Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Zgjedhja e profesioneve dhe fuqizimi ekonomik i grave

Pjesëmarrja e grave në tregun punës në Kosovë ndryshon në masë të madhe në krahasim me burrat.  Kjo situatë reflekton sfidat e shumta të cilat ato i hasin gjatë përfshirjes së tyre në ekonominë e vendit. Më shumë se 78.5% e grave janë joaktive në fuqinë punëtore, krahasuar me burrat me 41.1%. Për gratë që janë aktive, shkalla e papunësisë është rreth 33.1% kurse te burrat 21.5% (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2020).

Përtej këtij niveli të ulët të aktivitetit në tregun e punës, gratë të cilat janë aktive ballafaqohen me barriera të ndryshme si për gjetjen e vendit të punës, ashtu edhe për ruajtjen e vendit të punës poashtu ndër barrierat tjera konsiderohen edhe kushtet  dhe siguria në punë, pabarazia në pagë, diskriminimi në punë,  balancimi i karrierës profesionale me përgjegjësit familjare, pushimi i lehonisë etj.  Në përgjithësi, gratë kanë më shumë gjasë të jenë të punësuara në punë të paqëndrueshme dhe të përfshira në tregun informal ku ekspozimi ndaj shfrytëzimit të rrezikut është më i madh dhe mbrojtja formale është e pakët.

Rritja e numrit të  punë kërkueseve, një dukuri prezente në tregun e punës në Kosovë, më e larta deri më tani në krahasim me rritjen ekonomike dhe rritjen e vendeve të punës, është ilustrimi këtij problemi. Për pasojë, krijohet papunësi e cila, mes tjerash, ndikon në vjetrimin e shkathtësive që punëkërkuesit i posedojnë. Niveli më i lartë i papunësisë tek rinia dhe gratë, ndikon që këto dy segmente të popullsisë të jenë më të rrezikuar nga vjetërsimi  i shkathtësive të tyre dhe vështirësimi për tu punësuar.

Për më tepër, gratë përbëjnë përqindjen më të ulët të pjesëmarrëseve në trajnimet dhe aftësimet profesionale të ofruara nga Qendrat e Trajnimit Profesional (QAP) dhe nga Shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP).  Përveç problemeve me kërkesën për punë, në Kosovë shumë pak të rinj marrin këshilla lidhur me orientimin në karrierë.

Në mungesë të një këshillimi më adekuat e profesional, të rinjtë nuk bëjnë zgjedhje të informuar kur përzgjedhin karrierën e tyre. Si rezultat mund të përfundojnë duke përzgjedhur profesione në sektorë të cilët nuk kanë potencial të zhvillimit. Kombinimi i papunësisë së lartë dhe koncentrimi i vazhdueshëm në sektorë që nuk kanë rritje të punësimit, janë tregues  tjetër i rëndësishëm se gratë në ekonominë e Kosovës janë në pozitë të pafavorshme.

Sipas Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK, 2021), profesionet që lidhen me punonjësit e zejes hyjnë në kategorinë e profesioneve më të kërkuara nga punëdhënësit. Kjo kategori përfshin punonjësit e ndërtimit, punonjësit me metal, makineri e profesione të tjera të ndërlidhura, punonjësit e artizanatit dhe printimit, punonjësit e profesionit elektrik, si dhe punonjësit në përpunimin e ushqimit, punimin e drurit, veshjeve dhe zejeve të tjera.

Mirëpo, gratë aplikojnë shumë më pak krahasuar me burrat për punë në këto sektorë. Kjo vjen kryesisht si rezultat i asaj se ka më pak gra të profilizuara me këtë nivel edukimi si dhe se këto profile konsiderohen më pak atraktive nga ato. Përkundër gjasave më të mëdha për punësim për punonjësit e zejes dhe profesioneve të ngjashme, këto pozita ende nuk konsiderohen si atraktive nga gratë. Katërfish më pak gra krahasuar me burrat kërkojnë punë në këto profile (Riinvest, 2021).

Për të përmirësuar pozitën e grave në tregun e punës, duhet të bëhet rritja e numrit të grave të cilat marrin pjesë në trajnime të ofruara nga Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP) dhe shkollat e Aftësimit dhe Arsimit Profesional  (AAP). Më konkretisht, duhet të përpilohen kurrikula dhe të ofrohen trajnime dhe certifikime në shkathtësitë e identifikuara si të nevojshme nga tregu i punës. Për trajnimet e tilla, posaçërisht për ato në sektorët në të cilat gratë janë të nën-përfaqësuara, të ketë stimuj, të ofrohen bursa që shënjestrojnë gratë në veçanti dhe të garantohet vendi i punës.

Në vazhdimësi duhet ngritur nivelin e vetëdijesimit të vajzave dhe grave për përfshirje në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM),  gjithashtu duhet promovuar sektorët me potencial për rritje dhe për rëndësinë e punësimit në ato sektorë. Duhet promovuar edhe shërbimet e ofruara nga Agjensioni për Punësim në Republikën e Kosovës (APRK) si dhe duhet forcuar lidhja në mes të sektorit privat dhe APRK-së.

Për më tepër është me interes të lartë të aktivizohen më shumë Qendrat për Orientim në Karrierë në nivel komunal të cilat do t’i shërbenin nxënëseve të shkollave fillore, duke i informuar rreth mundësive për regjistrim në shkolla të mesme profesionale dhe profesioneve me potencial për punësim.

Kurse, për nxënëset të cilët tashmë janë regjistruar në shkolla të mesme të përgjithshme, udhëzimet për karrierë duhet të ofrohen në shkolla. Duhet të bëhet implementimi i projekteve të cilat u ofrojnë mundësi vajzave në klasën e nëntë të ushtrojnë profesione jo-tradicionale, për së paku një javë ose edhe si punë praktike me afat më të gjatë. Projektet të ngjashme,  të cilat janë implementuar nga organizatat e ndryshme, janë treguar të suksesshme në sigurimin e punës afatgjate nga gratë.

Për të rritur atraktivitetin e sektorit privat, duhet të bëhet një fushatë ndërgjegjësimi. Fushata do të  avokonte për ndryshimin e perceptimit për punësim në sektorin privat  dhe informimit të grave për mundësit e reja në tregun e punës.

Paga poashtu nuk duhet të mbetet stimuluesi i vetëm për vajzat dhe gratë por edhe faktorët tjerë mjaftë të rëndësishëm si kushtet e punës dhe uljen e formave diskriminuese të ngritura më lartë. Prandaj qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve duhet të jetë jo vetëm rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës por sigurimi i një vendi të denjë të punës si parakusht për  fuqizimin ekonomik të tyre.

__________

Ky editorial është pjesë e projektit “Mbështetje në zbatimin e Agjendës Kombëtare për Fuqizimin e Grave përmes përpjekjeve të avokimit” i implementuar nga Instituti Riinvest dhe i mbështetur nga Projekti Human Rightivism i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim e Zhvillim (SIDA), zbatuar nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF).

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.