Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

374*

Illustration: Big Eye

Në një bisedë grupore në Viber “Maturantat 2022”, krijuar për qëllime kopjimi në Provimin e Maturës, ndodh kjo bisedë, ku një student i thotë një studenteje (e cila bën pjesë në Parlamentin Studentor dhe ndihmon në qarkullimin e pyetjeve të testit të maturës): “nqet mnyr kjo i ka fitu 300Vota si kandidate për kryetare tkshillit nekonomik nUP”.

Studentja ia kthen: “374*” duke propozuar përmirësimin e numrin të votave! Pra, kopjimi në Provimin e Maturës nuk është problemi, as gabimet e shumta drejtëshkrimore të kolegut student, por numri i saktë i votave.

Sa për informim, organizata studentore, pjesë e së cilës është “studentja me 374 vota”, së fundmi është shpallur fituese e zgjedhjeve në koalicion me një organizatë tjetër dhe të dyja aktualisht bartin pozitat kryesore të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës.

Image

Testi i Arritshmërisë 2022 apo Arritshmëria në Kopjim 2022 

Në Kosovë, më 4 dhe 14 qershor 2022 u mbajt Testi i Arritshmërisë, ku u përfshinë rreth 24 mijë nxënës/e të klasëve të 9-ta në nivel vendi. Ngjashëm sikurse viteve të kaluara kur teknologjia u bë pjesë e secilit/es prej nesh, me të filluar testi, të gjitha materialet e testimit u fotografuan dhe u shpërndanë sa hap e mbyll sytë në rrjete sociale.

U krijuan dhjetra grupe të rrjeteve sociale nga semi-maturantët për qëllime kopjimi. Madje, njëra prej tyre grumbulloi plot 10 mijë anëtarë! Përkthyer statistikisht, mbi 40% e nxënësve/eve të klasëve të 9-ta në nivel vendi. Kjo e fundit në fakt bëri dallimin me vitet e kaluara.

Marrë parasysh këtë hov të jashtëzakonshëm për kopjim nga të miturit/at, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), për herë të parë përfshiu në ekipet punuese ekspertë të krimeve kibernetike në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë dhe në Provimin e Maturës.

Natyrshëm shtrohet pyetja, çfarë ndryshoi? Në fakt, deri tani i vetmi dallim i dukshëm ka të bëjë me deklaratat MASHTI-t, ku për herë të parë u shmang fraza as a “nuk është shënuar ndonjë parregullsi” dhe u zëvendësua me frazën as a “është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të testit”. Se me çka ka të bëjë ky avancim e di vetëm MASHTI. Të paktën do të duhej ta dinte…

Në fund, nga gjithsej 1600 administrues/e të Testit të Arritshmërisë, MASHTI njoftoi se janë marrë masa vetëm ndaj 2 administruesve/eve për mosrespektimin e rregullave të provimit. Pra, në total 0.12 %. Krejt në fund, se për çfarë shkeljesh dhe masash bëhet fjalë e di vetëm MASHTI, ose të paktën do të duhej ta dinte…

Provimi i Maturës 2022 apo Provimi i Kopjimit 2022 

Testin e Arritshmërisë e pasoi Provimi i Maturës. Për zhvillimin e këtij provimi, MASHTI caktoi datën 18 qershor 2022, çka bëri që maturantët/et të fillojnë mobilizimin për kopjim rreth 5 ditë më parë. Mobilizim ky me metoda krejtësisht të sofistikuara me qëllim të ruajtjes së gupeve dhe anëtarësisë nga identifikimet e jashtme. Duket se për këtë qëllim maturantët/et morën mësim nga gabimet që bënë semi-maturantët/et në organizimet e tyre për kopjim

Amerika, Bullgaria, Kanadaja (Canada) dhe Danimarka janë emra të katër shteteve, por për maturantët/et e Kosovës janë emrat e katër grupeve të rrjeteve sociale për katër testet e Provimit të Maturës (A, B, C, D).

Gjatë kohës sa zhvillohej Provimi i Maturës, vetëm njëri nga grupet i krijuar për qëllime kopjimi numëronte afër 5500 anëtarë/e në Viber. Në total, rreth 22 mijë maturantë/e iu nënshtruan Provimit të Maturës këtë vit.

