Luftës në Gaza nuk po i duket fundi, tash kur po afron njëvjetori i sulmit të Hamasit në Izrael, në të cilin mbetën të vrarë rreth 1,200 persona, ndërkaq u morën 251 pengje izraelite, prej të cilëve 97 akoma po mbahen në Gaza.
Në kundërpërgjigje për sulmin e Hamasit në Izrael, deri më tani, ushtria izraelite ka shkaktuar vdekjen e mbi 40 mijë viktimave civile në Gaza, në mesin e tyre rreth 16 mijë fëmijë.
Izraeli tashmë në masë të madhe e ka humbur simpatinë e publikut perëndimor. Si rezultat, ka pasur edhe ndryshime të qëndrimeve politike për Palestinën nga disa shtete.
Për shembull, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja tanimë e kanë njohur pavarësinë e Palestinës dhe ky trend do të vazhdojë tutje për sa kohë që Izraeli tregohet i papërmbajtur dhe akter destabilizues në rajon.
Për t’u kthyer në normalitet, armëpushimi është i domosdoshëm, bashkë me kthimin e pengjeve nga Hamasi dhe me rifillimin e përpjekjeve serioze për krijimin e dy shteteve – Izraelit dhe Palestinës.
Por, kjo gjë do të përfundonte karrierën politike të Benjamin Netanyahut, i cili po ballafaqohet me protesta gjithëpopullore në Izrael. Në vend të paqes, Netanyahu ka zgjedhur përshkallëzimin, duke hapur një front të ri kundër Hezbollahut në Liban, duke sulmuar caqe iraniane anekënd rajonit, si dhe duke bombarduar Jemenin.
Hapja e frontit të ri me Hezbollahun
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për armëpushim prej anekënd botës për të ndaluar konfliktin në Gaza, Izraeli ka vazhduar që krye më vete ta intensifikojë tutje sulmin e tij. Izraeli tashmë ka hapur një front tjetër në veri me Hezbollahun, duke i sulmuar krerët dhe pikat operative të këtij të fundit në Liban.
Hezbollahu është organizatë politike dhe paramilitare Shi’ite e fokusuar kryesisht në Liban, e cila gëzon mbështetje financiare dhe politike nga Irani. Hezbollahu është formuar në vitin 1982, përgjatë trazirave në Liban, kur Izraeli kishte filluar okupimin e Libanit Jugor.
Qëllimi primar i Hezbollahut fillimisht ka qenë çlirimi nga okupimi izraelit, mirëpo Hezbollahu e ka shfrytëzuar mundësinë edhe për të rritur influencën shi’ite në politikën libaneze të dominuar nga sunnitët dhe pakica e krishterë maronite.
Si lëvizje politike, Hezbollahu merr pjesë në zgjedhjet libaneze që nga viti 1992 dhe aktualisht bashkë me aleatët e vet kontrollon 62 ulëse në parlamentin libanez, duke pasur kështu ndikim të madh politik.
Megjithatë, shkatërrimi i Izraelit ka qenë dhe vazhdon të jetë qëllimi kryesor i Hezbollahut, i cili në vazhdimësi ka ndërmarrë sulme kundër territorit izraelit dhe kundër aktivistëve hebrenj edhe në vende të tjera perëndimore.
Hezbollahu përllogaritet të ketë mbi 200 mijë raketa, duke e bërë Hezbollahun grupin joshtetëror me arsenalin më të madh në botë, ndërsa numëron rreth 100 mijë anëtarë. Departamenti i Shtetit të SHBA-së dhe disa vende të tjera e cilësojnë Hezbollahun si organizatë terroriste.
Së fundmi, Izraeli ka ndërmarrë një seri sulmesh të reja në Libanin Jugor, ku janë të koncentruara forcat e Hezbollahut, duke shpërthyer pajisjet e tyre elektronike. Nga këto sulme, është raportuar se mbi 32 persona kanë vdekur, ndërsa mijëra të tjerë, përfshirë fëmijë, janë plagosur.
Ndërkaq, nga sulmet e vazhdueshme ajrore të Izraelit, ka mbetur i vrarë edhe kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili e ka udhëhequr këtë grup që nga viti 1992.
Rreziku i përshkallëzimit të konfliktit
Është e rëndësishme të potencohet se sulmet izraelite, ani pse të drejtuara ndaj Hezbollahut, po bëhen në territorin e një shteti sovran (Libanit), duke mos kursyer as kryeqytetin e saj, Bejrutin.
Kjo gjë rrezikon zgjerimin e konfliktit në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Ushtria libaneze tashmë i është kundërpërgjigjur Izraelit me një sulm të saj.
Tutje, Izraeli ka ndërmarrë një seri veprimesh në shtete të tjera, të cilat kanë rrezikuar përfshirjen e shteteve të tjera në luftë – në veçanti, Iranit.
Izraeli i filloi sulmet jashtë territorit të saj me bombardimin e Konsullatës iraniane në Damask, duke vazhduar më pas me vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në kryeqytetin iranian, Teheran.
Këto veprime të Izraelit rrezikojnë përfshirjen direkte të Iranit në këtë konflikt. Irani është shtet 89-milionë-banorësh, i cili viteve të fundit, pavarësisht sanksioneve, ka zhvilluar aftësitë e veta bërthamore.
Një përfshirje direkte e Iranit në konflikt do të mund të kishte pasoja shkatërrimtare për të gjithë rajonin. Kjo në mënyrë të paevitueshme do të përfshinte në konflikt edhe shtetet perëndimore si aleate të Izraelit dhe shtete si Rusia e Kina, si aleate të Iranit.
Tanimë, Irani vetëm se i ka lëshuar mbi 500 raketa balistike mbi Izrael – 300 në muajin prill, e 200 mbrëmjen e 2 tetorit. Shumica nga këto raketa janë asgjësuar nga mbrojtja ajrore izraelite, megjithatë ato kanë shkaktuar dëme mbi bazat ajrore të Izraelit, kurse njëra ka rënë shumë afër selisë qendrore të Agjencisë izraelite të Inteligjencës, Mossad.
Pavarësisht këtyre raketave, Irani akoma nuk është përfshirë aktivisht në këtë konflikt. Kapacitetet iraniane janë shumë më të mëdha se kaq, por këto 500 raketa janë vetëm ogur për seriozitetin e situatës, e cila duhet që sa më parë të zgjidhet.
Paaftësia e Izraelit për t’i kthyer pengjet e marra nga Hamasi më 7 tetor, pasuar nga pamundësia për të mposhtur Hamasin, si dhe nevoja për të qëndruar në pushtet e Netanyahut, e kanë çuar qeverinë izraelite në ndërmarrjen e veprimeve dëshpëruese dhe destabilizuese, të cilat rrezikojnë një përshkallëzim serioz të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Përshkallëzimi i mëtejmë i situatës, përpos që do të kishte pasoja serioze për ekonominë globale, do të rrezikonte edhe një përplasje shkatërrimtare mes Lindjes dhe Perëndimit.