Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Zemërimi qytetar përballë keqpërfaqësimit të shtetit

Zemërimi qytetar përballë keqpërfaqësimit të shtetit

Vështirë është të diskutohet përkitazi me incidentin ku një qytetare amerikano-kosovare që demaskoi një pjesë të realitetit socio-politik të Kosovës, sulmoi me fjalë e vezë ambasadoren e Kosovës në Uashington, në shenjë proteste ndaj kësaj gjendje. Si të shtrohet diskutimi për incidente të këtilla? A mund të thuhet se ambasadorja nuk është adresa e duhur e shprehjes së revoltës, meqë është vetëm përfaqësuese diplomatike, e jo përgjegjëse për gjendjen për të cilën reagoi qytetarja e zemëruar?

Personalisht ambasadorja mund të mos ketë faj për gjendjen në Kosovë, ose mund të ketë, nuk më intereson (s’është punë e imja me i gjetë fajtorët individualë për këtë gjendje). Mirëpo, ambasadorja përfaqëson një shtet. Shtetin tonë. E përfaqësimi (reprezentimi) ka dy kuptime, i pari diplomatik, domethënë zyrtarisht me përfaqësu një shtet, dhe i dyti siç përdoret në teorinë socio-kulturore në kuptimin e paraqitjes, përshkrimit e portretizimit.

Pra, ambasadorja përfaqëson shtetin në dy forma ose nivele. Së pari, ajo është e autorizuar të veprojë e të flasë në emër të shtetit tonë në një shtet tjetër. Së dyti, bashkë me këtë, ajo përfaqëson edhe aparatin ideologjik propagandues të tij që përpiqet ta paraqesë e përshkruajë (reprezentojë) shtetin tonë në shtetet e tjera ashtu siç nuk është në realitet. Në formën e dytë, përfaqësimi në të vërtetë nuk i referohet gjendjes reale, por përfaqësimit të imazheve të rrejshme për shtetin e shoqërinë, dhe atë jo në interes të përgjithshëm të qytetarëve, por për interesa të tarafeve sunduese.

Prandaj, ambasadorja (kuptohet si post zyrtar shtetëror) është target legjitim i kritikës, për aq sa përfaqëson shtetin në mënyrë të shtrembëruar, pra merr pjesë në ndërtimin e ofrimin e një imazhi të rrejshëm për shtetin. Kjo vlen sidomos kur një përfaqësim i tillë bëhet në një vend të cilit i detyrohemi për ekzistencën tonë si shtet, me të cilin mendoj se na duhet ndërtuar marrëdhënie të sinqerta. (Është për t’u përshëndetur vendimi i ambasadores për të mos ngritur padi ndaj qytetares, gjë që tregon se ambasadorja nuk e ka marrë personalisht sulmin ndaj saj.)

Ky imazh i rrejshëm më përpara kishte të bënte me “Young Europeans”, domethënë “kosovarët e rinj, të hareshëm, plot optimizën e të europianizuar/uesternizuar”, imazh i cili shpejt u zbeh nga kosovarët e rinj në ISIS e në autobusa për në Hungari, nga rezultatet e dobëta në PISA dhe nga aktivisti i ri politik, që vdiq në burg të shtetit.

Meqë paraqitja e Kosovës si vend i prosperuar perëndimor nuk po pin ujë më në rrafshin ndërkombëtar, tani po synohet të prodhohet një imazh i shtetit pionier i luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar islamik, e i murit të gjallë përballë marshit rus në Ballkan, ndërkohë që gjendje e mjerueshme zotëron në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.

Kushdo që e demaskon këtë paraqitje të rrejshme të vendit, është në nivel detyre si qytetar. Mund të qortohet, ose jo, sulmi i ambasadores me vezë. Personalisht, më duket e shëmtuar të gjuhet dikush me gjësende. Por, ky koment për situatën nuk është në rrafshin personal dhe nuk synon të paraqesë e të argumentojë pikëpamjet personale për format e aktivizmit qytetar dhe përdorimin e dhunës në politikë. (Fundja, çfarë rëndësie ka gjykimi im estetik këtu?)

Duhet të pyesim përse qytetarja ishte e zemëruar dhe çfarë deshi të tregonte ajo me këtë gjest. Kështu pyesin shoqëritë demokratike e të emancipuara kur ndodhin indicidente të këtilla. Besoj se kështu do të pyesë edhe ata që u gjendën në vendin e incidentit.

Kjo është me rëndësi, e jo gjykimet tona etike e estetike për incidentin. Ajo çfarë mbajmë mend nga incidenti, kur qytetari irakian gjuajti me këpucë ish-presidentin amerikan para gati nëntë vitesh, nuk janë gjykimet se a pati të drejtë ai a jo, apo nëse meritoi qortim e ndëshkim për atë gjest, por çfarë deshi të thotë me të.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.