Kjo i bie se 25 % e maturantëve/eve u përfshinë në kopjim, apo të paktën kishin për qëllim kopjimin në Provimin e Maturës. Vetëm 100 prej tyre, apo 0.5 % e maturantëve/eve, u zunë nga të kontraktuarit/at e MASHTI-t që kishin përgjegjësi mbarëvajtjen e provimit. Vlen të theksohet, se asnjë administrator/e nuk u zu në flagrancë.

Pa e lodhur fort mendjen, rrjedh pyetja: si është e mundur të përdoren papushim telefonat prej të paktën 25 % të maturantëve/eve në nivel vendi gjatë zhvillimit të Provimit të Maturës dhe të identifikohen nga kontraktorët/et e MASHTI-t vetëm 0.5% prej tyre?

Kopjimi masiv para syve të administruesve/eve me imunitet ndaj ndëshkimeve 

Si është e mundur që një administrator/e në klasë me jo më shumë se 15 maturantë/e, hiç vizitat e komisionerëve/eve dhe monitoruesve/eve të jashtëm, të mos arrijë të jetë në krye të detyrës!? Krejtësisht e pabesueshme! I vetmi përfundim logjik çon te dyshimi se administratorët/et kanë mundësuar – për të mos thënë inkurajuar – kopjimin masiv.

Kjo dëshmohet edhe me faktin se krerët e Divizionit për Vlerësim dhe Monitorim nga MASHTI konfirmojnë dyshimet e ngritura të organizatës ETEA lidhur me përfshirjen e mësimdhënësve/eve në grupet e rrjeteve sociale për qëllime kopjimi në testet kombëtare.

Neni 29 i Ligjit për Provimin e Maturës përcakton dënimet nga 300 EUR deri në 3,000 EUR për administratratorët/et dhe komisionerët/et, në rast të moszbatimit të detyrimeve përkatëse në raport me mbarëvajtjen e Provimit të Maturës.

Sipas përfaqësuesit të MASHTI-it, janë 16 administrator/e të sanksionuar sipas këtij neni. Të gjitha dënimet e këtyre 16 mundësuesve dhe/ose inkurajuesve të kopjimit janë në pragun minimal, pra 300 EUR!

Përfundimisht, sipas këtij formati të organizimit duket se testet kombëtare, e sidomos Provimi i Maturës, shpërfaqin një mobilizim sa të mësimdhënësve, prindërve, ashtu edhe të nxënësve, studentëve, përfaqësuesve institucionalë – pra, mobilizim gjithëshoqëror – për mashtrim kolektiv.

Prandaj, testet kombëtare duhet të pezullohen, deri në momentin kur Provimi i Maturës shndërrohet në politikë arsimore për përmirësimin e cilësisë dhe kur krijohen kushtet minimale, përkatësisht kur kuptohet se të kopjosh është vjedhje dhe se t’ua tregosh “pergjigjet e sakta” atyre që testohen – nuk është ndihmë – por dëm i rëndë dhe perversion i sistemit.

as a “Nxënësit/et me notë mesatare 2 gjatë viteve shkollore arrijnë pikë kulminante në testet kombëtare” – është njëra nga gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me titull “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. 

Fatkeqësisht, problemi është shumë më i thellë sesa thjesht organizativ. Problem i kopjimit është problem kulturor dhe është bërë normë në Kosovë.

E krejt kjo fillon me 26 % të fëmijëve të nivelit fillor të arsimit që vetëdeklarohen se kopjojnë, e vazhdon me pothuajse trefishimin e përqindjes në nivelin e mesëm të ulët (66 %), dhe përfundon me 73 % të nxënësve/eve të nivelit të mesëm të lartë të arsimit që vetëdeklarohen se kopjojnë për përmbushjen e obligimeve shkollore (të dhëna nga raportet hulumtuese të organizatës ETEA zhvilluar gjatë viteve 2018-19 në të trija nivelet e arsimit paraunversitar).

Për fund, mos të harrojmë se në krejt ky rrugëtim 12 vjeçar këta të rinj dhe të reja i çon në amfiteatret e universiteteve, ku detyrohen të përcjellin duke ligjëruar plagjiatorët/et…

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.