Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinions

Yoga, qëndrim politik

Illustration: Big Eye

Trupi është konstrukt social në botën materiale dhe kulturore. Në kulturat komerciale mediatike, trupat performojnë sipas idealeve kulturore ku trupi i gruas është i bukur ndërkaq i burrit është i fortë. Politikja dhe personalja janë të gërshetuara; “Politikja është personale dhe personalja është politike” ishte slogan i valës së dytë të feminizmit në SHBA në të  60-tat e hershme. Fokusi qëndronte tek trupat e grave dhe të drejtat e tyre mbi vendimet që lidhen në kontekstin seksual dhe riprodhues. Trupat e grave në veçanti kanë qenë historikisht ose të objektivizuar seksualisht ose të reduktuar në sistemin riprodhues. Prandaj, ta zotërosh trupin tënd dhe vendimet që ndërlidhen me të, është qëndrim politik.

Trupi është tempulli i shpirtit, thotë filozofia e Yogës. Trupi dhe mendja janë të gërshetuara; ato e plotësojnë dhe përmbushin njëra tjetrën. Kujdesi ndaj trupit në Yoga, si disiplina, qëndrueshmëria, ndërtimi i forcës dhe stabilitetit fizik përmes pozitave të Yogës të njohura si asana, konsiderohet si fazë e rëndësishme e rritjes shpirtërore. Yoga të mundëson ta definosh vet trupin tënd, t’i rezistosh forcave të jashtme destruktive, të ndërtosh vetëdije dhe kontroll. Ta zotërosh trupin e mendjen në një realitet të zhurmshëm, të vrazhdë, dhe shpesh të dhunshëm, është qëndrim politik.

Si feministe, Yoga më distancon nga kultet e kulturës konsumuese të dietave dhe fiksimit me ligështi e lakuriqësi që patriarkati kapitalist e kërkon. Në Yoga, pavarësisht që seanca të caktuara janë të dedikuara për trupin femëror dhe shëndetin riprodhues, femininiteti dhe maskuliniteti nuk përbëjnë dallime esenciale. Të gjitha konstruktet trupore çmohen dhe karakteristikat e tyre vihen në pah në kuptimin plotësues e jo reduktues. Elasticiteti trupor dhe hijeshia e pozitave nuk konsiderohet si karakteristikë femërore, por tipar i cilitdo identitet gjinor dhe shprehje e shëndetshme e seksualitetit të grave dhe burrave.

Në Yoga kultivohet disiplinë jo kufizuese por mundësuese. Disiplinë që të jep kapacitet për të vepruar. Kapacitet për të bërë zgjedhje të shëndosha, duke filluar nga ushqimi e deri tek njerëzit të cilët i lejojmë të na rrethojnë. Kapacitet për t’i testuar dhe respektuar kufijtë fizik dhe emocional, kapacitet për t’u përballur me mundin, pasigurinë dhe padrejtësitë që na sfidojnë çdo ditë. Përtej të zakonshmes dhe materiales, përmes pozitave të Yogës kthej vëmendjen përbrenda duke u lidhur me trupin, duke manipuluar me rrjedhën e frymëmarrjes, duke sfiduar drejtpeshimin trupor dhe duke luftuar me mendime intensive gjatë pozitës përfundimtare qetësuese e njohur si savasana.

Provoni të qëndroni në pozicionet e ndryshme të njohura si Virhadrasana (pozitat e Luftëtarit/es) për të testuar fortësinë e këmbëve, drejtpeshimin dhe për të përforcuar koncentrimin gjithnjë me vështrim të butë duke mbajtur muskujt e fytyrës të pushuar. Si të fitosh perspektivë më të qartë mbi jetën sesa ta shikosh atë në mënyrë të përmbysur qoftë përmes qëndrimit në kokë, apo në duar? Por më e thjeshta çka mund të bëjmë është ta bashkojmë gishtin e madh me gishtin tregues në pozitën këmbëkryq, t’i mbyllim sytë dhe përmes frymëmarrjes të lejojmë që një energji e lehtë ripërtëritëse të na rrethojë. Një proces i tillë, përmes frymëmarrjes aktive, me qëndrimin trupor të drejtë e të mprehtë por me shikim të butë e mendje të qetë, më bën të jem edhe më e vetëdijshme për trupin si entitet të pavarur, në autonomi të plotë të individit dhe askujt tjetër.

Yoga sugjeron fleksibilitet e butësi në pikëpamje e veprime, kulturë qetësie dhe imazh pozitiv trupor. Duke hequr dorë nga çkado që e pengon qetësinë e brendshme, duke përzgjedhur vlera dhe duke bërë ndryshime pozitive gradualisht, duke balancuar fortësinë dhe butësinë në të menduar e vepruar, Yoga apo qoftë edhe vetëm aspekti i saj fizik asana, shumë shpejtë bëhet mënyrë jetese, ku fizikja shkrihet me psikiken, ku meditimi bëhet proces i kënaqshëm dhe i domosdoshme në fillim apo fund të çdo dite, ku gjatë procesit të frymëmarrjes lirohen mendimet e panevojshme dhe toksike. Trupi është fizik e simbolik në të njëjtën kohë, por vlerat dhe atributet që lejojmë të asociohen me të është qëndrim politik.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.