albulena Haxhiu e Donika Kada Bujupi, janë ndër gratë që duket se më shumti irritojnë publikun e gjerë; histerike, të mërzitshme e të paafta të cilave mund t’u drejtohesh me mënyrat më përçmuese. Edhe koleget e tyre deputete i kritikojnë sjelljet e tyre duke ua përkujtuar këtyre të dyjave se janë femra, nëna e gra të dikujt.

Epitetet mizogjene si “kurvë” apo “kudër” janë pjesë e diskutimeve të hapura, e poezive e shkrimeve, e debateve të shpeshta nga qytetarët e zakonshëm, e edhe nga gazetarë dhe letrarë në medie sociale. Në qoftë se vishesh në mënyrë ‘provokuese’, je kurvë, në qoftë se ke pasur partnerë, konsiderohesh e tillë, nëse shpreh seksualitetin lirshëm përmes veshjes, gjuhës apo mbron të drejtën e seksualitetit të grave, mbetesh “kurvë”. Ky nocion nuk njeh as moshë. Vajzave të vogla nuk u hezitohet të u drejtohet me këtë fjalë, qoftë edhe për humor, një gruaje në moshë të shtyer i thuhet “kurva plakë”, e mos të flasim për vajzat e gratë e reja si individë me pjekuri e shëndet të mirëfilltë seksual; ndoshta objektivi më i lehtë dhe më i shpeshtë. Pavarësisht nga subjektiviteti i atij apo asaj që e përdor këtë etiketim, termi “kurvë” asociohet me imoralitet, inferioritet, dhe diçka që mund dhe ia vlen të sundohet e dominohet. Pra, ky nocion pritet të përdoret nga ata me etje për të sunduar, për të shkelur, e dominuar dikë tjetër.

Kur dhuna e strukturuar përvetësohet aq shumë, ajo na shpien tek dhuna simbolike. Dhuna fizike, psikologjike, verbale, dhe ajo seksuale, gradualisht shndërrohet në Dhunë Simbolike që sipas antropologut Pierre Bourdieu nënkupton qe vet grupi i nënpërfaqësuar, ai i nënshtruar apo i dominuar e pranon pozitën e tij si të tillë, e pranon dominuesin si superior dhe e normalizon realitetin abuzues. Një hulumtim i kryer nga ASK dhe UNICEF tregon që 40% e grave në Kosovë e pranojnë dhe arsyetojnë dhunën në familje. Dhuna simbolike shpjegon pse gratë tek ne shpesh pranojnë domestikimin e tyre dhe pse arsyetojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre dhe grave të tjera, apo thjesht nuk shohin alternativë.

Pra dhuna ndaj grave është pjesë e një zinxhiri kulturor e institucional. Ajo po ushqehet nga policia e prokuroritë lokale e qendrore, dhe institucionet e akterë të tjerë të paaftë për t’u përballur me delikatesën dhe dhembshurinë që duhet të tregojnë ndaj grave të prekura nga dhuna, dhe seriozitetin për ta kontrolluar dhe mbajtur nën vrojtim një person të dhunshëm e në gjendje të kryej krim të rëndë. Pra, Zejnepe Bytyqi nuk është vetëm viktimë e rastësishme e një personi të dhunshëm. Ajo është viktimë e një sistemi të padrejtë e të dhunshëm shoqëror e kulturor, dhe një papërgjegjësi të madhe institucionale. Ky sistem jo vetëm që po i vret gratë si Zejnepja e Diana me plot kuptim të fjalës, por po përcjell në shoqëri pasojat e pariparueshme të dëmeve zinxhirore me të cilat përcillet dhuna.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.